Përvoja greke dhe reforma jonë në drejtësi

0
239

 

 

PER FOKUSLoreta Boti

 

Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Leonidas Rokanas, mori pjesë në një tryezë për reformën në drejtësi, të mbajtur në Fakultetin Juridik të Universitetit Publik të Tiranës. Ambasadori Rokanas, duke folur në gjuhën angleze, deklaroi: “Kjo reformë së pari ka të bëjë me ju, pastaj me Evropën. Nuk mund të ketë liri, pa sigurinë që jep shteti i së drejtës. Unë mendoj se komisioni ad hoc i krijuar për reformën ka bërë një punë shumë të mirë, duke pasur parasysh që këtë e ka bërë vetëm brenda një viti. Për këtë arsye është një përparim i madh. Greqia do ta mbështesë reformën në drejtësi dhe ne po e bëjmë këtë gjë. Për ju nuk ka alternativë tjetër veç miratimit të kësaj reforme”.

Ambasadori Rokanas ka ardhur me detyrë në Shqipëri që nga viti 2012, kështu që ai duhet të ketë njohuri për historinë e reformave në Shqipëri, duke përfshirë edhe reformën në drejtësi, e cila ka një histori të gjatë. Paketa e fundit e reformës në drejtësi është një vazhdim i paketave të mëparshme që si gurë dominoje kanë rrëzuar njëra-tjetrën kohë pas kohe. Të dyja palët e politikës në Shqipëri, varësisht se kush ka shumicën parlamentare dhe bën reformën e radhës, akuzojnë njëra-tjetrën kur reforma dështon, gjë që nuk ka mundësi të mos ndodhë as me këtë reformë. Asistenca e huaj në këto reforma është e mirëpritur, në mënyrë që faji t’u mbetet të huajve, sipas logjikës këtë e propozoi ky apo ai i huaj, nga ky apo ai shtet, nga ky apo ai institucion. Pra, për t’ia thënë në latinisht ambasadorit Rokanas, meqenëse ka qenë edhe diplomat në Vatikan, kërkohet një caper expiatorius (cjapi biblik i sakrifikimit për t’ia ngarkuar mëkatet).

Greqia ka një rekord shumë të keq fajësimi për sa i përket kësaj. Kur në Shqipëri do të bëhej Kushtetuta aktuale, në 1998, ndër konsulentët e huaj ishte dhe një jurist i njohur nga Greqia. Ai sugjeroi modelin grek të zgjedhjes së Presidentit të Republikës me 60% të votave, me qëllim që të detyroheshin palët e kundërta politike, shumica parlamentare dhe opozita, që të arrinin një marrëveshje për të zgjedhur në këtë post figura jopolitike, të moderuara që do të ishin garantë që ky institucion nuk do të keqpërdorej nga palët politike. Dhe ky propozim i urtë u pranua dhe u miratua duke u bërë pjesë e Kushtetutës.

Por në Shqipëri ky mekanizëm moderues kushtetues u keqpërdor në mënyra të ndryshme. Në një rast u bë shkak që të vidheshin votat në zgjedhjet parlamentare në atë masë që pala që ishte në pushtet të arrinte 60% të votave për ta zgjedhur e vetme Presidentin, sipas dëshirës së saj. Në një rast tjetër, ky mekanizëm kushtetues u bë shkak që pala e cila ishte në pushtet, të blinte deputetë nga opozita, që me votat e tyre të arrinte kuorumin prej 60% të kërkuar nga Kushtetuta. Të dyja palët e pranonin se ky mekanizëm kushtetues nuk po funksiononte, madje ishte i dëmshëm, por justifikoheshin duke thënë se ky ishte modeli grek, i një vendi të Bashkimit Evropian. Domethënë Greqia e kishte fajin për të këqijat që solli kjo dispozitë kushtetuese në Shqipëri. Por bënin sikur harronin se në variantin shqiptar të kësaj dispozite, mungonte fryma e këtij varianti. Në shtypin shqiptar u arrit deri atje sa mekanizmi kushtetues i keqpërdorur u quajt si një kurth grek në Kushtetutën e Shqipërisë, “Kali i Drunjtë” që futi Greqia në Kushtetutën e Shqipërisë etj. Përfundimisht, kjo dispozitë u hoq nga Kushtetuta e Shqipërisë, duke shpëtuar kështu vendi nga një “kurth” grek.

Prandaj, ambasadori Rokanas duhet të ketë kujdes kur flet për reformën në drejtësi, se nesër, kur reforma të dështojë, fjalët e tij do të përmenden nga ata që duan të justifikojnë një tjetër reformë të dështuar. Se, që do të dështojë kjo reformë, nuk ka asnjë dyshim. Ambasadori Rokanas, i cili është jurist, nuk mund të mos e kuptojë këtë gjë. Drejtësia shqiptare është deformuar aq shumë në nivel ligjor nga reformat e bëra me shumë modele të shartuara, saqë ngjan me një zonjë, së cilës i kanë veshur një fustan francez të prerë diagonalisht e të qepur me një gjysmë peliçeje gjermane, me këpucë italiane të qepura me opinga shqiptare. Xhufkat e opingave, për hir të së vërtetës, janë greke. Në Shqipëri këta 25 vjetët e fundit sa herë janë miratuar ligjet kushtetuese ku përfshihet dhe kapitulli për drejtësinë, kjo është quajtur reformë në drejtësi. Dhe janë së paku tre të tilla, në 1991, 1998 si dhe kjo e fundit që kërkon ndryshime kushtetuese. Pastaj janë miratuar kodet e reja procedurale penale dhe civile, me modele të shartuara nga shumë vende dhe kjo është quajtur reformë në drejtësi. Pastaj janë miratuar dhe ndryshuar ligjet për organizimin e drejtësisë, sipas së njëjtës mënyrë dhe kjo është quajtur reformë në drejtësi. Pastaj janë ndarë dhe bashkuar gjykatat, janë krijuar gjykata të reja (administrative, e krimeve të rënda) dhe kjo është quajtur reformë në drejtësi. Janë miratuar kodet e reja penale, civile, doganore etj., sipas mënyrës së mësipërme, dhe kjo është quajtur reformë në drejtësi. Paketa e fundit e reformës në drejtësi, për të cilën foli ambasadori Rokanas, është një amalgamë e të gjithë këtyre, një gulash ligjor që përzien pak nga të gjitha këto.

Ambasadori grek nuk ka pse flet me entuziazëm për këtë çudi shqiptare, se fjalët kanë kosto në të ardhmen dhe një diplomat duhet ta dijë këtë gjë. Qëndrimi më i mirë i ambasadorit grek do të ishte që të thoshte se reforma është e nevojshme, porse ajo do të gjykohet nga efektet që do të ketë. Ambasadori Rokanas duhet të kishte folur pak edhe për atë përmasë të paketës së reformës në drejtësi që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat e minoriteteve etnike, veçanërisht atij grek. Jo se reforma e ka pasur parasysh këtë, por çfarë efekti do të ketë në këtë aspekt. Këtu ka vend për të diskutuar.

Pastaj ka edhe çështje të tjera, për të cilat duhet të ishte shprehur ambasadori grek, siç është ajo që ka të bëjë me kompetencat e pushtetit gjyqësor për të shqyrtuar marrëveshjet ndërshtetërore të miratuara nga qeveria, në emër të shtetit, siç është rasti i marrëveshjes shqiptaro-greke për kufijtë detarë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency