Në moshën 76-vjeçare/Ndahet nga jeta kreu i Kishës Katolike Shqiptare, Imzot Rrok Mirdita

0
94

,,,

Është ndarë nga jeta Imzot Rrok Mirëdita. Prej 3 ditësh shkëlqesia e tij luftoi me vdekjen pas goditjes nga një hemorragji cerebrale. Gjatë misionit të tij në krye të Kishës Katolike, Imzot Rrok Mirëdita u vu në shërbim të zhvillimit të harmonisë fetare, rilindjes së besimit në gjithë vendin dhe kapërcimit të vështirësive politike. Ndarjen nga jeta të Arkipeshkvit e njoftoi Arkidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës. Shkëlqesia Rrok Mirdita mbylli sytë rreth orës 14:30 të pasdites së djeshme në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. “Arkidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës me shumë dhimbje njofton se sot (dje) më datë 7 dhjetor 2015, rreth orës 14.30, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, si pasojë e një hemorragjie cerebrale, ka kaluar në shtëpinë e Atit, Bariu i saj, Shkëlqesia i Tij Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolit i Arkidioqezës Metropolitane Tiranë – Durrës”. Ai gjendej nën trajtim mjekësor prej ditës së premte, 4 dhjetor 2015, ku pësoi një insult cerebral. Po atë ditë ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe është ndjekur në repartin e terapisë intensive të Neurokirurgjisë, ku ka vazhduar në gjendje kome. Pavarësisht nga të gjitha përkujdesjet dhe përpjekjet nga stafi i Neurokirurgjisë, gjendja e tij ka ardhur duke u përkeqësuar derisa dje ndërroi jetë, duke u kthyer në shtëpinë e Atit. Menjëherë pas njoftimit të lajmit të hidhur, autoritetet e larta shtetërore dhe krerë të politikës kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Arqipeshkvit të Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita. Shefi i opozitës, Lulzim Basha, përmes një postimi në Facebook, shkruan se Monsinjor Mirdita do të mbahet mend për përkushtimin e madh në ringritjen shpirtërore të vendit, pas regjimit kriminal që privoi shqiptarët nga e drejta e besimit e që shembi kishat e xhamitë. “Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Monsinjor Rrok Mirditës. Monsinjor Mirdita do të mbahet mend për përkushtimin e madh në ringritjen shpirtërore të vendit, pas regjimit kriminal që privoi shqiptarët nga e drejta e besimit e që shembi kishat e xhamitë. Kam pasur privilegjin të takohem shpesh me të dhe nuk i harroj kurrë shqetësimet e tij dhe lutjet e tij për të varfrit, të pamundurit, kërkesat e tij të vazhdueshme për drejtësi shoqërore. Monsinjor Mirdita, i shuguruar Ipeshkëv në vizitën apostolike në Shqipëri të Papa Gjon Palit II në vitin 1993, jam i bindur se po shkon i qetë në shtëpinë e Atit të tij, pasi një jete të tërë në shërbim të Zotit, besimtarëve dhe popullit të tij”. Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama shkruan: “Lamtumirë miku i të gjithëve!” Postimin e ka shoqëruar dhe me një foto të Imzot Rrok Mirditës.

