Rriten shpenzimet për argëtim/Politikat aventuriere dhe pa vizion në fushën fiskale po dëmtojnë ekonominë

0
103

 

 

kryeministria-3-300x157Dy vitet e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të shpenzimeve të qeverisë për argëtim, ndërsa janë ulur fondet për arsimin dhe shëndetësinë

 

Ervin Kaduku

 

Politikat aventuriere dhe pa vizion afatgjatë, që po ndiqen këto vite të qeverisjes Rama në fushën e financave, jo vetëm po krijojnë një hendek të konsiderueshëm në arkën e shtetit, por po çoroditin edhe klimën e biznesit. Ato nuk po sjellin rezultatet e premtuara, por po e zhytin ekonominë e vendin në qorrsokak.  Një ndër defektet më problematike në këto politika janë ndryshimet e shpeshta në ligjet fiskale. Sipas anëtarit të Komisionit të Ekonomisë, Florion Mima, në dy vite ligjet fiskale janë ndryshuar 80 herë, duke përkeqësuar më tej marrëdhëniet e tatimpaguesve me shtetin. Edhe pse problematika e ndryshimit të shpeshtë të ligjeve fiskale është evidentuar edhe para dy vitesh, sipas deputetit Mima, diferenca qëndron te efektet e këtyre ndryshimeve. Sa u përket të ardhurave, pavarësisht ndryshimeve ligjore që ndikojnë në administrimin fiskal, sipas deputetit Mima në 11 muaj mungojnë 360 milionë dollarë. Pritshmëritë për 12-mujorin, sipas deputetit, janë që ky rekord negativ të thellohet më tej duke shkuar në 400 milionë dollarë.

 

Zgjidhjet

Mungesa e të ardhurave në buxhetin e shtetit nuk mund të plotësohet duke rritur nivelin e taksimit, si për të punësuarit, ashtu edhe për biznesin, por duke miradministruar sistemin. Ndryshimet në sistemin e taksimit gjatë dy viteve të fundit nga qeveria dhe paketa e re fiskale që pritet të shoqërojë buxhetin e vitit të ardhshëm, kanë hapur debate të gjerë e të forta. Referuar debateve të fundit, mbi mundësinë e taksimit të profesioneve të lira, ekspertë vendas, por edhe përfaqësues të grupeve të interesit kanë kërkuar të rritet miradministrimi i sistemit fiskal, pasi rritja e taksave nuk ka dhënë efektin e pritshëm në të ardhurat e buxhetit të shtetit.

Sipas statistikave paraprake të Ministrisë së Financave, duke parë të ardhurat nga tatim fitimi, taksë që pësoi ndryshime vitin e kaluar, janë 21.7 miliardë lekë ose afro 68 milionë lekë më pak shumë se plani. Ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë të ardhurat nga ky zë ishin në vlerën e 19.2 miliardë lekëve. Edhe pse me rritje në vlerë, si pasojë e rritjes së taksës, vlerësohet se efektet e krizës globale të jenë një faktor kryesor që ka ndikuar tek një pjesë e madhe e sipërmarrjes private, të cilat kryejnë shkëmbime tregtare me vendet e eurozonës. Gjithashtu, mosrealizimi i të ardhurave buxhetore për 11 mujorin e vitit 2015, sipas parashikimeve, është pasojë e drejtpërdrejtë e politikës së rritjes në përgjithësi të ngarkesës taksore të shprehur në 2 paketa fiskale të njëpasnjëshme në vitet 2014­-2015. Në këto paketa tatim fitimi u përkthye me 50% për kategoritë e biznesit me qarkullim vjetor nën 8 milionë lekë. Po kështu u kalua “de facto” nga sistemi i taksës së sheshtë me bazë 10%, në taksën e sheshtë 15%, por e cila nuk u përkthye direkt në rritje prej 50% të të ardhurave nga kjo taksë. Duke iu referuar të ardhurave nga ky zë, por edhe zërave të tjerë të treguesve fiskalë, mund të aludojmë se ky është “një paralajmërim për dështimin” i politikave fiskale të ndjekura nga qeveria shqiptare, nën trysninë e marrëveshjes me FMN ­në. Rritja e ngarkesës tatimore ka shkaktuar pasoja në buxhet dhe në qëndrueshmërinë makroekonomike të vendit, pasi Shqipëria është një vend me fshehje të të ardhurave fiskale në vlerën afërsisht 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

 

Theksi tek argëtimet?!

Shpenzimet buxhetore të ndara sipas 10 funksioneve kryesore të qeverisjes arritën gjatë periudhës janar-shtator në 298.5 miliardë lekë me një rritje vetëm 0.4 për qind në krahasim me një vit më parë dhe 10 për qind më shumë se në vitin 2012. Në tabelën e publikuar nga Banka e Shqipërisë bie në sy se dy vitet e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të shpenzimeve të qeverisë për argëtim, ndërsa janë ulur fondet për arsimin dhe shëndetësinë(?!) Është hera e parë që një qeveri, të paktën këto 25 vitet e fundit, ndjek një ndarje të tillë tematike të shpenzimeve publike. Pjesa më e madhe e fondeve buxhetore ka shkuar për Mbrojtjen e Sociale (pensione, pagesa për invalidët, pagesa e papunësisë). Rreth 95 miliardë lekë shpenzime në aspektin sociale zënë 30 për qind të totalit të fondeve. Për shërbimet që ofron ndaj qytetarëve qeveria ka shpenzuar një shume prej 65 miliardë lekësh në nëntëmujor, por këto fonde kanë qene 4 për qind më të ulta se një vit më parë, por 12% më të larta se, në vitin 2012. Për çështjet ekonomike të vendit u shpenzuan 32 miliardë lekë. Në këtë zë përfshihen kryesisht investimet. Ato rezultuan 16% më të larta se nëntëmujori i 2014, por vetëm 0.8% më të shumë se 2012. Shpenzimet në funksion të strehimit dhe komoditetit të komunitetit kanë pësuar rënie. Në janar-shtator ato ranë me 5.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Gjithashtu shpenzimet për shëndetësinë kanë pësuar rënie me 3.6 për qind në raport me vitin e shkuar dhe ato për arsimin me 1%. Shpenzimet për argëtimin, kulturën dhe çështjet fetare janë rritur me 10% krahasuar me 2014 dhe 35% krahasuar me 2012. Pavarësisht se, fondet dedikuar mjedisit janë më të ulëtat që buxheti akordon, ato po pësojnë një rritje të shpejtë nga viti në vit.

Ndërsa në 9-mujor 2015 fondet buxhetore për mjedisin ishin 27% më të larta se më 2014 dhe 145% më të larta se më 2012.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency