Dhjetë hapa shumë urgjentë përpara apokalipsit!

0
111

Nga Artan FugaNga Artan Fuga

Pasi bëra shkrimin për shpërdorimet që vazhdojnë t’i bëhen ekonomisë shqiptare dhe forcës dhe energjisë të kombit, pati lexues dashamirës që m’u drejtuan me pyetjen e dëshpëruar: Na thuaj çfarë të bëjmë, se këto i dimë? I dimë, dakord, por atëherë përse nuk i thoni? Nejse. Sigurisht që jam i sigurt se ka zgjidhje. Dhe janë aq të qarta saqë më bëjnë të sigurt se po qe se ndërmerren reformat që duhen, me guxim, në bashkëveprim me qytetarin dhe jo me pabesi dhe përjashtim të qytetarit, Shqipëria brenda 3 deri 4 vjetësh bëhet vend i bekuar për shqiptarët. Shqipëria ka pasuri ende të virgjëra. Ky është avantazhi i madh për brezat e tanishëm. Por, shqiptari është emigrant në vendin e tij, është azilant në vendin e tij, është i përjashtuar nga vendi i tij. Prandaj edhe ikën. Më i lehtë ekzili në vend të huaj sesa ekzili në vendin tënd. Duhet që shqiptari të bëhet pjesë e punëve dhe pasurive të vendit të vet. E para, duhet të hapet bursa e aksioneve në mënyrë masive dhe demokratike. Demokracia nuk është sot thjesht te vota, është pjesëmarrje në vendimmarrje në botën ekonomike. As sipërmarrje publike, as private nuk duhet të ketë më pa aksione dhe aksionerë. Aksionerë me qindra mijëra që të blejnë bono aksionesh dhe të marrin pjesë në nxjerrjen e fitimit dhe shpërndarjen e fitimit. Ta zëmë të gjitha universitetet private do të duheshin të shpalleshin ndërmarrje aksionere ku të gjithë studentët që paguajnë atje për aq kohë sa janë të kenë statutin e aksionerit. Aksionet e sipërmarrjeve shqiptare do të lejonin rishpërndarjen e pasurive shqiptare. E dyta, të gjithë ish pronarët, me mijëra familje të mos kompensohen me parà që nxit inflacionin dhe thërrmon kapitalin monetar shqiptar, por me toka dhe terren në zona ku ka mundësi investimesh mbi bazën e projekteve të zhvillimit. Kjo do të hapte një tjetër mushkri frymëmarrje investimit shqiptar popullor. E treta, pyje, kullota, pjesë të detit, fusha pa zot e pa pronës ose pronë publike, t’u jepen me qira me 1 lek në ditë bashkësive, shoqatave ose sipërmarrjeve kolektive private të banorëve të zonës ose agjencive të tjera të themeluara nga qytetarë dhe mbi baza bono aksionesh të gjera. E katërta, të gjitha tokat e papunuara ose të lëna djerrë për një afat me më shumë se dhjetë vjet të vihen në dispozicion të shtetit për t’u dhënë me qira afatgjatë për sipërmarrës aktivë që duan t’i fusin në qarkullim. Qiraja t’u kalojë llogarive të pronarëve që nuk kanë pasur mundësi të vendosin në punë pronat e tyre. E pesta, Banka e shtetit të nxisë blerjen e bonove masive të thesarit nga ana e qytetarëve shqiptarë me vlera modeste ose edhe të mëdha duke thithur kapitale dhe dhënë interesa. E gjashta, të ndërtohet banka shtetërore e depozitimit të kapitaleve të emigracionit shqiptar me shkallë sigurie në raste vështirësish financiare dhe me interesa të njejta me ato të bankave evropiane për të gjithë emigrantët që duan të sigurojnë kapitalet e tyre financiare. E shtata të decentralizohen të gjitha institucionet e shtetit apo institucionet e tjera publike që janë mbledhur në Tiranë duke u përhapur në të gjithë territorin shqiptar, ministri, agjenci publike, institucione shtetërore. Kjo do të bëjë që fuqia blerëse e nëpunësit të shtetit të ndikojë në të gjitha rrethet e vendit duke i dhënë hov zhvillimit të tyre dhe bërë që të përmbyset tendenca që shqiptarët të vinë të gjithë buzë Lanës. E teta, të gjithë tenderat publikë dhe tregjet e sektorit të publikë të shoqërohen me kërkesa për punësim punonjësish dhe të përmbajnë kritere që lidhen me shpërndarjen e pasurisë në të gjithë shtresa e popullsisë. Tenderimet të shkojnë te sipërmarrjet e mesme dhe të vogla. E nënta, një nga kanalet e shumtë të të Televizionit publik të kushtohet për promovimin e logos të prodhimeve shqiptare, dhe ndërgjegjësimit të klientit – qytetar që konsumon prodhime vendi, dhe shteti të ndërhyjë fort që të krijohet informacioni virtual mbi tregun dhe klientët nëpërmjet web site-ve në shqip dhe gjuhët rajonale e gjuhë ndërkombëtare. E dhjeta, shteti të rinisë në përmasa shumë të gjera sipërmarje strategjike investimesh në sektorë të rëndësishëm si portet, urat, urbanizimi, hekurudha etj, duke bërë investime direkte, duke nxitur punësimin masiv dhe përmirësuar kushtet makroekonomike për sipërmarrjen e vogël dhe të mesme etj. Me masa vetëm financiare sikundër na hedhin trutë e gomarit ca gjoja ultraliberalë që po t’i linin të mbijetonin me ligjet e tregut do të kishin cofur me vakt e me kohë, Shqipëria do i ngjajë një vendi rakitik ose një gjiganti tetraplegjik. Bëhen, bëhen. Nuk bëhen? Të hapin krahun frikacakët!

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency