Ndryshojnë taksat/Qeveria: Ja kush do të taksohet plus si “makinë luksi”

0
133

mmmmm

 

LSI mbështet vërejtjet e profesionistëve të lirë për të kundërshtuar rritjen drastike të kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore

 

Qeveria rrit barrën fiskale me 186 milionë euro

 

Ervin Kaduku

 

Presioni që po bëhet nga opinioni publik lidhur me masat e rënda fiskale, të parashikuara në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm dhe paketën fiskale nga qeveria, ka bërë që disa nga pjesët e paketës fiskale të kenë pësuar ndryshime gjatë diskutimeve në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj, ka mbrojtur draftin e paraqitur nga qeveria, por deputetët kanë propozuar disa ndryshime. Më konkretisht, janë kategorizuar rajonet për taksën e hotelit, është rritur nga 4% në 8% taksa e ndikimit në infrastrukturë, ndërsa taksa e makinave të luksit do të përfshijë ato automjete që kushtojnë mbi 50 mijë euro. Absurdi i propozimit të qeverisë ishte se propozonte një taksë luksi për makina që kalojnë 3.000 cm kub kapacitet motorik, por shumë prej këtyre në fakt janë makina tepër të vjetra (si p.sh. “Mercedes-Benz 2400”) dhe nuk mund të taksohen në mënyrë të posaçme. Paketa fiskale u miratua në parim në Kuvend, ndërkohë që është rikthyer për t’u diskutuar në komisionet parlamentare nen për nen. Efektet financiare të kësaj pakete në buxhetin e vitit të ardhshëm janë përllogaritur në vlerën e 26 miliardë lekëve, që përkthehet në një rritje të barrës së taksave mbi shpinën e qytetarëve shqiptarë në masën 186 milionë euro.

 

Profesionistët

Përfaqësuesit e profesioneve të lira pozicionohen kundër ndryshimeve që sjell paketa fiskale për kontributet shoqërore që duhen paguar mbi bazën e pagës maksimale. Në seancën dëgjimore në Komisionin e Punës dhe Çështjeve Sociale, përfaqësues nga grupet e interesit shprehen shqetësimin për mungesën e studimit lidhur me efektin që mund të sjellë rritja e masës së kontributeve për këto kategori ndërsa evidentuan se nisma bie ndesh edhe me Kushtetutën. Ndërsa anëtarët e Komisionit të Punës kritikuan mungesën e përfaqësuesve të Ministrisë së Financave në komision dhe nuk ngurruan që ta cilësojnë këtë lëvizje të qeverisë si një lëvizje kompensimi për heqjen e taksave për bizneset me qarkullim deri në 5 milionë lekë.

Referuar relacionit të nismës së qeverisë, ndryshimet synojnë rregullimin e deklarimit të pagës për efekt të kontributit shoqëror për tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet ekonomik si profesionistë të lirë. Llogaritja do të bazohet mbi pagën maksimale që është 97 mijë lekë. Në Komisionin e Shëndetësisë, deputeti i LSI­-së, Petrit Vasili, ka kundërshtuar ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore të profesioneve të lira, pikërisht nivelin e pagesës maksimale prej 97 mijë lekësh në muaj, duke shkuar në një linjë me grupet e interesit. “Të mbahen si referencë pagat në shtet. Pse bëjmë një diskriminim të tillë?”, – tha Vasili gjatë fjalës së tij. Përfaqësuesi i ISSH­-së në Komision, Ali Emini, tha se paga maksimale është caktuar nga qeveria dhe se kontributet do të paguhen në bazë të të ardhurave. “Kontributi do ketë referencë sektorin publik. Paga minimale dhe maksimale e përcaktuar me VKM”,­ – shtoi ai. Janë 17 profesione të lira aktualisht, si farmacistët, dentistët, noterët, avokatët, arkitektët, inxhinierët, ekspertët kontabël etj. Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes për tatimpaguesit e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale. Një i vetëpunësuar paguan kontribute për sigurimin shëndetësor, me normën prej 3,4%, bazuar në dyfishin e pagës minimale që është 44.000 lekë, si dhe paguan kontribut shoqëror mbi pagën minimale, me normën prej 23%. Dhoma e Avokatisë dhe dentistët kanë kundërshtuar vendosjen e detyrimit për të paguar kontributet mbi bazën e pagës maksimale prej 97 mijë lekësh në muaj, duke deklaruar se kjo paketë parashikon rritje të TVSH-së, që sipas tyre po shkohet drejt falimentit. “Ligji sjell rritje të kostos së shërbimeve. Po monopolizohet tregu i profesione të lira. Një projektligj i tillë është diskriminues”, – pohuan përfaqësues të Dhomës së Avokatisë.

 

Guvernatori

Nga ana e tij, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, ka shfaqur përpara deputetëve të Komisionit parlamentar të Ekonomisë sugjerimet e tij në lidhje me projektbuxhetin 2016. Sipas kreu të Bankës së Shqipërisë legjislacioni tatimor në përgjithësi dhe paketa fiskale e 2016 kërkon ekzaminim më të kujdesshëm.
“Kritikat” e Bankës së Shqipërisë u ndalën në katër aspekte:

I pari, ka të bëjë me kuadrin makro ekonomik. Sipas guvernatorit, Buxheti 2016 duhet të sjellë reduktim deficiti dhe të borxhit publik. Sipas Sejkos, borxhi është dobësia më e madhe e ekonomisë shqiptare.

Aspekti i dytë sipas guvernatorit ka të bëjë me projeksioni fiskal. “Buxheti 2016 duhet të ndihmojë qëndrueshmërinë e financave publike dhe të ketë projeksione reale mbi deficitin, rritjen, shpenzimet publike etj”, tha guvernatori. Ndërsa si aspekt të tretë renditi huamarrjen. “Rritja e borxhit publike prej 21 mld lekësh e parashikuar në buxhetin 2016 ka ndikim të ulët në tregun e brendshëm financiar. Megjithatë, borxhi është ende i lartë dhe duhen politika për uljen e tij”, – tha kreu i Bankës së Shqipërisë. Ndër të tjera Sejko artikuloi edhe disa sugjerime të Bankës së Shqipërisë, ndër të cilat më të rëndësishmet ishte rritja e transparencës fiskale. “Në rast se fondi i shpenzimeve nuk përputhet me parashikimet paraprake, rendisni shpenzimet sipas prioritetit. Sejko u ndal edhe në risqet që sjellin kreditë me probleme, ku dhe deklaroi se vitin e ardhshëm do të sillet një plan me sugjerime konkrete për sistemin financiar shqiptar. Deputeti demokrat Bode iu drejtua guvernatorit me pyetjen se çfarë risku shoqërohet me rritjen e të ardhurave të parashikuara në buxhetin 2016. Sejko tha se rritja 4.9% e të ardhurave e parashikuar nuk mbart risqe fiskale, mirëpo Bode vijoi duke thënë se edhe faktorë si deficiti tregtar që thellohet, rritja e inflacionit janë aspekte negative e performancës së ekonomisë. Deputeti mazhoritar Angjeli i kërkoi guvernatorit dërgimin e sugjerimeve me shkrim nga BSH, sipas tij një praktikë e detyruar, ndërsa Sejko deklaroi se kjo realizohet me kërkesë të Ministrisë së Financave. Deputeti opozitar Dashamir Shehu ka ngritur një shqetësim gjatë Komisionit të Ekonomisë. Duke iu drejtuar guvernatorit, ai tha se një pjesë e mirë e bizneseve “gangstere” po drejtojnë të gjithë rrjedhën ekonomike dhe zhvillimet në vend. “A ka ardhur koha të mbyllen ata, që po na drejtojnë të gjithëve. Edhe psikologjikisht kjo do të çlironte kapitalin”, – tha Shehi, duke shtuar se pikërisht klima jo e mirë në vend, pasiguritë bëjnë që të mos jemi vend tërheqës për investitorët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency