Standard.al

Ditët e kulturës shqiptare në Zvicër dhe Belgjikë

sh

 

 

“Ditët e kulturës shqiptare në diasporë”, përkatësisht në Belgjikë dhe Zvicër, ishte aktiviteti më i fundit i organizuar nga ministria kosovare e Diasporës, në bashkëpunim me Ministritë e Kulturës së Kosovës dhe të Shqipërisë, misionet diplomatike të të dyja vendeve në shtetet përkatëse, si dhe Qendrën Kulturore të Kosovës dhe bibliotekën “Pestalozi”, në Zvicër.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara në mars të këtij viti në Tiranë, mes dy qeverive shqiptare, thekson njoftimi i dërguar i Ministrisë së Diasporës.

Pas anulimit të koncertit të Elina Dunit, i parashikuar si hapje e ngjarjeve kulturore, si pasojë e situatës së krijuar pas sulmeve terroriste në Francë, aktivitetet në kuadër të “Ditëve të kulturës shqiptare” vazhduan me shfaqjen “Sikur kjo të ishte shfaqje”.

Përveçse në Bruksel, aktivitetet kulturore vazhduan edhe në Zvicër, me koncertin e mezosopranos Sanije Matoshi dhe pianistes Elizabeta Musliu.

Ndërkohë, përveç koncerteve, në bibliotekën “Pestalozi” të Zvicrës u dha shfaqja “Gishti”, e autores Doruntina Basha, me aktoret e Teatrit Kombëtar Teuta Krasniqi e Irena Cahani.

Po ashtu, në të dyja vendet u shfaqën edhe filma të metrazhit të shkurtër të regjisorëve të rinj shqiptarë.

Vlen të përmendet se në të gjitha aktivitetet e organizuara pati një pjesëmarrje të madhe të publikut shqiptar, por edhe atij të huaj.

Aktiviteti “Ditët e kulturës shqiptare” do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, por me një shtrirje më të gjerë edhe në shtetet e tjera, ku ka përqendrim të diasporës shqiptare.

 

Comments are closed.