Maqedoni/ Shqiptarët probleme të shumta në sektorin publik ende pa zgjidhje

0
159

sss

 

Padrejtësitë dhe diskriminimi i të punësuarve shqiptarë në Entin Shtetëror për Statistika duket se nuk do të marrë fund së shpejti.

Zyrtarët shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë e pranojnë se, ende nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi. Zv.kryeministri Fatmir Besimi tha se, në Qeveri nuk ka shkuar asnjë ankesë në rrugë zyrtare nga të punësuarit në Entin e Statistikave, për padrejtësitë që ata kanë denoncuar para mediave.

“Kjo çështje do të shqyrtohet kur të vijë në ankesë zyrtare dhe do të kërkohet përgjegjësi nga drejtori i institucionit përkatës, që të sqarohet gjendja përkatëse, pasi deri tani është vetëm informacion nga mediat”, tha Fatmir Besimi, zv.kryeministër i Maqedonisë.

Por, krahas padrejtësive në Entin e Statistikave, një problem tjetër serioz përbën edhe zvarritja e sistematizimit të 1600 shqiptarëve në administratën publike. Ata, ndonëse zyrtarisht figurojnë si të punësuar, qëndrojnë me vite në shtëpi, pasi nuk e kanë të qartë se në cilin institucion duhet të fillojnë punë.

Ministrja përgjegjëse për Administratën, Marta Arsovka nuk ka plan konkret për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Unë nuk kam informacione se këta njerëz nuk shkojnë në punë. Unë di vetëm se, në Sekretariatin qeveritar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ka një numër të lartë të të punësuarve, që presin të sistemohen nëpër disa institucione”, tha Marta Arsovska, ministre për Shoqërinë Informatike dhe Administratën.

Sipas “Marrëveshjes së Ohrit”, 25% e të punësuarve në administratën shtetërore dhe sektorin publik në Maqedoni duhet të jenë shqiptarë.  Por, kjo kuotë e garantuar me Kushtetutë nuk respektohet nga shumë institucione.

Ditë më parë, të punësuarit shqiptarë në Entin për Statistika u ankuan se, numri i tyre nga ka rënë nga 17% në 15%, për shkak të diskriminimit nga udhëheqësit e këtij institucioni. Ata kanë kërkuar ndihmën e politikanëve shqiptarë dhe kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë punën, nëse vazhdojnë padrejtësitë ndaj tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency