KESH, humbësi më i madh/Shteti çon në bilanc me humbje kompanitë e mëdha në pronësi të tij

0

aaa

 

KESH kthehet në humbësin më të madh, sipas shifrave të raportuara tek Tatimet. Ja kush përfiton nga koncesionarët dhe lojërat e fatit

 

Ervin Kaduku

 

Sipas shifrave të raportuara në Tatimet, KESH, kjo korporatë gjigande, pronë e shqiptarëve dhe jo e njërës apo tjetrës qeveri, është kompania që ka kaluar në humbësin më të madh nga të gjitha kompanitë vendase, megjithëse ishte e para në renditjen e 2013-s sa u përket fitimeve, por më pas doli me humbje të larta në 2014-ën. Kjo, madje, vjen në një kohë, kur moti ka qenë tepër bujar me prurjet hidrike. Ky është një shembull sesi qeveria Rama po çon drejt katastrofës burimet natyrore, por edhe ndërmarrjet jetike për jetën dhe ekonominë e shqiptarëve, nëpërmjet keqmenaxhimit. Por nuk është vetëm ky rast. Gjithnjë sipas Tatimeve, edhe Autoriteti Portual Durrës ka përgjysmuar fitimet me 50%. Kurse kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës, Albpetrol, edhe pse ka përmirësuar treguesit financiar, ndodhet në një lumë kërkesash për sekuestro në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) nga shoqëritë përmbarimore që kërkojnë bllokimin e dokumentacionit të kompanisë deri në shlyerjen e detyrimeve ndaj klientëve të tyre. Vetëm gjatë vitit 2015 janë lëshuar të paktën 6 urdhra bllokimi në emër individëve dhe kompanive ndaj të cilave Albpetrol ka detyrime. Madje shoqëria “Zike” ka kërkuar vendosjen e sekuestros konservative në bllokimin e kuotave të Albpetrol deri në një urdhër të dytë. Më herët në fillim të muajit në të njëjtën kërkesë ka bërë edhe Shoqëria Përmbarimore Gjyqësore Private “TDR GROUP”. Edhe Zyra Përmbarimore “Ardael” urdhëroi vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi kapitalin e “Albpetrol” për shkak se, kjo shoqëri rezulton debitore ndaj shoqërisë “Genti” sh.p.k. Më tej urdhëra të tjerë bllokimi janë kërkuar nga shoqëritë përmbarimore në favor të individëve, pasi ndaj tyre gjiganti shtetëror i nxjerrjes së naftës mësohet të ketë detyrime.

 

Të favorizuarit

Ndërkohë që prona shtetërore po “zhvishet”, janë disa të përkëdhelur pranë qeverisë, që përfitojnë. La Petrolifera Italo-Albanese është një kontratë koncesionare e formës BOO, që do të thotë: Ndërto, Opero dhe Mbaje nën Pronësi, e firmosur nga ish-kryeministri Fatos Nano në vitin 2004, si pjesë e një plani më të gjerë për të krijuar dy porte të dedikuara për karburantet dhe rrjedhimisht për të hequr importet e karburanteve nga portet e tjera të vendit. Petrolifera përfitoi tokë me çmim simbolik në zonën e Pyllit të Sodës pranë Vlorës dhe ndërtoi rezervuarë karburanti për import dhe eksport. Bilancet e kompanisë për periudhën katërvjeçare 2011-2014 tregojnë se ajo ka realizuar të ardhura totale prej 4.4 miliardë lekësh (rreth 31 milionë euro) nga qiraja që u merr kompanive për magazinimin e karburanteve në depozitat e saj. Fitimet e kompanisë përgjatë kësaj periudhe kanë qenë afro 1.8 miliardë lekë, (rreth 13 milionë euro) dhe janë rritur në mënyrë të ndjeshme nga viti në vit. Në vitin 2014, kompania pati 1.2 miliardë lekë të ardhura dhe 910 milionë lekë fitime neto, me normë fitimi prej 74 për qind. Kurse koncesioni për aeroportin e vetëm ndërkombëtar në Shqipëri u dha nga qeveria socialiste e ish-kryeministrit Fatos Nano në vitin 2004. Gjatë kohës që ky koncesion u debatua, u ngrit menjëherë pikëpyetja për një klauzolë ekskluziviteti që përcaktohej në kontratë. Kjo klauzolë qe klasifikuar si sekret shtetëror por u publikua në median e kohës. Pavarësisht kritikave, qeveria e firmosi kontratën me afat 20 vjeçar duke krijuar kështu edhe një monopol ligjor. Monopoli, jo vetëm që dënoi me vdekje aeroportin e Kukësit, i cili, në kohën kur u nënshkrua kontrata qe duke u ndërtuar, por krijoi edhe një kompani me të ardhura të bollshme dhe me fitime të garantuara. Në vitin 2014, Tirana International Airport Shpk realizoi të ardhura në masën 4.2 miliardë lekë (rreth 30 milionë euro) dhe pati fitime neto prej 1.2 miliardë lekësh (rreth 8.7 milionë eurosh).

Aktivitetet e lojërave të fatit vitin që shkoi, edhe pse përballë një aksioni të rreptë policor, njohën një rritje të shpejtë, ku xhiroja e disa kompanive shënoi rritje deri në 80%. Për herë të parë vjet, tre nga kompanitë e lojërave të fatit (Astra Albania, Adriatik Game, APEX-al) u përfshinë në 100 bizneset më të mëdha në vend për nga xhiroja e deklaruar në tatime dhe janë gjithashtu dhe në listën e më fitimprurësve. Këto lloj sipërmarrjesh, më shumë u formalizuan, sesa u arrit të ndalohej vesi i marrë, ndonëse fushata u bazua në pjesë të madhe me moralizime sikur synimi ishte mbyllja ose minimizimi i këtyre aktiviteteve. Kompanitë kanë deklauar rritje të ndjeshme të rezultatit financiare, teksa normat e fitimit i kanë kaluar 30%.

Edhe Eagle Investment, e fokusuar në tregtimin e automateve dhe lojërave të fatit ka regjistruar pothuajse katërfishim të fitimeve në 2014, duke arritur një marzh fitimi prej 60%, e ndihmuar dhe nga të ardhurat e larta nga njësitë e kontrolluara.