Standard.al

Klosi dhe ambasadori Lu, ndeshje basketbolli me të rinjtë e PAK

 

 

luNë kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Veçanta, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë organizoi aktivitetin sportiv “Gara për Jetën”, ku persona me aftësi të veçanta, me karroca me rrota zhvilluan një ndeshje basketbolli.

Pjesë e ekipeve respektive të basketbollit u bënë edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, si dhe ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Donald Lu, të cilët po ashtu të hipur në karroca me rrota kanë luajtur një pjesë të lojës.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte pikërisht sensibilizimi i të gjitha institucioneve dhe aktorëve me të drejtat e PAK, duke përcjellë njëkohësisht mesazhin se, pavarësisht aftësive që zotëron, çdokush duhet të ndihet i barabartë në shoqëri.

Gjatë këtij aktiviteti, ministri Klosi dhe ambasadori Lu zhvilluan një bashkëbisedim me përfaqësues të PAK, ku u njohën më nga afër lidhur me problematikën që shoqëron këtë shtresë të shoqërisë.

Në fjalën e tij, ministri Klosi vlerësoi se situata me të cilën përballen sot personat me aftësi të kufizuara, që të marrë një zgjidhje përfundimtare kërkon disa ndërhyrje rrënjësore që shkojnë përtej trajtimit financiar.

“Ne duhet të zgjidhnim problematikën shumë të vjetër në vendin tonë, ku raportit i shtetit me personat me aftësi të kufizuara kalonte vetëm nga pagesa kesh, pra paratë që shteti iu jepte personave me aftësi të kufizuara. Mendoj se ky ka qenë një gabim i madh, sepse sado që të jenë ato para, sado që të jetë ajo vlerë, prapë është e pamundur që vetëm nëpërmjet saj të zgjidhen problematikat tuaja”, tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Prandaj, ai ka bërë të ditur se MMSR është duke punuar për të realizuar një sërë ndërhyrjesh në këtë drejtim, si ato që lindin nga zbatimi i detyrimeve ligjore, ashtu edhe për të rishikuar skemën e trajtimit dhe të shërbimeve. “Kemi filluar procedurat e prokurimit dhe ka filluar puna e ngritjes së databazës që ndihmon të gjitha grupet dhe shtresat në nevojë, njerëzit me aftësi të kufizuara, që pagesa dhe shërbimet e aftësisë së kufizuar t’i shkojnë atij që i takon dhe të mos kemi abuzim në skemë. Po ashtu, të kemi dhe një histori të gjithsecilit dhe kushdo që abuzon në skemë të lërë gjurmë”, tha Klosi.

Gjithashtu, ministri bëri të ditur se është duke u punuar për të realizuar edhe një reformë tërësore që ka të bëjë me personat me aftësi të kufizuara, e cila do të shmangë rastet abuzive dhe do rrisë transparencën dhe nivelin e shërbimeve ndaj kësaj shtrese.

“Reforma që ne po ndërmarrim për personat me aftësi të kufizuara, ndryshon komplet mënyrën sesi trajtohen kërkesat dhe çdo rast, ashtu edhe sesi kjo pagesë vërtetohet dhe përfitohet. Ajo që ndodh sot në realitetin shqiptar është një sistem me shumë hallka dhe me shumë problematika, ku ju duhet të shkoni në shumë vende të ndryshme për të marrë vërtetimin e paaftësisë dhe kjo ka sjellë një agravim të situatës dhe po ashtu një skemë që krijon hapësira për korrupsion. Prandaj, ne së bashku me Bankën Botërore do të fillojmë realizimin e këtij projekti që do fillojë me disa projekte pilot”, u shpreh Klosi, ndërsa theksoi se një aspekt i rëndësishëm i trajtimit të kësaj kategorie është edhe riaftësimin nëpërmjet punës.

Nga ana e tij, ambasadori amerikan, Donald Lu solli në vëmendje se të gjithë, pavarësisht aftësive që zotërojnë duhet të ndihen të barabartë, pasi me besim dhe optimizëm çdo gjë mund të arrihet.

“Ishte një vajzë që do ta kujtoj gjithmonë, ajo kishte tumor në tru dhe duhet të vinte një helmetë të veçantë për ta mbrojtur, pasi kishte kriza të vazhdueshme dhe binte papritur në tokë. Nuk e di nëse ishte e vërtetë, por fëmijët e tjerë më kishin thënë se ajo nuk do të jetonte aq gjatë sa të rritej. Por çfarë do të prisje nga dikush që e jetonte jetën e saj me një aftësi të tillë të kufizuar? Unë do të kisha pritur që të ishte një person i depresionuar, me një mungesë entuziazmi dhe i papërfshirë me shokët e klasës. Por ajo ishte saktësisht e kundërta e kësaj. Ajo ishte plot jetë, ajo merrte pjesë me gëzim në të gjitha aktivitetet, nuk kishte asgjë që nuk besonte se mund të bënte, ajo buzëqeshte gjatë gjithë kohës dhe më dha një mësim që e kam mbartur me vete gjatë gjithë jetës. Ajo më mësoi se me qëndrueshmëri, me optimizëm dhe me pak ndihmë nga miqtë tanë, nuk ka asgjë që nuk mund ta arrijmë dot. Jeta është ajo që t’i bën me të”, tha ambasadori Lu./

 

Comments are closed.