Standard.al

Fjalimi për 25-vjetorin e PD-së/Basha: Të bjerë oligarkia, të ikë fatkeqësi-qeveria. PD është shtëpia e lirisë

bash dy vgishta lart

“Azem Hajdari është plaga e krenaria jonë, është frymëzim dhe flamur për PD-në. Berisha meriton medaljen e mirënjohjes së thellë të të gjithë demokratëve dhe timen”

Gëzim Saliu

Vetëm pak ditë pas protestës së madhe të 8 dhjetorit, kreu i PD-së Lulzim Basha iu drejtua dje demokratëve me rastin e 25-vjetori të krijimit të kësaj partie duke vënë theksin tek domosdoshmëria e largimit të qeverisë. Për kryedemokrati është parësore për vendin dhe demokracinë rrëzimi i oligarkisë dhe krijimi i një të ardhme të ndryshme për qytetarët.  “Qeveria Rama-Meta, jo thjesht si një qeveri mashtruese, e paaftë dhe e dështuar në mos mbajtjen e premtimeve, por si një qeveri e rrezikshme për vendin dhe qytetarët, si një rrezik në veprim që rrit çdo orë dhe çdo ditë fatkeqësinë për vendin, që provokon çdo orë dhe çdo ditë ikjen e shqiptarëve nga Shqipëria. Të ikë fatkeqësi-qeveria. Të qëndrojnë qytetarët. Të bjerë oligarkia, të ringrihet liria dhe demokracia. Ky është vendimi i 8 dhjetorit të dytë që po përhapet në mbarë vendin siç u përhap 25 vjet më parë era e lirisë së 8 dhjetorit të parë. Kjo është shpresa. Kjo është zgjidhja”, tha Basha.

Përvjetori

Sipas  Bashë dje krahas  përvjetorit të PD-së u kremtua edhe 25 -vjetori i fillimit të epokës së demokracisë në Shqipëri. “Kremtojmë sot me gëzim dhe krenari të ligjshme, me nderim dhe respekt të thellë për themeluesit dhe firmëtarët e parë, për nismëtarët, qëndrestarët dhe vazhduesit ndër vite, 25- vjetorin e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Rrallë ndodh që historia e një force politike të startojë në një orë dhe në një hap me historinë e re të vendit.  Kjo ka ndodhur në Shqipërinë e 11 dhjetorit duke u zbardhur 12 dhjetori i vitit 1990. Mirënjohje përjetë Studentëve të Dhjetorit!”.  Më tej kreu i PD-së tha se themelimi pa humbur asnjë minutë i një partie demokratike popullore ishte replika madhështore me diktaturën që po perëndonte. Në këtë kontekst ai nuk nguroi të replikonte me mazhorancën qeverisëse e cila u tregua meskine. “Nuk dolën dot nga meskiniteti dhe kufizimet e tyre si trashëgimtarë të regjimit që demokratët mposhtën një çerek shekulli më parë, nuk u ngritën dot në lartësinë e emancipimit dhe detyrës për të përkujtuar me nderimet e merituara një jubile që vërtetë ka shenjën e një grupimi të caktuar politik por duke qenë gur themeli në ngrehinën e re të Shqipërisë demokratike, iu takon të gjithë shqiptarëve. Nuk do të merresha sonte me qëndrimin e tyre, që spikat si mjerimi i tyre, por nuk mund të mos i akuzoj si provokatorë dhe sfidues, armiq të lirisë, me dekorimet e kriminale që u bënë xhelatëve të diktaturës pikërisht në 25-vjetorin e ngadhënjimit të lirisë”, deklaroi Basha. Nga ana tjetër duke u rikthyer tek PD, kreu i demokratëve tha se kjo forcë politike do të mbetet e hapur dhe e lirë siç lindi. “Kjo parti është Shtëpia e Lirisë, ku mosha është pik së pari kontributi në vijimësi i gjithsecilit. Para Projektit tonë Kombëtar të Demokracisë së re që kemi lançuar dhe po çojmë përpara së bashku,të gjithë demokratët janë të rinj, të gjithë jeni të rinj, ju duam të gjithëve të rinj në energji, në mendësi, në vizion, në vlera”.

 

Vlerësimet për figurat

Në radhë të parë të vlerësimeve në fjalimin e tij, lideri i opozitës rënditi heroin e demokracisë Azem Hajdari, i cili sipas Bashës përbën edhe frymëzimin e PD-së. “Vjen dhe kumbon sonte zëri i Azem Hajdarit, i pari i të parëve, lideri i Lëvizjes Demokratike të dhjetorit 1990, themeluesi dhe kryetari i parë i Partisë Demokratike, heroi i demokracisë shqiptare, të cilin armiqtë e lirisë e vranë para selisë së Partisë Demokratike më 12 shtator 1998. Azem Hajdari është plaga dhe krenaria jonë, është kujtim, frymëzim dhe flamur për Partinë Demokratike”. Po ashtu ai kujtoi studentin tjetër hero Arben Brocit, që u vra në masakrën e 2 prillit 1991 bashkë me Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën. “Me nderim dhe mirënjohje të thellë kujtojmë sot themeluesin tjetër të orëve të para të Partisë Demokratike, Gramoz Pashkon, në shtëpinë e të cilit u redaktua programi i parë minimal dhe statuti i parë i partisë të sapo themeluar. Kujtojmë Pjetër Arbnorin, Mandelën e Shqipërisë, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, drejtues i lartë i Partisë Demokratike për shumë vite. Kujtojmë Ali Spahinë, shembull i madh i vlerave të qëndresës, maturisë, tolerancës dhe vendosmërisë, në shërbim të vizionit demokratik”. Jashtë përkujtimeve kryedemokrati nuk la as Sokol Olldashin dhe  Ferdinand Ponin,: “dy politikanë të rinj në moshë por të sprovuar në beteja dhe sfida të shumta, në opozitë dhe në qeveri, drejtues të devotshëm e të talentuar të Partisë Demokratike, që kanë lënë pas për ne kujtimin e ndritur dhe kuptim plotë të punës në shërbim të vendit para gjithçkaje”. Në fund, kreu i PD-së shprehur vlerësimin më të lartë për liderin historik të PD-së, Sali Berishën. “I dashur miku im dhe miku i të gjithë demokratëve, lideri historik, Sali Berisha. Ju drejtohem ju dhe nëpërmjet jush të gjithë themeluesve me urimet më të përzemërta që do të doja të ishin medalja e mirënjohjes së thellë të gjithë demokratëve dhe times gjithashtu, për ty dhe gjithë themeluesit e Partisë Demokratike. Ju e krijuat dhe ju e mbajtët Partinë Demokratike formacionin më të fuqishëm të qendrës së djathtë në Europën ish-komuniste”, u shpreh kryedemokrati Basha.

 

 

 

 

Fjalimi për përvjetorin e PD që elektrizoi sallën

Berisha: Sa të kem jetë, do jem një nga ju. Të gjithë në këmbë, Rama duhet të rrëzohet

Në 25 vjetorin e krijimit të parës parti opozitare në Shqipëri, të cilën e drejtoi në pjesën më të madhe të historisë së saj të deritanishme, ish-kryeministri Sali Berishë kërkoi angazhimin e gjithë demokratëve dhe shqiptarëve për të larguar qeverisjen e majtë. Ajo që u vu re në fjalimin e lideri historik të demokratëve i cili elektrizoi sallën e “Pallatit të Kongreseve”, ishte ndjenjë e lartë emocionale. Ndoshta fjalimi i djeshëm i “doktorit” ishte ndër më “ethshmit” e këtyre viteve, kjo edhe në saj të mungesës së tij të gjatë në fjalime të tillë si pasojë e vendimmarrjes për tu tërhequr nga çdo funksion drejtues në PD. Berisha citoi një poezi te Hygoit duke pohuar,: “Edhe nëse jeni një mije vete do jem një nga ju/edhe po qete 100 vete do jem një nga ju/edhe po qete vetëm një, do jem një nga ju!”. Në ceremoninë festive për demokratët, Berisha  tha se sot të rinjtë janë më të guximshëm dhe më të fuqishëm se 25 vjet më parë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Porosia e ish-kryeministrit ishte se qytetarët duhet të mendojnë nga mëngjesi deri në darkë për të gjithë format e mosbindjes civile paqësore për të qëruar atë që e cilësoi “klikë”.  “Sot ne jemi 25 herë më të guximshëm. 25 herë më të fuqishëm dhe më të qartë për të mbrojtur liritë tona, për të mbrojtur votën, për të mbrojtur qenien tonë. Ndaj dhe thirrja ime është, të ngrihemi në lartësinë e guximit që kemi dhe që kërkon koha. Ky vrasës i shpresës duhet të marrë sa më shpejt atë që meriton, fundin, koshin e plehrave të etërve të tij. Edi Rama duhet të rrëzohet me të gjithë mjetet demokratike sa më parë. Demokratë dhe demokratë prova është e jona, thirrja është e jona, të mos presim asnjë orë dhe asnjë ditë se çfarë po bëjnë shqiptarët. Po të shohim çfarë po bëjmë vetë për ti inkurajuar ata, për ti organizuar ata, për ti mbledhur ata, për tu kthyer atyre besimin dhe shpresën se Shqipëria, e  bukura e dheut, nuk meriton të largohemi. Por meriton të punojmë me guxim të madh për ta vendosur atë në rrugën e lirisë. Ju ftoj secilin prej jush, çdo shqiptar, demokrat, të mendojë nga mëngjesi deri në darkë për të gjithë format e mosbindjes civile paqësore për të qëruar sa më parë këtë klikë që po largon nga Shqipëria çdo ditë qindra e mijëra të rinj, që po shkreton këtë vend, që i ka dhënë Shqipërisë reputacionin e  Sirisë sa i takon azilantëve, që po i  vdes në burgje, që po i  vdes në kasolle të ftohta pa energji. Në këmbë, në këmbë, në këmbë. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria”, theksoi Berisha.

 

Comments are closed.