Standard.al

Dita Botërore e PAK/Personat me aftësi të kufizuara, peticion Bashkisë për më shumë shërbime të specializuara

 

 

12342756_10205092660065497_2441834469803050351_n-150x200Institucioni i Avokatit të Popullit konstaton se kjo shtresë e popullsisë vazhdon të hasë problematika të mëdha

 

Në kuadër të Ditës Botërore të Personave më Aftësi të Kufizuara, shoqata ku trajtohen personat me aftësi të kufizuara si dhe komuniteti i prindërve i kërkojnë Bashkisë së Tiranës ngritjen e shërbimeve të specializuara. Përmes një peticioni ata rendisin kërkesat sa u përket vështirësive me të cilat ndeshet kjo kategori. Personat më aftësi të kufizuara kërkojnë nga Bashkia e Tiranës ngritjen e shërbimeve të specializuara, sidomos për individët mbi 25 vjeç që nuk përfshihen në asnjë skemë shërbimi. Drejtuesit e shoqatave që trajtojnë fëmijë me aftësi të veçanta i dorëzuan Bashkisë së Tiranës një peticion. Afërdita Seiti, drejtore e shoqatës “Ndihmoni jetën”, u shpreh

se ka shumë vështirësi, veçanërisht në shërbimet për këtë kategori. Më tej, ajo shtoi: “Ne duam të ndërgjegjësojmë Bashkinë e Tiranës që është institucioni që ka përgjegjësinë shërbimit, që në të ardhmen të realizojë te gjitha llojet e shërbimeve”. Shqetësimet e tyre ia përcollën edhe nënkryetares së Bashkisë, Brunilda Paskali. “Absolutisht keni shumë të drejtë, ky është një proces që duhet të vazhdojë dhe duhet të jetë çdo ditë. Prindërit që kanë fëmijë me aftësi të kufizuar jetojnë çdo ditë me këta fëmijë, apo këto probleme”, – theksoi Paskali.

 

AP: Shqetësim për problematikat e personave me aftësi të kufizuara

Data 3 dhjetor shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, ndërsa Avokati i Popullit konstaton me shqetësim që kjo shtresë e popullsisë vazhdon të hasë problematika të mëdha. “Mbetet shqetësues fakti se nuk zbatohen dispozitat ligjore për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Mungon ndërhyrja e shtetit nëpërmjet qendrave publike të formimit profesional për përshtatjen e personave me aftësi të kufizuar në tregun e punës, apo mbështetja me fonde nga buxheti i shtetit i programeve për përshtatjen e vendeve të punës”, – theksohet në njoftimin zyrtar. Sakaq, sipas Avokatit te Popullit, Igli Totozani, raporti i posaçëm i veprimtarisë së Avokatit të Popullit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, është dërguar në Kuvendin e Shqipërisë në prill të vitit 2013, por ende nuk është marrë në shqyrtim. “Problem shqetësues mbetet aksesi i personave me aftësi të kufizuar në drejtësi, strukturat qeveritare në nivel qendror dhe lokal, i identifikuar si një prej 12 rekomandimeve prioritare të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Avokati i Popullit, për të garantuar aksesin në drejtësi të personave me aftësi të kufizuar, i është drejtuar me rekomandim ministrit të Drejtësisë”, – ka sqaruar Avokati i Popullit. Më tej, ai sqaron se mungojnë statistikat për personat me sëmundje të rënda mendore, të cilët nuk përfitojnë shërbime sociale dhe shëndetësore si kategoritë e tjera të personave me aftësi të kufizuara.

 

 

 

Comments are closed.