Standard.al

Lëvizja Vetëvendosje/Dialog me Serbinë vetëm pasi ta njohin Kosovën shtet

 

visar-ymeri4Për Lëvizjen Vetëvendosje, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë vetëm atëherë, kur Serbia të pranojë Kosovën si shtet. Në një konferencë për mediat, kryetari i këtij subjekti opozitar, Visar Ymeri, vuri sërish në pikëpyetje seriozitetin e palës kosovare në procesin e dialogut me Serbinë, për shkak se, – sipas tij, – po bëhet pa kushte dhe pa parime. Për referencë, ai mori një marrëveshje mes Kroacisë dhe Jugosllavisë të para një dekade, për të cilën tha se, rezultatet kanë qenë të ndryshme nga ajo çfarë është duke ndodhur në Kosovë. “Te marrëveshja e nënshkruar mes Kroacisë dhe Republikës Federale të Jugosllavisë, në pikën e parë thuhej se të dyja palët do ta respektonin njëra-tjetrën si dy palë të barabarta, ndërkohë që te marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë thuhet se, do të themelohet një Asociacion apo Bashkësi e komunave me shumicë serbe. Në rastin e parë kemi zotimin e të dyja palëve, që do ta njohin njëra-tjetrën, ndërsa në rastin e dytë kemi zotimin e të dyja palëve, që do të njohin një entitet si ‘Zajednica’, e cila do të themelohet brenda territorit të Kosovës, duke e thelluar kështu edhe pabarazinë, edhe asimetrinë mes të dy vendeve”, tha Ymeri. Edhe në këtë konferencë, kreu i Vetëvendosjes kujtoi se, opozita e bashkuar do të protestojë më 9 janar kundër marrëveshjes për krijimin e Asociacionit dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi. Sipas Ymerit, më e pakta që do të mund të bënin kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është të jepnin dorëheqjen.

 

Comments are closed.