Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj e cilësoi një lajm tepër inkurajues faktin se PD e ka përqafuar idenë se Komisioni i Venecias është pika e referimit për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Xhafaj tha se shpreson që Partia Demokratike të angazhohet në tryeza, në mënyrë që të nxirret me konsensus produkti që meritojnë shqiptarët.
“Reforma në drejtësi, nga një ëndërr dhe tabu, sot është realitet. Jam shumë i gëzuar që më në fund i shoh të gjithë të brohorasin rroftë reforma në drejtësi. Eshtë një lajm shumë inkurajues i fundvitit fakti që PD e ka përqafuar idenë tonë të ditës së parë të punës, se Komisioni i Venecias është pika e referimit për një reformë të thellë të drejtësisë,” deklaroi Xhafaj.
Deputeti socialist theksoi se do të ketë një vlerësim të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe bëri thirrje që politika të bashkohet në këtë qëndrim, që është dhe një nga pikat e raportit të Komisionit të Venecias.