Jetëshkrimi
Kush ka qenë Imzot Rrok Mirdita, jeta dhe veprimtaria e tij

Mons. Rrok Mirdita ka lindur në Këllezen të Ulqinit (Mal i Zi), më 28 shtator 1939. Shkollën fillore dhe të mesme e ka ndjekur në vendlindje. Ka kryer Liceun Klasik dhe studimet filozofike dhe teologjike në Zagreb, me rezultate të shkëlqyera.
U shugurua meshtar më 4 korrik 1965 nga Arqipeshkvi i Tivarit, Aleksander Tokic.
Deri në 1973 ka zhvilluar veprimtarinë e vet baritore ndër famullitë shqiptare të dioqezës së Tivarit (Mal i Zi). Në këtë vit dërgohet nga Arqipeshkvi i Tij në Nju Jork për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë në nevojat baritore pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronks (Bronx).
Në përkim me Arqipeshkvin e Tivarit Eminenca e Tij Card. Terence Cook, Arqieshkvi i Nju Jorkut, me një dekret të 19 qershorit 1981 e inkardinon në dioqezën e tij duke e ngarkuar me veprimtarinë baritore pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Në 1985 Eminenca e Tij Kradinal O’Connor, Arqipeshkëv i Nju Jorkut, e emëron administrator të qendrave katolike shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe “Shën Pali”.
Në 28 shtator 1989 emërohet nga i njëjti arqipeshkëv, famullitar i famullisë së re “Zoja e Shkodrës”, e themeluar nga vetë Mons. Rrok Mirdita.
Gjatë viteve në Nju Jork do të merret me përkushtim të veçantë me çështjen e të larguarve nga Shqipëria, me të cilët bashkëndan dramën e dhimbjes e fatkeqësinë e të afërmve të mbetur në atdhe, të cilët i trajtojnë si tradhtarë.
Në 1991 viziton Shqipërinë, që e kishte njohur përmes emigrantëve shqiptarë të SHBA-së dhe solidarizohet me plagët e këtij vendi të martirizuar.
Në 1992 Papa Gjon Pali II e emëron Arqipeshkëv i Durrës – Tiranë. Pas këtij emërimi largohet për t’u vendosur në Shqipëri, duke u përkushtuar për ngritjen shpirtërore dhe promovimin njerëzor të popullit besuar kujdesit të tij baritor.
Më 24 prill 1993 shugurohet Ipeshkëv nga Papa Gjon Pali II, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Shqipëri, në Katedralen e Shkodrës, së bashku me tre klerikë të tjerë të mbijetuar nga regjimi komunist. Të njëjtën ditë bën hyrjen zyrtare në dioqezë së bashku me Atin e Shenjtë.
Në vitet 1994-2000 është president i Caritasit Shqiptar dhe angazhohet fuqishëm në lehtësimin e vuajtjeve të shkaktuara nga lufta e Kosovës. Më 29 mars 1999 u bën thirrje institucioneve të ndryshme katolike të Evropës për t’iu ardhur në ndihmë popullsisë në nevojë të skajshme, thirrje së cilës i përgjigjen me efektshmëri shumë prej tyre.
Në vitin 1996 zgjidhet kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe kryetar i parë i Shoqërisë Biblike Ndërkonfensionale në Shqipëri, shoqëri e sapothemeluar.
Në vitin 2000 Sovrani i Maltës i jep titullin Kapelan i Kryqit të Lartë Ad Honorem, duke e vënë në kategorinë e mësuesit të madh.
Në vitin 2002 përfundon ndërtimin e Kishës Katedrale të Shën Palit në Tiranë, duke i dhuruar bashkësisë katolike një pikë referimi për rritjen shpirtërore, gjë që do të lërë shenjë në zhvillimin shoqëror e shpirtëror të vendit.
Në janar të vitit 2005 Papa Gjon Pali II e lartëson në rangun e Arqipeshkvit Metropolit dhe më 29 qershor të të njëjtit vit merr nga Papa Benedikti XVI në Bazilikatën e Shën Pjetrit Platinium e Metropolit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës i jep titullin “Qytetar Nderi”, duke vlerësuar ndihmesën e jashtëzakonshme të Arqipeshkvit për zhvillimin e harmonisë fetare, rilindjen e besimit në të gjithë vendin dhe maturinë me të cilën ka ndihmuar në kapërcimin e vështirësive politike. Po të njëjtin titull i jep edhe kryetari i Bashkisë Rrëshen për ndihmesën e shkëlqyer në ndërtimin e strukturave kishtare.
Për më se 13 vite Arqipeshkvi është angazhuar që Kisha Katolike më Shqipëri në këtë dioqezë të rëndësishme, t’i vijë në ndihmë të gjithë kategorive të popullsisë.
Për këtë arsye i ka nxitur misionarët që të angazhohen në fushën e arsimit, atë shëndetësore, në mbrojtjen e fëmijëve, në mbështetjen e familjeve në vështirësi dhe në strehimin e të braktisurve përmes hapjes së shkollave fillore (fillore e të mesme), azileve, qendrave sociale, shkollave profesionale, qendrave shëndetësore dhe atyre për fëmijët e braktisur, si dhe një qendër për rikuperimin e të rinjve të prekur nga droga, dhe e gjithë kjo pa bërë diskriminime fetare e shoqërore.
Në vitin 2006 Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Alfred Moisiu, i ka akorduar Urdhrin “Nënë Tereza” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në ndërtimin e institucioneve të Kishës Katolike në Shqipëri; për vëmendjen e veçantë të dialogut ndërfetar; për angazhimin në themelimin e institucioneve të ndihmës sociale dhe ndihmesës së njerëzve në kushte të pafavorshme”.
Në maj 2006 asambleja e zakonshme e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e zgjedh rishtas Kryetar të saj.
Në vitin 2010 Presidenti i Republikes, z. Bamir Topi, i akordon Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Më 13 maj 2013 Akademia Ndërkombëtare Bonifaci 8 i akordon titullin “Akademik Nderi”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency