Standard.al

Cili është ndikimi i tiroideve në organizëm

 

 

tiii]Nëse njeriu lind pa gjëndrën e tiroides, është 100 për qind e sigurt që do të ketë prapambetje të rëndë mendore ose, siç quhet ndryshe, “kretinizëm”

 

Mungesa ose tepria e jodit në organizëm mund të bëhet shkak për shfaqjen e komplikacioneve të shumta shëndetësore. Referuar vizitave të kryera, mjekët bëjnë me dije se sëmundjet që prekin pikërisht gjëndrën e tiroides janë të shumta edhe në vendin tonë. Gjëndra e tiroides ndodhet e vendosur në pjesën e përparme të qafës, forma e secilës ngjason me krahët e një fluture. Kjo gjëndër është përgjegjëse për prodhimin e hormoneve të tiroides, të cilat kanë ndikim të rëndësishëm në të gjithë indet e trupit duke ndihmuar rritjen e aktivitetit qelizor. Metabolizmi i mirë i trupit i referohet funksionimit normal të tiroides. Në një intervistë për gazetën “Dita” mjeku endokrinolog pranë Poliklinikës Qendrore të Specialiteteve, Dashamir Gjergji, tregon komplikacionet më të sheshta që prekin gjëndrën e tiroides, si dhe këshillat për kujdesin dhe ekzaminimet që duhen ndjekur për t’i trajtuar ato në kohë.

 

Çfarë janë gjëndrat tiroide dhe ç’ndikim kanë në organizëm?

Gjëndra tiroide është gjëndra më e madhe e sistemit endokrin pavarësisht që ajo peshon 15-20 gr tek një individ i rritur, rëndësia e kësaj gjëndre është e jashtëzakonshme. Gjëndra tiroide është përgjegjëse për zhvillimin mendor dhe fizik si gjatë periudhës embrionale, ashtu dhe në etapa të tjera të jetës. Nëse njeriu lind pa gjëndrën e tiroides është 100 për qind e sigurt që do të ketë prapambetje të rëndë mendore ose siç quhet ndryshe “kretinizëm”. Po ashtu ecuria e zhvillimit fizik thuajse nuk vazhdon në kushte normale dhe jo rrallëherë është e papajtueshme me jetën. Gjëndra tiroide është si një minifabrikë e cila përpunon jod, ku jodi merret kryesisht nëpërmjet ushqimeve, ujit etj, dhe pasi futet në organizëm thithet nga gjëndra tiroide, e cila e përpunon jodin dhe më vonë prodhon hormone me bazë Jodi. Për analogji mund të jetë si një fabrike vaji ulliri që përpunon ullinjtë dhe nxjerr vaj ulliri. Dy janë hormonet kryesore me bazë jodi që prodhon tiroidja të cilat njihen si T4 dhe T3. Për të kryer procesin e përpunimit të jodit dhe prodhimin e këtyre hormoneve është e domosdoshme që gjëndra tiroide të stimulohet nga një gjëndër tjetër që quhet hipofize, e cila prodhon hormonin stimulues të tiroides TSH. Dozat e këtyre hormoneve janë me peshë shumë të vogël molekulare, por siç e thashë ato kanë peshë shumë të madhe në organizëm.

Kush njihen si shkaktarët që ndikojnë në keqfunksionimin e gjëndrave tiroide?

Shkaktarët që mund të ndikojnë në shfaqjen e problemeve sa i takon funksionimit të normal të kësaj gjëndre janë nga më të ndryshmit. Siç u theksua edhe më lart, keqfunksionimi i këtyre gjëndrave mund të vijë si rrjedhojë e mungesës së jodit në ushqim, lodhjes fizike, stresit psikologjik. Ndërkohë që shkaqet të tjera mund të jenë edhe defektet gjenetike, infeksionet, efektet anësore të barnave që mund të përdoren për kurimin e sëmundjeve të tjera. Zmadhimi i tiroidit mund të jetë simptomë e ndonjë sëmundjeje. Zmadhimi mund të jetë i përgjithshëm ose në formë nyjash. Zakonisht tiroidi i sëmurë prodhon hormone me tepri ose me pakicë. Prodhimi me tepri quhet hipertireozë, ndërsa prodhimi me pakicë, hypotireozë. Në varësi të këtyre formave, si dhe veçorive individuale të pacientit veprohet me trajtimin që duhet të ndjekë pacienti. Pak më lart përmendëm dy format më të shpeshta që prekin gjëndrën tiroide. Duke u ndalur konkretisht tek një tiroid i sëmurë që prodhon jod me pakicë, cilat janë simptomat që mund ta orientojnë një pacient që të kërkojë ndihmën mjekësore? Të gjitha sëmundjet që prekin gjëndrën tiroide herët apo vonë ndikojnë në funksionin e saj dhe kur çrregullohet ky funksion, kemi të bëjmë me ndryshime funksioni të tipit të uljes së funksionit apo të rritjes së funksionit, për lehtësi të lexuesit do ta konsideroja pakicë e jodit dhe tepricë e jodit. Kur kemi pakicë të jodit, të sëmurët në përgjithësi janë dembelë, të lodhur, të përgjumur, apatikë, qajnë shpejt, gjatë gjithë kohës janë të mërzitur, si të deprimuar, nga ana tjetër kanë shtim të peshës, rrahje të ngadalta të zemrës, lëkurë dhe flokë të thatë, kapsllëk, çrregullime të kockave etj.

Po në rastet kur tiroidi prodhon më tepër ç’ndodh ?

Krejt ndryshe ndodh tek të sëmurët që kanë tepricë të jodit, këta paraqiten tepër aktiv, ecin shpejt, mendojnë shpejt, flasin shpejt, janë gjatë gjithë kohës të nxituar, karakteristikë për këta të sëmurë është intoleranca ndaj të nxehtit, do të thotë që këta të sëmurë janë të veshur gjatë gjithë kohës hollë, kanë rrahje të shpejta të zemrës, djersë të shumta, bien në peshë dhe çrregullime të tjera specifike.

Sa të përhapura janë këto sëmundje në vendin tonë dhe ku i gjejmë më shpesh?

Si teprica e jodit ashtu dhe pakica e jodit janë shumë të shpeshta si sëmundje në popullatën tonë, kjo e ka shpjegimin të lidhur më shumë me deficitin e jodit në zona të caktuara, si dhe faktorët gjenetikë dhe familjare. Duhet të rikujtoj që Shqipëria mbetet një zonë me deficite të jodit natyral, sidomos në zonat malore, banorët e të cilëve vuajnë shpesh nga këto sëmundje. Ndaj bëni kujdes me tiroidet, kontrollojini në kohë përdorni jod natyral me ushqime dhe suplemente sipas porosisë së mjekut. Për këtë duhet të keni parasysh kushtin që kontrollohuni rregullisht, në mënyrë që nesër të mos keni pasoja nga kjo gjëndër e vogël me mision dhe funksione të mëdha për trupin tonë.

 

Comments are closed.