Kontrabanda /Zbardhen përgjimet mes biznesmenit Ardian Xhillari dhe zv.drejtores së Doganave

0
194

 

 

aaaGjatë periudhës 15 deri 21 gusht 2014, me leje të zëvendësdrejtoreshës Njebza ka përpiluar raportet e dërgimit të sasisë prej 4.4 milionë litrash naftë “Virxhin” drejt rafinerisë së Ballshit. Në dëshmitë kjo e fundit ka mohuar njohjen me biznesmenin Xhillari, por nga zbardhja e tabulateve telefonike rezultojnë se ato jo vetëm që njiheshin, por kanë komunikuar vazhdimisht.

 

Ish-zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Lula Njebza, urdhëronte vartësit me telefon për të kryer veprime në favor të kompanisë “Tea Construction & Petrol” me administrator të shpallurin në kërkim Adrian Xhillari. Prokuroria e Fierit, ka arritur të zbardhë tabulatet telefonike mes biznesmenit Adrian Xhillari dhe zëvendësdrejtoreshës së doganave, Lula Njebza. Sipas akuzës, gjatë marrjes në pyetje kjo e fundit ka mohuar njohjen me biznesmenin Xhillari, por nga zbardhja e tabulateve telefonike rezultojnë se ato jo vetëm që njiheshin, por kanë komunikuar vazhdimisht. Sidomos gjatë periudhës kur edhe mendohet se kompania “Tea Construction & Petrol” ka boshatisur depozitat me rreth 4.4 milionë litër mbetje nafte të njohur me emrin “Virxhin”.

 

Dosja

Në dosjen e prokurorisë, thuhet se kompania e Xhillarit ka blerë nga rafineria e Fierit naftë “Virxhin” për eksport të cilën fillimisht e ka depozituar në depozitat e marra me qira në Mëzez të Tiranës. Më pas, gjatë periudhës 15 deri 21 gusht të 2014 me leje të zëvendësdrejtoreshës Njobza ka përpiluar raportet e dërgimit të sasisë prej 4.4 milionë litër naftë “Virxhin” drejt rafinerisë së Ballshit. Po me 21 gusht doganieri tashmë i arrestuar, ka përpiluar një procesverbal fiktive duke shënuar se ka dyllosur depozitat me naftë “Virxhin” të një sasie prej 4.4 milionë litër. Ndërkohë, në qershor të 2015 është ushtruar kontroll në këto depozita nga inspektorët doganor, ku ka rezultuar se të gjitha depozitat ku mendohet se mbaheshin 4.4 milionë litër naftë “Virxhin” janë bosh. Kjo ka bërë që prokuroria të dyshoj se ata janë shpërndarë dhe shitur nëpër pika karburanti në gjithë Shqipërinë nga kompania e Xhillarit. Duke iu shmangur kështu detyrimeve tatimore me vlerë rreth 250 milionë lekë të reja.

 

Urdhri

Prokurorët thonë se është provuar që zëvendësdrejtoresha ka urdhëruar vartësit të përpilojnë letra të lëvizjes së naftës “Virxhin” pa respektuar procedurat ligjore dhe doganore. Ku nuk është paguar garancia bankare për lëvizjen e tyre, nuk ka njoftuar antikontrabandën për të kontrolluar dhe verifikuar lëvizjet e boteve me naftë “virxhin”, ka urdhëruar me shkresë vartësin, drejtorin e doganës Tiranë të lejoj kompaninë të bëj transportin e naftës “Virxhin” pa respektuar detyrimet doganore e shumë shkelje të tjera. Sipas prokurorisë, krahas hetimit penal për të arrestuarit dhe të shpallurit në kërkim të kësaj dosje ka nisur edhe hetimi pasuror. Hetuesit thonë se është kërkuar nga QKR-ja, Hipotekat dhe bankat e nivelit të dytë për të evidentuar të gjithë kompanitë, pronat, pasurit dhe llogarit bankare të biznesmenit të shpallur në kërkim Adrian Xhillari. Në momentin e konstatimit të këtyre pronave, burimet thanë se do të vendoset sekuestrimi i tyre pasi dëmi që i është shkaktuar shtetit kap një shifër rreth 250 milionë lekë të reja. Për llogari të kësaj dosje janë arrestuar 7 zyrtarë të doganave, përfshirë ish-zëvendësdrejtoreshën e Përgjithshme të Doganave, ish-Drejtorin e Doganës së Tiranës, ish-shefin e Akcizës në Dogana si dhe doganierë që kanë përpiluar dokumente të rreme.

 

Kush është biznesmeni Ardian Xhillari

 

Kush është biznesmeni që kërkohet për kontrabandimin e 4.4 mln litrave naftë “Virxhin”

“TEA Construction and Petrol” është përfshirë së fundi në një skandal të kontrabandës së naftës. Administratori i saj, Adrian Xhillari është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi është jashtë vendit. Kompania akuzohet se ka shitur 4.4 milionë litra naftë të papërpunuar “Virxhin”, duke shmangur akcizën. Kjo sasi është marrë nga depot e saj për t’u dërguar për përpunim, por nuk figuron e regjistruar për t’u përpunuar. Prokuroria thotë se ajo është shitur në pika të ndryshme karburanti që kompania ka në mbarë vendin. Në faqen e internetit të “TEA Construction and Petrol” thuhet se kjo është një ndër kompanitë më të mëdha të naftës në vend dhe e vetmja që ka licencë për përpunimin e naftës bruto në Shqipëri. Thuhet gjithashtu se është aktive në sektorin e mjedisit, duke mbështetur shumë aktivitete private e publike për të mbajtur pastër mjedisin. Për administratorin e saj, Adrian Xhillarin, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, sqarohet se pasi përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës ai emigroi në Greqi ku punoi në industrinë e naftës deri në vitin 2000, kohë në të cilën ai nisi punën me kompaninë e tij private në fushën e ndërtimit. “TEA Construction & Petrol” është kompani që zotërohet prej tij. Ai është presidenti dhe pronari i vetëm. Në të njëjtën kohë ai është president i kompanisë “TEA Oil Group”.

 

Kompania që kontrabandoi 4.4 mln litra naftë

 

Aktiviteti i kësaj kompanie është shtrirë edhe në vende të tjera të Ballkanit, si Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, po ashtu edhe në Qipro dhe ka për qëllim të shtrihet në vende të tjera të Evropës Lindore. Në përshkrimin që i bëhet kompanisë në anglisht thuhet gjithashtu se ajo ka nënshkruar kontrata me gjigantë të tregtisë së naftës, duke i rritur fitimet në miliona euro. “Gjatë viteve, z. Xhillari ka provuar se është një biznesmen i suksesshëm dhe partner i besueshëm. Nën drejtimin e tij, kompania është vlerësuar mes më të mirave në rajon, për sa i përket mënyrës se si drejtohet një biznes”, – sqarohet në përshkrim. Prokuroria e Fierit e shpalli në kërkim Xhillarin pas disa muaj hetimesh ndërsa nxori urdhër arreste për 7 zyrtarë të doganave, përfshirë edhe ish-zv.drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave. Vendimi i gjykatës për punonjësit e doganës është ekzekutuar mbrëmjen e së shtunës nga ana e forcave të Policisë së Shtetit. Administratori Xhillari është shpallur në kërkim ndërkombëtar pak muaj më parë, pasi rezulton se është jashtë Shqipërisë.

 

Ja personat e arrestuar

 

Për këtë arsye, Gjykata e Fierit, pas kërkesës së Prokurorisë së këtij qytetit, ka caktuar masat e sigurisë “arrest në burg” për shtetasit, si më poshtë:

Lula Njebza, ish-zv.drejtoreshë e Përgjithshme të Doganave

Mirarbër Teneqexhiu, ish- Kryetar i Doganës Tiranë

Alfred Bushi, ish- shefi i Akcizës

Adrian Alikaj, doganier akcize

Syrja Misiraj, doganier akcize.

Po ashtu, është vendosur masë e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetaset:

Ortenca Zorba, doganiere akcize

Elona Jareci, doganiere akcize.

Ndërkohë që, në muajin maj 2015, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të “Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë”, për shtetasin:

Adrian Xhillari, administrator i kompanisë “Tea Construction & Petrol”. Ky shtetas është shpallur aktualisht në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton se është larguar nga Shqipëria para se të vendosej masa e sigurisë nga gjykata.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency