Shtrenjtohet jetesa. Nëntori, rritje të çmimit të ushqimeve

0

uuuu

 

Çmimet e ushqimeve u rritën me 5.9 për qind në nëntor, krahasuar me një vit më parë, duke dhënë efektin më të madh në shtrenjtimin e kostos së jetesës. Instituti i Statistikave raportoi se inflacioni vjetor shënoi muajin e kaluar kuotën e 2.1 për qind.

Sipas INSTAT, brenda grupit të ushqimeve, rritjen më të madhe e ka pasur çmimi i zarzavateve, me 35.6 për qind, krahasuar me një vit më parë, pasuar nga grupi i frutave, të cilat janë shtrenjtuar me 13.9 për qind.

Të dhënat tregojnë se, vetëm si pasojë e shtrenjtimit të ushqimeve, kostoja e jetesës është rritur me 2.3 për qind, por inflacioni ka rezultuar më i ulët, për shkak se në zërat e tjerë të shpenzimeve familjare, çmimet kanë rënë krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas INSTAT, rënien më të madhe të çmimeve e kanë shënuar grupet “veshje” dhe “këpucë”, të cilat e kanë ulur inflacionin me 0.2 për qind. Po kështu, grupi i qirave, lëndëve djegëse dhe energjisë ka ndikuar në uljen e kostos së jetesës me 0.28 për qind, ashtu si dhe rënia e çmimeve të transportit, të cilat kanë ulur inflacionin me 0.17 për qind.