Dosja e plotë/Çështja “DIA”, Kastriot Ismailaj tërhiqet nga arbitrazhi me shtetin shqiptar

0

 

 

KKGjatë shqyrtimit në Arbitrazh, ish-administratori Kastriot Ismailaj, që deri në atë kohë nuk kishte pranuar në asnjë rast se ishte pronar i kompanisë “DIA”, ka paraqitur një dokument, sipas të cilit ishte ai që e kishte shkarkuar Rebeka Gaskin Gain nga detyra e administratores që në vitin 2012.

 

Gjykata e Arbitrazhit në Vjenë ka pushuar gjykimin për kërkesën e kompanisë ‘DIA”, e cila pretendonte të përfitonte nga Shteti Shqiptar shumën prej 130 milionë euro, për shkak të prishjes së kontratës me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike. Administratorja e kompanisë “DIA”, Rebeka Gaskin Gain, është tërhequr nga gjykimi në arbitrazh pasi është vënë në dijeni të hetimeve të Prokurorisë së Tiranës për administratorin e mëparshëm të kompanisë, shtetasin Kastriot Ismailaj. Ish-administratori i kompanisë “DIA”, tashmë i pandehuri Kastriot Ismailaj, ka dorëzuar në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë kërkesën për të detyruar shtetit shqiptar që të paguante shumën e sipërcituar. Por, për shkak të problemeve ligjore në Shqipëri që kishte ky shtetas (aktualisht i arrestuar dhe i pandehur për “mashtrim” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”), shtetasja amerikane Rebeka Gaskin Gain, drejtore e përgjithshme e kompanisë “DIA”, e regjistruar në Britishn Virgin Island, e ka shkarkuar nga detyra e administratorit shtetasin shqiptar Ismailaj dhe, pasi është emëruar administratore, ka paraqitur tërheqjen e kompanisë që përfaqësonte nga gjykimi në Arbitrazh, me argumentimin që të mos cenohej më tej imazhi i kompanisë.

 

Çështja në arbitrazh

Gjatë shqyrtimit në Arbitrazh, ish-administratori Kastriot Ismailaj, që deri në atë kohë nuk kishte pranuar në asnjë rast se ishte pronar i kompanisë “DIA”, ka paraqitur një dokument, sipas të cilit ishte ai që e kishte shkarkuar Rebeka Gaskin Gain nga detyra e administratores që në vitin 2012. Ky dokument shkarkimi, i cili ishte pjesë e hetimit në Shqipëri, u provua nga Prokuroria e Tiranës se ishte i fallsifikuar në vitin 2015. Pra, shtetasja Rebeka Gaskin është “de jure” përfaqësuese e ligjshme e kompanisë “DIA”. Kjo shtetase, pasi u vu në dijeni në Gjykatën e Arbitrazhit, për rezultatet e hetimeve të Prokurorisë së Tiranës kundër shtetasit Kastriot Ismailaj, pranoi të tërhiqej nga gjykimi në arbitrazh, pasi konstatoi se kompania që përfaqësonte tashmë, nuk mund të fitonte këtë proces të nisur me iniciativë të Kastriot Ismailajt. Gjatë gjykimit në Arbitrazh, përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë kanë kundërshtuar pretendimet e ish-administratorit të “DIA-s”, me argumenta ligjorë të përgatitura nga përfaqësues të OSHEE-së dhe institucioneve qëndrore, me bazë kryesore materialet hetimore të Prokurorisë së Tiranës.

 

Ismailaj administrator

Shtetasi Kastriot Ismailaj, në cilësinë e administratorit të “Debt International Advisory” Ltd – Dega Shqipëri (DIA), në dt. 01.02.2011, ka lidhur kontratë me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike “CEZ Shpërndarja” sh.a, e administruar nga kompania Ceke, “CEZ a.s”, me seli në Pragë, me qëllim mbledhjen e borxheve që abonentët shqiptarë i kishin shoqërisë së shpërndarje së energjisë elektrike. Me datën 28.10.2011, subjekti “ÇEZ Shpërndarje” SH.A., i ka dërguar një njoftim zyrtar subjektit “Debt International Advisory” Ltd – Dega Shqipëri, për zgjidhjen e kontratës së shërbimit datë 01.02.2011 “Për mbledhjen e borxhit”. Vendimi për zgjidhjen e kontratës bazohet në arsyetimin se palët nuk arritën të bien dakort mbi objektivin për periudhën e dytë të mbledhjes së borxhit deri me datën 20.10.2011. Pas zgjidhjes së kontratës, i pandehuri Kastriot Ismailaj ka paraqitur një padi në Arbitrazh,  në bazë të së cilës kërkon dëmshpërblim në shumën 130.000.000 milion Euro. Gjykimi në Arbitrazhin e Vjenës po zhvillohej në kohën që në Shqipëri, Shteti Shqiptar mori sërish pronësinë e kompanisë “CEZ-Shpërndarje” sh.a, në bazë të një marrëveshje me kompaninë Ceke “CEZ a.s”. Në këtë mënyrë, palë në Gjykatën e Arbitrazhit përballë shtetasit Kastriot Ismailaj ishte tashmë Shteti Shqiptar, si administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE, ish-CEZ Shpërndarje). Juristët e shoqërisë OSHEE, në bashkëpunim me Prokurorinë Shqiptare, kanë zbuluar ndër të tjera se shtetasi Kastriot Ismailaj ka paraqitur në vazhdimësi  të dhëna dhe prova të falsifikuara në Gjykatën e Arbitrazhit.

 

Hetimet ndaj Ismailaj

Prokuroria e Tiranës, në bazë të informacionit të institucioneve ligjzbatuese,  ka nisur hetimet  ndaj këtij shtetasi që prej vitit 2012 (përpara se të ngrihej padia nga i pandehuri Ismailaj), fillimisht për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe më pas për veprën penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, të parashikuar nga nenet 287 dhe 143/2 të Kodit Penal. Gjatë hetimeve paraprake, të cilat tashmë janë në mbyllje dhe brenda pak ditësh dosja do të dërgohen në gjykatë, me kërkesë së Prokurorisë së Tiranës, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për të pandehurin Kastriot Ismailaj, pasi dyshohej se ai kishte konsumuar veprat penale të sipërcituara. Veprimet hetimore të Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me juristë të OSHEE dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore, u janë vënë në dispozicion përfaqësuesve të Republikës së Shqipërisë në procesin e arbitrazhit “DIA-OSHEE”.  Në bazë të dokumenteve të Prokurorisë së Tiranës provohet plotësisht se i pandehuri Kastriot Ismailaj ka krijuar një skemë mashtruese, bazuar në dokumente fiktive, në bashkëpunim me persona të tjerë nën hetim, për të përfituar në mënyrë të padrejtë vlera financiare nga “CEZ-Shpërndarje”.

 

Provat hetimore

Provat e hetimore të grumbulluara gjatë hetimeve paraprake, marrja në përgjegjësi penale, caktimi i masës së sigurimit, etj. kanë ndikuar në vendimmarrjen e adminstratores së re të “DIA-s”, Rebeka Gaskin Gain, për t’u tërhequr nga gjykimi në Arbitrazh që kompania tashmë nën drejtimin e saj kishte nisur më parë me Shtetin Shqiptar. Në vendimin final të saj, dt. 14.12.2015, Gjykata e Arbitrazhit në Vjenë, ka pushuar gjykimin për kërkesën e “DIA”-s, e cila është përfaqësuar në pjesën më të madhe të kohës nga administratori Kastriot Ismailaj dhe në përfundim të procedurave gjyqësore, u përfaqësua nga administratorja e re, Rebeka Gaskin Gain.