Standard.al

Jetonte në “shtëpi” kartoni/Vdes foshnja nga i ftohti, Totozani: Turp për shtetin, Bashkia të ndërtojë streha

 

 

tMëngjesin e djeshëm një foshnje 3-muajshe e komunitetit rom humbi jetën, për shkak të të ftohtit, pasi jetonte në baraka të improvizuara në zonën e Shkozës në Tiranë. Prindërit e fëmijës thanë në polici se e kishin mbuluar foshnjën me kartonë dhe në mëngjes e gjetën pa jetë. Ky është rasti i dytë brenda një jave, kur një foshnjë e komunitetit rom humb jetën, për shkak të temperaturave të ulëta. Javën e kaluar, një tjetër foshnje 3-muajshe që jetonte poshtë urës së Dajlanit në Durrës nuk mundi të mbijetonte për shkak të të ftohtit. Njësoj si sot duke i bërë thirrje Veliajt, edhe para një jave Totozani i bëri thirrje kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, të ndërtojë vendstrehime, por rekomandimet ranë në vesh të shurdhër.

 

Avokati i Popullit

Avokati i Popullit Igli Totozani ka reaguar sërish për foshnjën 3-muajshe që humbi jetën nga të ftohtit dje në Tiranë. Përmes një deklarate, Totozani thotë se është e turpshme për shtetin që ende vazhdojnë të vdesin foshnja nga i ftohti, pasi nuk ka përkujdesje nga pushteti vendor dhe qendror. Totozani i ka bërë thirrje Bashkisë së Tiranës e kryebashkiakut Erion Veliaj që të marrë masa për të ndërtuar vendstrehime për të varfrit e të pastrehët që të kalojnë dimrin. “I bëjmë thirrje edhe një herë drejtuesve vendor, por edhe atyre të qeverisjes qendrore që të gjejnë kohë dhe të përkushtohen edhe për të varfrit, edhe për të pastrehët, edhe për fëmijët romë që të mos vdesin më nga të ftohtët. Avokati i Popullit kërkon me forcë dhe në mënyrë urgjente marrjen e masave nga pushteti vendor për gjetjen e vendstrehimeve të përkohshme për popullsinë e pastrehë dhe sidomos për familjet rome të cilat jetojnë në kushte të një varfërie ekstreme”, – thuhet në deklaratë.

Comments are closed.