Pyjet e Pukës dhe Mirditës/Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit jep alarmin për shkatërrimin dhe prerje masive

0
122

12414088_1741624782732376_421055488_o

 

Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ka dhënë alarmin për prerjet masive dhe të shfrenuara në zonën e Malit të Munellës dhe më gjerë në bashkitë e Pukës, Fushë-Arrëzit dhe Mirditës në periudhën nëntor-dhjetor 2015. Gjendja në këtë rajon ka qenë e rënduar prej shumë vitesh, por që prej njoftimit për shpalljen e moratoriumit të pyjeve në fillim të vitit 2016, situata ka degraduar masivisht. Sipas shoqatës është evidentuar një shtim i jashtëzakonshëm i subjekteve, makinerive dhe individëve të cilët po shfrytëzojnë pa kurrfarë kriteri edhe ato pak pyje të mbetur. Nisur nga ky ritëm i paprecedentë shfrytëzues, PPNEA vlerëson se shpallja e moratoriumit të pyjeve në fillim të vitit që vjen do të ketë shumë pak vlera ruajtëse dhe benefite për pyjet e kësaj zone, pasi nuk po mbetet asnjë sipërfaqe pyjore për tu ruajtur. Situata kthehet në më alarmante nisur nga fakti që Munella është rajoni i vetëm në Shqipëri ku është dokumentuar prezenca dhe riprodhimi i Rrëqebullit të Ballkanit, një nënlloj tejet i rrezikuar sipas klasifikimeve të Unionit Botëror për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Nisur nga studimet e zhvilluara me kamera-kurth PPNEA vlerëson se në Munellë mbijeton një minipopullatë e Rrëqebullit Ballkanik e përbërë prej 4 deri në 6 individësh. Javën e shkuar PPNEA raportoi një këlysh rrëqebulli të vrarë në rajonin e Malit të Munellës. Degradimi i shfrenuar i habitatit në këtë zone ndikon në shqetësimin e sjelljes së rrëqebullit dhe rrit mundësitë e kontaktit njeri – rrëqebull. Me ritmet e vëzhguara të shfrytëzimit në Malin e Munellës ekziston mundësia reale që kjo popullatë të zhduket në një afat shumë të shkurtër kohor dhe të humbasim përfundimisht një nga pasuritë natyrore më të mëdha të vendit. Rrëqebulli i Ballkanit është një specie kyç për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe ekosistemeve në të gjithë Ballkanin jugperëndimor. Popullata e totale e tij llogaritet të jetë në më pak se 40 individë. Në Shqipëri, rrëqebulli është i mbrojtur me ligj që prej vitit 1969. Së fundmi, kuadri ligjor është përmirësuar me ligjin nr. 10253, datë 11.3.2010 “Për gjuetinë” dhe ligji nr. 7/2014, “Për shpalljen e ndalimit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”. Munella është deri më sot, një nga dy zonat e vetme në të gjithë Ballkanin, bashkë me Parkun Kombëtar të Mavrovës në Maqedoni, ku rrëqebulli riprodhohet. Gjithashtu kjo shoqatë ka akuzuar se pavarësisht ngritjes së këtij shqetësimi disa herë, organet kompetente nuk kanë ndërmarrë asnjë masë parandalues. Shoqata bën me dije se nëse ritmet dhe aktivitetet aktuale shfrytëzuese nuk ndalojnë rrezikojmë seriozisht të humbasim të vetmen popullatë të mbetur të rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency