Standard.al

Shkolla e Magjistraturës /Provim shteti edhe për juristët që duan të punojnë në administratë shtetërore

provim shteti per juristet

 

Shkolla e Magjistraturës do të vazhdojë të mbetet pika qendrore për trajnimin fillestar dhe vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Reforma në Drejtësi nuk do të ndryshojë këtë pozicion të Shkollës së Magjistraturës. Megjithatë, Richard Regner dhe Marjana Semini, ekspertë të nivelit të lartë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë shprehen se Shkolla e Magjistraturës do të pësojë ndryshime që do të diktohen nga Reforma në Drejtësi. Kështu jo vetëm të diplomuarit që synojnë profesionet ligjore të gjyqtarit, prokurorit , avokatit apo noterit do t’u duhet tu nënshtrohen një provimi ligjor. Por provimit do ti nënshtrohen edhe ata që synojnë karrierën profesionale në administratën publike qendrore dhe vendore. Ekspertët e nivelit të lartë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e e Drejtësisë, Aurela Anastasi dhe Richard Regner thonë se provimi është i detyrueshëm për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet arsimi juridik, ku janë identifikuar fakultete që nuk përmbushin kritere thelbësore të domosdoshme. Parashikimi i provimit të shtetit për juristët, ishte një nga masat më të rëndësishme që grupi i ekspertëve të nivelit të lartë propozoi për përmirësimin e situatës. Provimi do te jete i detyrueshëm për ata të diplomuar që synojnë profesionet ligjore të gjyqtarit, prokurorit, avokatit, noterit, avokatit të shtetit, përmbaruesit gjyqësor shtetëror ose privat, si dhe karrierën profesionale në administratën publike qendrore dhe vendore. Provimi i shtetit në drejtësi do të ndihmojë studentët e drejtësisë për të certifikuar njohuritë dhe meritat e tyre. Në këtë mënyrë, vlera e diplomave shqiptare do të rritet dhe do t’i hapet rrugë njohjes së ndërsjellë të tyre me vendet e tjera evropiane. Gjithashtu, ky provim do të sjellë garanci për përvetësimin e qëndrueshëm të njohurive, pavarësisht nga Fakulteti në të cilin studentët kanë përfunduar studimet. Në këtë mënyrë do të shmangen edhe paragjykimet që mund të ekzistojnë për shkak të reputacionit ndaj fakulteteve të ndryshme të së drejtës. Parashikimi i një provimi shteti për juristët përshtatet edhe me sistemin ligjor ekzistues në Shqipëri. Në bazë të Ligjit Nr. 10171 (2009) “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, një numër i profesioneve të rregulluara (mjekë, stomatologë, farmacistë, infermierë, mami, fizioterapistë, veterinerë, arkitektë, inxhinierë, mësuesi, punonjës socialë dhe psikologë) duhet të kalojnë një provim shtetëror për të hyrë në tregun përkatës të punës.

 

Comments are closed.