SHBA e BE, përparësi reformën në drejtësi/Lu, gjyqtarëve: Nëse keni orën më të shtrenjtë se makina ime, jeni të korruptuar. Ikni ose ndryshe burg!

0
112

 

 

donald luAmbasadorja e BE-së, Vlahutin: Reforma në drejtësi nuk është kundër gjyqtarëve, por kundër atyre që shfrytëzojnë detyrën, duke ngritur në sistem korrupsionin

 

Gëzim Saliu

 

I njohur për gjuhën e tij të drejtpërdrejtë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Donald Lu, i ashpërsoi edhe më shumë dje tonet ndaj gjyqtarëve e prokuroreve të korruptuar. Pjesëmarrës në Konferencën Gjyqësore Kombëtare, kryediplomati amerikan në Tiranë deklaroi përpara gjyqtarëve të pranishëm se shembulli më i qartë nëse një pjesëtar i sistemit të drejtësisë është i korruptuar është nëse ai mban në dorë një orë që kushton më shumë se makina që mban ai vetë si ambasador. Kjo deklaratë e Lu-së, e cila përbën një ndër qëndrimet më të forta për reformën në drejtësi, sjell në vëmendje të politikës dhe gjyqësorit se SHBA ka interes parësor mbi këtë reformë. Për t’i dhënë edhe më shumë rëndësi mesazhit të tij për gjyqtarët, ambasadori zgjodhi që këtë pjesë të fjalës së tij ta përcillte për të pranishmit në gjuhën shqipe. “Për gjyqtarët e korruptuar: Ma merr mendja se shumë prej jush nuk do ta identifikonin veten si gjyqtarë të korruptuar. Më lejoni t’jua them këtë në shqip, për të qenë i qartë. Prova ime për korrupsionin është shumë e thjeshtë. Nëse keni marrë ndonjëherë para ose favore në shkëmbim të një vendimi gjykate, jeni një gjyqtar i korruptuar. Edhe nëse e ke bërë këtë vetëm një herë, ke thyer ligjin dhe nuk je i përshtatshëm të shërbesh si gjyqtar. Një kriter tjetër, shumë i thjeshtë. Nëse ulni kokën dhe shihni kyçin e dorës e mbani një orë që kushton më shumë se makina ime, ka të ngjarë të jeni një gjyqtar i korruptuar”. Në këtë kontekst, ambasadori amerikan kishte edhe një mesazh për të korruptuarit e këtij sistemi, të cilët, sipas tij, duhet të largohen sa më parë nga detyra, pasi ndryshe, tha ai, i pret burgu. “Në këtë rast unë ju kurajoj juve të lini këtë profesion menjëherë. Mund edhe të futeni në burg së shpejti”, – theksoi Lu. Ndërkaq, për gjyqtarët e ndershëm ndryshimi po vjen, tha kryediplomati amerikan në gjuhën angleze. “E di që është e vështirë të jesh gjyqtar i ndershëm në Shqipëri. Nuk punon për shumë para dhe ka trysni në çdo drejtim për të marrë vendime. Gjyqtarët e ndershëm si ju meritojnë të punojnë në një sistem që shpërblen integritetin, meritoni të promovoheni në bazë të meritës dhe përvojës dhe të bëheni simboli i meritës dhe së drejtës në Shqipëri në vend të imazhit të sotëm të gjyqtarëve të korruptuar që mbajnë ora “Cartier”. Tani është koha për gjyqtarë e prokurorë të ndershëm të flasin në favor të konceptit të reformës në drejtësi dhe kundër politikanëve të korruptuar dhe prokurorëve dhe gjyqtarëve të paaftë, që qëndrojnë në rrugën e ndryshimit”, – theksoi kryediplomati amerikan në vend.

 

Bashkimi Evropian

Deklaratave të kryediplomatit amerikan iu bashkua dhe ambasadorja e Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin, e cila tha se reforma në drejtësi nuk është kundër gjyqtarëve, por është kundër atyre që shfrytëzojnë detyrën, duke ngritur në sistem korrupsionin. “Ka lloj-lloj keqinterpretimesh dhe informacionesh false. Një prej tyre është që do të hiqen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Kjo nuk është reformë kundër gjyqtarëve, përkundrazi. Kjo reformë është projektuar në mënyrë që të sillet sërish besimi dhe dinjiteti i të gjithë atyre që e bëjnë punë me përkushtim dhe në mënyrë të ndërgjegjshme. Por dhe për ti dhënë fund njëherë e mirë të gjithë atyre sjelljeve korruptive dhe joprofesionale të disave që po shkatërrojnë reputacionet e të gjithë profesioneve tuaj dhe themelet e demokracisë në Shqipëri”, – deklaroi Vlahutin. Për të forcuar edhe më shumë deklaratën e saj se gjyqtarët nuk duhet të kenë frikë nga “gjueti shtrigash”, Vlahutin vuri theksin tek rrogat e gjyqtarëve dhe masat mbrojtëse ndaj tyre. “Gjyqtarët duhet të kenë rrogat e duhura, fleksibilitet në karrierë dhe duhet të kenë mundësi të çohen për të punuar dhe organizata ndërkombëtare. Në një demokraci funksionuese gjyqtarët duhet të mbrohen nga çdo lloj presioni, qoftë me anën e telefonatave nga zyrtarët e lartë, qoftë me anën e ofertave apo kërcënimeve që kanë të bëjnë me zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve, apo çfarëdo favori apo shantazhi”, – deklaroi ajo.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency