Komisioni i Shëndetësisë/Debate për rritjen e kontributeve, LSI kundër qeverisë

0

45

 

Profesionet e lira kërcënojnë: Tërhiquni nga drafti, në të kundërt do të rrisim çmimet

 

 

Komisioni i Shëndetësisë u shoqërua me debate dhe kundërshti sa i takon buxhetit të vitit të ardhshëm. Deputetët e opozitës, por edhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë përsëritur qëndrimet kundër sa i takon buxhetit të parashikuar për t’u implementuar nga Ministria e Shëndetësisë për vitin e ardhshëm. Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, u shpreh se qeveria duhet të marrë referencë pagat e këtyre profesionistëve që punojnë në sistemin publik, pa diskriminuar ata që punojnë privatisht. “Në mungesë të një studimi që është e qartë që nuk është bërë. Më e thjeshta gjë që do të bënte çdo njeri me mendje të qetë do të ishte të mbante si nivel referimi ato paga të cilat shteti vet aplikon për këto profesione”. Ndërsa përfaqësuesit e profesioneve të lira të pranishëm në Komisionin e Shëndetësisë ripërsëriten qëndrimin e tyre kundër vendimit të qeverisë që ngarkon me sigurime bazuar në pagën maksimale profesionet e lira, duke deklaruar se nëse nuk do të ketë kategorizim, do të ketë rritje çmimesh në këto shërbime. Janë plot 17 kategori të profesioneve të lira, të përfaqësuara në Komisionin e Shëndetësisë nga unionet e tyre, kundërshtojnë vendimin e qeverisë për tarifimin e sigurimeve shoqërore në bazë të pagës maksimale, ku renditin arsyet kryesore për qëndrimin e tyre kundër draftit. Sipas tyre nëse do të ketë rritje të çmimeve te shërbimeve, falimentim biznesi dhe krijim të monopoleve, çka rrezikon tregun e lirë në vend.

 

Debatet

Përfaqësuesit e profesioneve të lira gjatë fjalës së tyre në mbledhjen e Komisionit Shëndetësor renditën qëndrimet e tyre, duke e cilësuar të paimagjinueshëm faktin e ndërhyrjes së qeverisë në përcaktimin e pagës. Përfaqësuesi i Dhomës së Avokatisë, Edmond Konini, u shpreh: “Është e paimagjinueshme që një shtet të marrë përsipër të përcaktojë pagën. Zotëri, unë dua të marr 70 mijë lekë të reja në muaj dhe këto më mjaftojnë për të siguruar mjetet e mija të jetesës, familjes sime dhe pensionin tim. Ti më thua jo, nuk do ta marrësh 70 mijë, duhet të punosh me 97 mijë, sepse kaq do të paguash, sepse kjo është ajo që dua unë të paguash”. Ndërsa përfaqësuesja e Dhomës së Noterëve, Mimoza Sadushi, theksoi se nuk mund t’i kërkosh një noteri me një xhiro shumë të ulët që të paguajë një detyrim mbi një pagë 97600 lekë, kur realisht ai nuk e merr këtë pagë. Fatmir Brahimaj, Urdhri i Mjekut, e cilësoi të rrezikshëm për profesionet e lira këtë draft. “Ky draft do ta asfiksojë rëndë sektorin privat”, – tha Brahimaj. Ndërsa presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma, tha se sistemi farmaceutik, pa u tarifuar nga vlera të tjera, është në prag të mbijetesës. Por në mbledhjen e Komisionit të Shëndetësisë nuk ngeli pa u prekur nga debatet edhe protesta e opozitës e zhvilluar në 8 dhjetor. Debatet e ashpra u zhvilluan mes deputetes së Partisë Demokratike, njëherësh kryetare e Komisionit të Shëndetësisë Albana Vokshi, dhe deputetes së Partisë Socialiste, Klodian Spahiu.

Vokshi: Është turp mi.

Spahiu: Je me vandalët apo shtetin ligjor?

Vokshi: Nuk të them gjë ty, fike t’ua japim njerëzve se turp i madh.

Spahiu: Turpin mbaje për vete, turpin e bëtë ju dje që na nxorët bojën. Nëse ata njerëz aty janë të nderuar.

Vokshi: A është dhunë kjo, a është vandalizëm që të ndërhysh direkt, drejtpërsëdrejti në jetët e qytetarëve, familjeve shqiptare? Kjo është dhunë zonja Spahiu. Nuk është ajo që thoni ju.