Rekuiem për Adile Zavalani – Ypin

0
174

mmMeri Lalaj

 

 

 

Dikur, në Shqipërinë tonë, ka jetuar një grua e bukur e lindur për të qenë një zonjë e vërtetë, por rrokullisja e fatit e deshi që ajo ta kalonte jetën nëpër internime. Emri i saj i lindjes është Adile Zavalani, e bija e Fehim Zavalanit, aq i njohur nga ne shqiptarët si njëri prej atdhedashësve që u përpoqën aq shumë për ta shkëputur Shqipërinë nga vargonjtë e Perandorisë Turke, për të bërë njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Ai ka dhënë një ndihmesë të paçmuar në mbajtjen e Kongresit të Manastirit në vitin 1908. Vepra e atij Kongresi nuk pati thjesht rëndësi gjuhësore, por ishte një vepër e mirëfilltë politike në bashkimin e të gjithë shqiptarëve, sidomos e atyre burrave që u përpoqën për të bërë Shqipëri. Adileja u lind në Manastir në vitin 1895, bash po në atë shtëpi ku disa vite më vonë do të mblidheshin patriotët shqiptarë për vendosjen e alfabetit të shqipes. Edhe nëna e saj, Qerimeja, vinte nga familja e shquar e Frashërllinjve. Ajo ishte e motra e patriotit Shefqet Frashëri. Nëna e saj vdiq në moshë të re, kështu Adilesë i ra barra e rëndë për t’u kujdesur për familjen, veçanërisht për të vëllain Tajarin, që mbeti kërthi dhe ajo i dha dashurinë e një nëne. Adileja u martua me Jaup Ypin dhe jetuan së toku në disa vise të Shqipërisë si në Starje të Ersekës, në shtëpinë e tyre në qendër të qytetit të Korçës dhe në Tiranë. Koha e luftës i gjeti në shtëpinë e Thoma Orollogait. Më vonë pas lufte ndryshuan shumë gjëra. Familjes së tyre ua konfiskuan krejt pasurinë në vitin 1947, për shkakun se dhëndrin e saj, burrin e bijës së saj të vetme, Vera Ypi (Alizoti) pra, Riza Alizotin e dënoi me vdekje dhe e vari në litar pushteti i komunistëve. Këtu filloi njëherë e përngaherë jeta e tyre e mynxyrosur. Ata vijuan që të jetojnë nga një bodrum në tjetrin në rrugën e Kavajës. Siç më ka treguar mikesha ime, mjekja e shquar Adelina Mazreku, gjyshja e saj Helidhona Falli ishte shoqe e rinisë dhe e të gjitha viteve të jetës për Adilenë. Në këtë mënyrë mëmë e bijë (Adileja dhe Vera) mundën që në mirëbesimin e kësaj zonje të fshihnin disa sende të tyret në bodrumin e shtëpisë të saj dhe kur u duheshin për t’i shitur që të mbijetonin, vinin aty mbrëmave nga dera e pasme për të mos i parë njeri, sepse në katin e sipërm të asaj shtëpie banonte me qira një ushtarak e kuptohet se frika asokohe ishte shumë e madhe. Një periudhë kohe ata jetuan në Durrës ku aty në vitin 1949, ndahet nga jeta bashkëshorti i Adilesë, Jaup Ypi. Paskëtaj tok me të bijën dhe të birin e pamartuar, Seferin si edhe nipin e vogël, enden internimeve të njëpasnjëshme, së pari në kampin e Tepelenës në vitin 1952, më vonë në Xhafzotaj e me radhë nëpër vende të tjera internimi: Shijak, Sallmone, Katër Rrugët, Pat Milot, në Kryevidh të Kavajës dhe atje mbeten përgjithnjë. Janë të detyruar si familje që të paraqiten në apelet e operativit në mëngjes e në mbrëmje e të bëjnë punëra nga më të rëndomtat në bujqësi, duke prashitur e ujitur tokën apo duke korrur misër. Një jetë e tërë e kaluar duke u rropatur nëpër fshatra, në të cilët gjatë dimrit balta shkonte deri në gju, ndërsa gjatë verës zhyteshe në pluhurin e verdhë të arave. Nëpër gjithë këto vite të gjata të kësaj jete kaq të mundimshme Adileja ngahera mbartte me vete një makinë qepëse “Singer”, e cila punonte duke i rrotulluar dorezën me dorë e kështu duke qepur ndonjë rrobe për të tjerët, përpiqej vetëm për bukën e gojës për vete e për fëmijët e saj. Adileja e piu një kupë plot me helm, kur në shkurt të vitit 1971 e bija, Vera, iku nga jeta për shkak të kancerit. Ajo i shtyu edhe tre vjet jetë skëterre dhe më së fundi, po e internuar, ndërroi jetë më 8 maj të vitit 1974. Ende varri i saj ndodhet atje lart në kodrat e Kryevidhit. Adileja nuk ishte vetëm e bija e Fehim Zavalanit, por siç e shkrova më lart, edhe e motra e Tajar Zavalanit, shkrimtarit, gazetarit, përkthyesit, historianit e politikanit të shquar, i cili nën ndikimin e babait të tij, Fehim Zavalanit, përktheu e shkroi dhjetëra libra në gjuhën shqipe. I pajisur me kulturë franceze, ai qysh herët u përball me problemet e Shqipërisë, u zgjodh sekretar i Komisionit Shqiptar për Çështjen e Kufijve në vitin 1922. Ai ishte ndër të parët që ra në kontakt me idetë komuniste të kohës duke ushqyer ëndrrën se komunizmi do të ishte rruga e shpëtimit të popullit shqiptar të shumëvuajtur. Vajtja në Rusi në vitin 1925, e zhgënjeu plotësisht dhe po kështu ishte ndër të parët që e kuptoi se çfarë qe komunizmi i vërtetë, prandaj më vonë emigroi në Francë dhe më së fundi vendoset në Angli. Atje në nëntor të vitit 1940-të filloi punën, duke dhënë transmetimet e para në gjuhën shqipe dhe ku punoi gjatë gjithë jetës së tij në Radion e famshme Bi Bi Si (BBC) me detyrën përkthyes dhe folës në Seksionin Shqiptar të Shërbimit për Evropën. Tajari u nda nga jeta më 19 gusht 1966. Tajar Zavalani as që mund ta përfytyronte se në çfarë mjerimi jetonin motra e tij, mbesa dhe nipi, por mundohej të ndihmonte njerëzit e familjes, duke u dërguar herë pas here ndonjë pako, të cilat varej nga situata në ua dorëzonin apo nuk ua dorëzonin njerëzve të tij të dashur. Vëllai tjetër i Adilesë, Dalip Zavalani ishte studiues i agrokimisë, i cili ka mbrojtur disertacionin në këtë fushë mbi problemet e bujqësisë në Shqipëri dhe në Ballkan. Libri i tij në gjuhën gjermane është botuar në Berlin në vitin 1939. Kopje origjinale e këtij libri ndodhet në Bibliotekën Kombëtare Tiranë.

           

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency