“Revolucioni” i opozitës/Më 17 dhe 21 dhjetor, kundër buxhetit. Basha: Beteja jonë në shesh e në seancë

0
100

baPartia Demokratike nuk do të mjaftohet vetëm me tubimin e 8 dhjetorit, por siç e quan vetë lidershipi i saj, stina e protestave do të vijojë dhe në ditët e ardhshme. Më 17 dhe 21 dhjetor, opozita do t’i rikthehet protestave e kësaj here me një skenar tjetër, me një grumbullim përpara Kuvendit e jo përpara Kryeministrisë. Lideri i PD-së, Lulzim Basha mblodhi dje pasdite Kryesinë, ku prezent ishin dhe kryetarët e drejtuesit e seksioneve dhe të njësive të demokratëve të Tiranës për të vendosur mënyrën e protestimit. Kuvendi, më datën 17 dhjetor, ka parashikuar votimin e buxhetit të ri dhe të paketës fiskale e nisur nga ky fakt, PD-ja ka parashikuar që të zhvillojë protestat e saj. Pas kësaj mbledhjeje, Basha iu bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen opozitës në protestën që do të mbajë në datën 17 dhjetor para Parlamentit, ku do të zhvillohet seanca plenare e radhës për miratimin në tërësi të buxhetit për vitin 2016 dhe paketës fiskale që shoqëron atë. Basha tha se PD do të kundërshtojë me çdo forcë miratimin e këtij buxheti, që sipas tij, nga njëra anë shton varfërinë për qytetarin e nga ana tjetër e rrit parajsën për Edi Ramën, ministrat e tij dhe forcën politike me të cilën bashkëqeveris, LSI. “Të enjten, biznesi i vogël, dentistët, profesionet e lira do të penalizohen pasi kusaria do të fusë duart më thellë në xhepat e tyre. Fermerëve nuk iu shtohet asnjë lekë më shumë, iu shtohet barra për të kultivuar tokën. Taksa më të larta për vitin 2016 për të gjithë. Rama dhe ministrat e tij janë një bandë kusarie që mendojnë si të vjedhin më shumë. Të enjten brenda në Parlament duan të konfirmojnë me kartonë atë që shumica e shqiptarëve nuk e duan, një buxhet të konfirmimit të katastrofës kombëtare. Ne do përpiqemi ta ndalojmë me çdo kusht brenda dhe jashtë Parlamentit. Të ndalim këtë katastrofë kombëtare. Sezoni i protestave nis për të mos u ndalur deri në largimin e qeverisë”, theksoi kryedemokrati. Opozita ka shpallur si kërkesa të saj krijimin e një qeverie teknike dhe bërjen e zgjedhjeve të parakohshme. Partia Demokratike ka deklaruar se do të ndjekë në mënyrë të pandalshme të gjitha taktikat e opozitarizmit deri tek protesta dhe aktet demokratike të mosbindjes civile. Ky ishte dhe qëndrimi i mbajtur nga vetë Basha pas protestës së 8 dhjetorit. “Vërshimi i shqiptarëve në sheshin ‘Skënderbej’ dhe në bulevardin
‘Dëshmorët e Kombit’ ishte mesazhi më i qartë i mbështetjes për
Partinë Demokratike, opozitën shqiptare dhe kërkesën e zgjidhjen
politike që ne kemi shtruar apo që më mirë koha ka shtruar për
të tejkaluar krizën e rëndë ekonomike, shoqërore, psikologjike që ka
pllakosur vendin. Largimi i qeverisë Rama-Meta, caktimi i një qeverie teknike për të përgatitur zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit, normat dhe kriteret që do të garantojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, deklaroi kryedemokrati. Basha po përballet përpara një rryme më të fortë për protesta, siç ajo ajo e liderit historik të PD-së, Sali Berisha që kërkon revolucion. “Ju ftoj secilin prej jush, çdo shqiptar, çdo demokrat, të mendojë nga mëngjesi në darkë për të gjitha format e mosbindjes civile paqësore, për të qëruar sa më parë këtë klikë që po largon nga Shqipëria çdo vit qindra mijë të rinj, që po shkreton këtë vend, që i ka dhënë Shqipërisë reputacionin e Sirisë për sa u përket azilantëve politikë, që po i vdes njerëzit në burgje, që po i vdes njerëzit në kasolle të ftohta duke i lënë pa energji dhe pa çdo gjë, që po ndërton përsëri parajsën e bijve të etërve mizorë mbi liritë e shqiptarëve”, tha Berisha dy ditë më parë. Më 8 dhjetor, opozita zhvilloi protestën e parë antiqeveritare gjatë së cilës u shemb edhe bunkeri i ndërtuar te Ministria e Brendshme që për të djathtët e ish të përndjekurit konsiderohej si simbol i komunizmit.

 

Urimi i ish-kryeministrit

Meksi: PD u krijua më 12 dhjetor, studentët nuk ranë në grackën e Alisë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Aleksandër Meksi, dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike, ka uruar këtë parti për 25-vjetorin e krijimit. Meksi shpreh urimet e tij për ata që kontribuuan në këtë ngjarje të madhe, ndërsa shton se studentët që kërkonin demokracinë, nuk ranë pre e grackës së Ramiz Alisë për të krijuar një shoqatë të studentëve dhe intelektualëve të rinj. “25 vite më parë, më 12 dhjetor 1990, rreth kësaj ore një grup intelektualësh e studentësh vendosën krijimin e Partisë Demokratike, që u shpall në mitingun historik të pasdites. Ata, studentët që i mbështetën dhe dhjetëra e mijëra qytetarë të Tiranës nuk ranë ne grackën e Ramiz Alisë për një shoqatë të studentëve dhe intelektualëve të rinj. Me këtë rast i Uroj të gjithë ata që kontribuuan në këtë ngjarje madhore dhe të gjithë bashkëkombësit, që ëndërruan një Shqipëri të lirë e demokratike, një Shqipëri si gjithë Europa, e të gjithë shqiptarëve, me shpresën se një ditë do t’ia arrijnë kësaj dite. Urime për ditën e PD dhe demokracisë”, shkruan ish-kryeministri Meksi në ‘Facebook’.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency