Prezantohet libri i Presidentit kinez Xi Jinping/“Urtësia shekullore dhe qeverisja, citimet e veprave klasike kineze”

0
242

faqe 12

 

Në Tiranë u organizua mbrëmjen e së mërkurës ceremonia e prezantimit të librit të Presidentit kinez Xi Jinping në gjuhën shqipe, “Urtësia shekullore dhe qeverisja, citimet e veprave klasike kineze nga Presidenti Xi Jinping”. Kjo është hera e parë në botë që ky libër botohet në një gjuhë të huaj. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ambasadorja e R. P. Kinës Jiang Yu, përfaqësues të Redaksisë së Gjuhës Shqipe të Radios së Jashtme të Kinës si: stafi i përkthimit të kësaj vepre nga gjuha kineze në gjuhen shqipe, Ilijaz Spahiu, drejtori i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë, drejtori i shtëpisë botuese “Onufri”, Bujar Hudhri dhe mbi 100 të ftuar nga fusha e artit, kulturës etj. Ministrja Kumbaro në fjalën e saj vuri theksin mbi rëndësinë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Kinës dhe vlerat që sjell përkthimi i këtij libri në gjuhën shqipe. Në fjalën e saj ambasadorja Jiang Yu shprehu falënderimet më të sinqerta për bashkëpunimin e suksesshëm midis palës kineze dhe palës shqiptare. Ajo vuri në dukje se pa përpjekjet e bëra nga secila palë, ky libër mbi urtësinë shekullore të Kinës, nuk do të mund të vinte në duart e lexuesve shqiptarë. Ambasadorja prezantoi përmbajtjen e librit duke shpjeguar se sistemi tërësor i mendimeve dhe kulturës kineze është formuar dhe përmirësuar gjatë zhvillimit mijëvjeçar të Kinës dhe është pasqyruar në një numër marramendës të veprave klasike. Ambasadorja gjithashtu përmendi që ne muajin prill të këtij viti, Kina dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshjen e përkthimit të veprave klasike të të dy vendeve. Sipas kësaj marrëveshjeje, brenda 5 viteve të ardhshme do të përkthehen gjithsej 50 vepra të njohura. Kryetari i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë, Iljaz Spahiu tha që të gjithë palët e angazhuara në punën e përkthimit, të botimit dhe të prezantimit të këtij libri janë promotorët e përhapjes së kulturës, historisë e mendimit filozofik të Kinës, si dhe te mbajtjes gjallë të frymës së miqësisë tradicionale mes dy vendeve tona. Ndërsa drejtori i shtëpisë botuese “Onufri”, Bujar Hudhri, në fjalën e tij vuri theksin për rëndësinë e shkëmbimeve kulturore midis dy vendeve. Ai tha që midis Kinës dhe Shqipërisë nuk mungojnë shkëmbimet ekonomiko-tregtare, por kishte boshllëqe në shkëmbimet kulturore, veçanërisht në atë të fushës së botimit të veprave letrare.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency