Ideologjizimi fiskal

0
122

 

 


Nga Brikena BogdoNga Brikena Bogdo             

 

Forca shtrënguese e shtetit është në funksion të prosperitetit dhe mirëqenies së shtetasve të tu, në të kundërt; do të punosh për glorifikimin e diktatit dhe diktatorëve. Meqenëse politika, në Shqipëri, përdor rëndom si armë, barcaletat dhe batutat me Nastradin, unë po tregoj një përrallë me mbret. Na ishte një herë një mbret, i cili qeveriste shumë keq vendin e tij dhe për këtë shtetasit e urrenin. Në shtratin e vdekjes, thërret djalin trashëgimtar dhe amaneti i fundit ishte që, ai të punonte për glorifikimin e emrit të tij, pas vdekjes. Djali i premton mbretit që shtetasit, jo vetëm do i thurnin vargje e do i këndonin këngë, por edhe do t’i ngrinin shtatore e lapidar. Pasi morri uratën  dhe fronin e të atit, iu vërsulet shtetasve dhe urdhëroi, që t’u rriteshin dyfish taksat. Irritohen shtetasit dhe fillojnë të lavdërojnë mbretin e vdekur. Dëgjon këtë mbreti dhe urdhëron përsëri dyfishim taksash. Fillojnë shtetasit pelegrinazhin drejt varrit të mbreti, për të kujtuar dhe nderuar mbretin e vdekur. Mbreti i pangopur vazhdonte rritjen drastike të taksave dhe pyeste emisarët, se çfarë mendonte populli për babain e tij. “I kanë thurur vargje dhe po i këndojnë këngë”, – i thonë ata. Vjen urdhri i tmerrshëm, të vazhdohet me rritjen drastike të taksave. I ngrihet lapidar mbretit të vdekur. Në këtë moment, mbreti ndërpret ngritjen e taksave dhe në të kundërt, fillon uljen e tyre. Njerëzia shprehet se, nuk qenka dhe aq i keq edhe mbreti i ri. Që Rama nuk po mendon për prosperitet, këtë po e ndjejnë në kurriz aktualisht shtetasit e tij, për ditë. Mbase po glorifikon diktate dhe diktatorë të së shkuarës, apo thjesht ideologjitë e tyre?

 

***

Të gjitha pushtetet kanë dështuar, pikërisht atëherë, kur kanë nëpërkëmbur ekonominë dhe taksimin, me ideologjinë. Në fakt, po ta shohim, në një kronologji 100 vjeçare, shtetin më të fuqishëm në botë, Amerikën, presidentët e tyre, qofshin  republikanë, apo demokratë, brenda një mandati të tyre kanë ndryshuar politikat  fiskale, nga liberale, në shtrënguese, në varësi të rrethanave, jo të ideologjisë. Jo pak here, ka patur disekuilibër hyrjesh tatimore dhe shpenzimesh publike, por kjo aspak e lidhur me një president republikan, apo demokrat. Do ta shohim më poshtë, se përse është futur koncepti i shtetit të fortë edhe nga president republikanë, si Roosvelt, duke depërtuar, detyrimisht në këtë koncept, rolin e taksimit. Tatimet fikse mbi të ardhurat janë vendosur në vitin 1913, me amendamentin 17 të Kushtetutës amerikane. Në periudhën e Woodrow Wilson-it, u realizua legjislacioni i ri, por që erdhi si rezultat i një sërë reformash, të udhëhequra nga republikanët “progresistë”, të drejtuar  nga Theodore Roosvelt, i cili  tërë jetën u sforcua, të zgjeronte rrezen e veprimit të ndërhyrjes publike. Republikanët amerikanë janë sot për një shtet minimal (minimalizimi i informalitet), jo maksimalizimi i shtetit, (maksimalizimi i informalitetit). Duket paradoksale, kur deri më sot, në Amerikë, është luajtur politika e një shteti minimal. Në kohën e Roosveltit, taksat ishin mjeti për të kontrolluar tejkalimin e pushtetit të bankave dhe bizneseve të mëdha. Roosvelt-i ndërhyri në një periudhë krize, duke forcuar shtetin dhe kontrollin e tij. Kur kjo periudhë anarkie kaloi, shohim një Roosvelt tjetër, kësaj radhe demokrat, që promovon “New deal”, një kurs i ri per Amerikën, e dalë nga viti 1929. Në fund të këtij rrugëtimi u bë normalitet për Roosvelt-in, që të zgjeronte bazën e detyrueshme, duke futur tatimin mbi  pagën e punëtorëve. Në pak vite, hyrjet tatimore u rritën nga 7.5, në 43 miliardë dollarë. Por, testamenti i ri fiskal nisi me Reagan-in në presidencë, në vitin 1980 (përsëri një president republikan), me një frymë të re liberalizmi, apo i ashtuquajturi “shteti zero”, një sistem ekonomik i përqendruar tek prodhuesit e të ardhurave. Shteti zero nënkupton liri privatit, për të vrapuar drejt fitimit. Nisma private krijon mundësi dhe punë, ndaj favorizohet me çdo kusht. Të rrisësh të ardhurat tatimore, nëpërmjet rritjes ekonomike, derivuar nga privati. Kjo politikë ekonomike e Reaganit ishte diametralisht në opozitë, kundrejt një presidenti po republikani si Roosvelt-i. Në vitin 1981, pra me presidentin Reagan, kongresi amerikan miraton shkurtimin më të madh mbi taksat dhe tatimet në SHBA, ku të ardhurat mbi tatimet ulen, deri në 750 miliardë dollarë, ne 6 vjet. Linja e të ardhurave fiskale bie gjithnjë e më shumë, në krahasim me daljet, sepse ndërkohë antishteti Reagan çoi në nivele rekord shpenzimet ushtarake. Defiçiti u mbulua vetëm në një masë të vogël nga heqja e disa prej të ardhurave fiskale, ndërsa pjesa më e madhe u shndërrua në borxh. Prandaj, edhe analistët e sotëm mendojnë që, politika ekonomike reaganiane ishte fillesa e asaj çka ndodhi në vitin 2008, me krizën financiare dhe borxhin e brendshëm. “Pikërisht, këtu fillon dinamika e zhvillimeve që po jetojmë ende sot”, – shprehen këta analistë. Reagan uli taksat por, nuk uli shpenzimet. Në këtë mënyrë u vazhdua edhe në vitet e para të presidencës së Clintonit. As presidenti demokrat, nuk pati guximin të rrisë detyrimet, madje, kur u gjend përballë një disniveli alarmant, preferoi të ulte shpenzimet në 490 miliardë dollarë. Të ardhurat tatimore u rritën falë rritjes ekonomike. Ai arriti rritje ekonomike, duke tejkaluar të ardhurat tatimore me 152 miliardë dollarë. Ky ekuilibër, midis hyrjeve tatimore (nëpërmjet rritjes ekonomike) dhe daljeve, pra shpenzimeve, shkëlqeu presidencën e Clintonit. Amerikanët kanë cilësuar periudhat Reagan dhe Clinton, të shkëlqyera, republikan njëri, demokrat tjetri, duke ndjekur historitë e njëri-tjetrit, por që u lanë pasardhësve probleme vërtet serioze.

 

***

Siç e pamë, as Clinton-i nuk guxoi te rrisë taksat dhe tatimet, por e menaxhoi situaten në mënyrë brilante, duke ulur shpenzimet. Edhe kur republikanët u rikthyen në pushtet me George W. Bush menduan se, gjetën kushtet ideale për një ulje të re liberale të taksave, të përllogaritura në 1 300 miliardë dollarë, në 10 vjet. Ata vazhduan politikën Reagan “shtetit zero”, duke thelluar anarkinë e bankave, të bizneseve të mëdha dhe të gjithë sistemit fiskal. Pikërisht, në fund të vitit 2012, nëse nuk do të ndryshonte ligji i Reagan-it, ishte menduar nga analistët që, SHBA-të do të shkonin drejt humnerës fiskale. Por, ndërkohë republikanët mbetën shumë të pakënaqur, në marrëveshjen Obama të fund-vitit 2012. Natën e Vitit të Ri, në marrëveshjen për të dalë nga humnera fiskale, ata mbetën shumë të zhgënjyer nga teksti i saj, pikërisht sepse kuptuan një difekt serioz, çekuilibrin mes hyrjeve dhe daljeve, rritjen e taksa për të pasurit, pa u përballur me uljen e shpenzimeve publike. Amerika është hera e pare, që përballet pas shumë vitesh, me një rritje taksash, duke u kthyer tek koncepti shtet i fortë. Obama sot, ndryshe nga demokrati Clinton, mbush arkën nëpërmjet rritjes së taksimit, jo nëpërmjet rritjes ekonomike, politikë brilante e kolegut të tij. Në këtë hark kohor 100-vjeçar, bie çdo ideologjizëm, i së majtës i së djathtës, të pasur, të varfër, ku nuk ka vend, as frika, as paniku. Pamë një Roosvelt, i cili për nga politikat ekonomike ka lëvizur, edhe majtas, edhe djathtas. Pamë një Reagan, të djathtë, antishtet. Pamë një Clinton demokrat, që nuk rriti taksat për të pasurit dhe po një demokrat si Obama, që po detyrohet, të ndryshojë ligjin për rritjen e taksave, duke synuar përsëri një shtet të fortë. Sot merr valencë drejtuesi i mirë, menaxhuesi i mirë, jo ideologjizuesi i mirë. D.m.th kuptojmë që, politikat ekonomike janë fleksibël dhe e rëndësishme duhet të mbeten, të pakontrolluara nga ideologjitë politike dhe interesat partiakë.

 

***

Në Shqipëri politikat ekonomike dhe fiskale kanë mbetur peng të ideologjisë dhe korrupsionit. Në Shqipëri ngrihen taksat, dhe njëkohësisht rriten shpenzimet, duke e futur vendin në një krizë të thellë. Në Shqipëri kriza po thellohet nga dita në ditë dhe kryeministri deklaron që do të vazhdojë reformat famëkeqe negativiste pa marrë parasysh asgjë dhe askënd. Diferenca midis pozitives dhe negatives qëndron se´, pikërisht burrat e mëdhenj të shtetit, ata më të shquarit që kanë përmbysur fatet e kombeve të tyre kah pozitives, kanë qenë pikërisht ata që, megjithëse ishin absolutisht të vendosur dhe kurajozë, nuk kanë hedhur në plehra këshilla, sugjerime, dhe rekomandime.

Po përmend majtas dhe djathtas Roosvelt, De Gaulle, Thatcher, Adenauer, Blair, De Gasperi, të cilët nuk do të mbroheshin përpara një falimentimi reformash, duke sulmuar paraardhësin, apo duke glorifikuar sukseset e tyre personale, për të minimizuar gravitetin e ngjarjeve. Do të mundeshin këta personazhe të famshëm, përballë qoftë edhe një dyshimi fare të vogël, për konflikt interesi të një anëtari të rëndësishëm, të qeverisë, të mbroheshin duke e fshirë totalisht, me arrogancë, apo batutë antiopozitë? Pse nuk ndodhi kështu, është arsyeja që, ata burra janë kryeministra dhe burra shteti të mëdhenj, sigurisht edhe me gabimet që kanë bërë. Kryeministri vazhdon me reformat dhe nuk i intereson që parashikimet e tij janë në kontradiksion me realitetin. Nuk i intereson që, premtimet e tij solemne kanë përfunduar në hiç. Nuk i intereson që realiteti është krejt i ndryshëm, nga sa e tregon ai. Paraqitet triumfues me diskutime triumfuese të një realiteti që nuk ekziston. Inati fiskal i shqiptarëve është në rritje shpërthyese, po kështu frikërat dhe pasiguritë. Ende qëndron një thyerje e thellë, midis shtetit dhe qytetarit, politikës dhe elektoratit, administratës fiskale dhe kontribuuesve. Mjafton të shëtisësh pak dhe të kuptosh, të intervistosh familjet e mesme, të flasësh me njeriun e rrugës, të dëgjosh komentet e të rinjve dhe të pleqve. Pak më shumë kokulur dhe respekt për ata që, jetojnë dramën e përditshme, dhe jo të shndërrohen në çakej të vërsulur mbi biznese, të ngritura me mund në këta 25 vjet. Pa zgjidhur korrupsionin nuk do ketë sukses asnjë reformë. Regjimi komunist dështoi, pikërisht në ideologjizimin e ekonomisë. Tua marrim te pasurve dhe tua japim te varfërve, ka rezultuar dështuese për ekonominë dhe krijimin e një shteti të fortë. Taksimi sot, konsiderohet pika kyçe e një ekonomie të suksesshme dhe prosperuese, apo e një ekonomie të dështuar!?

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency