Cana mungon ndaj Lorientit, nuk dihen shkaqet

0
131

 

 

caLorik Cana rrezikon të mos zbresë në fushë, në sfidën ku Nantes luan në fushën e Lorient, të vlefshme për javën e 19-të të Ligue 1 franceze. Kjo pritet të jetë një tjetër mungesë për kapitenin e Kombëtares shqiptare, pas asaj të fundjavës së kaluar, ku 32-vjeçari ishte i pezulluar në ndeshjen ku Nantes barazoi 1-1 në fushën e saj përballë Toulouse. Arsyeja mbetet një mister për tu zgjidhur, pasi variantet e publikuara janë të ndryshme. Sipas burimeve pranë skuadrës së kanarinave, vendimi i trajnerit Der Zakarian për ta lënë Canën në stolin e rezervave lidhet me faktin që stafi teknik i Nantes beson se mbrojtësi shqiptar është në vështirësi kur luan në fushë me bar sintetik, siç është ajo në stadiumin “Stade du Moustoir”. Vendimi për të lënë Lorik Canën në stol do të ishte i pakuptimtë, edhe duke vlerësuar gjendjen alarmante në skuadër prej mungesave. Shtatë lojtarë janë në fazën e rikuperimit, duke bërë që formacioni të jetë në emergjencë të plotë. Një tjetër argument për mungesën e Lorik Canës janë raportimet se kuqeziu nuk e zhvilloi të plot seancën stërvitore gjatë paradites së të Premtes dhe sipas mediave franceze kjo lidhet me probleme të lehta fizike. Sido që të jetë, kjo situatë nuk i ul vlerat e Lorikut, për të cilin te Nantes e vlerësojnë jo vetëm për eksperiencën dhe garancinë që ka sjellë në repartin difensiv, por mbi të gjitha edhe për faktin se mbetet një lojtar i përulur në punë dhe që vazhdimisht ndihmon shokët më të rinj të repartit duke u dhënë këshilla për pozicionimin në fushë apo në situata të ndryshme loje.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency