Ndahet nga jeta Ali Kazazi, një nga qeveritarët më të shquar të Shkodrës në vitet e demokracisë

0
147

al

Në orët e para të ditës së djeshme është ndarë nga jeta Ali Kazazi, një nga qeveritarët më të shquar të Shkodrës në vitet e demokracisë. Ali Kazazi ishte një përfaqësues dhe trashëgimtar i denjë i familjes patriotike të Kazazëve të Shkodrës e cila ka dhënë një kontribut të  spikatur në lëvizjet për pavarsinë kombëtare, mbrojtjen e Shkodrës si dhe në përpjekjet për të ruajtur demokracinë në Shqipëri, për shkak të të cilave ajo pësoi një përsekutim të gjatë.

Në këtë rrugë eci edhe Ali Kazazi. Ai u angazhua që në fillimet e demokracisë, në fillim të viteve 90′ duke dhënë një kontribut të cmuar në reformat e decentralizimit të qeverisjes dhe demokratizimin e vendit.

Ali Kazazi ka lindur në Shkodër me 7 shkurt 1943 ku kreu arsimin parauniversitar. Në vitin 1972 u diplomua në Universitetin e Kamzës, në degën Zooteknikë. Kudo ku punoi në rrethe të ndryshme Thumanë, Vau Dejës, Bushat e Shkodër ai u dallua për aftësi të larta profesionale, dhe dëshirën e madhe për t`u thelluar në dijet shkencore si dhe për të shërbyer me përkushtim

nevojave të banorëve.

Ne vitin 1992 u emërua Drejtues i Seksionit të Bujqësisë së Rrethit Shkodër Në vitin 1992 u zgjodh Kryetar i Këshillit të Rrethit të Shkodrës, detyrë të cilën në ato kushte të vështira e ushtroi me përkushtim, aftësi e ndershmërinë që e karakterizonte. Në vitin 1996, zgjidhet deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ku dha një kontribut me vlerë në sistemin legjislativ. Me 9 mars të vitit 1997 emërohet Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes.

Po në vitin 1997 ai shërbeu për pak kohë si Ministër i Punëve të Brendshme ku përmbushi

me sukses detyra të vështira me të cilat u përballua në atë periudhe. Në vitin 2005 z. Ali Kazazi emrohet Këshilltar për Sigurinë pranë Kuvendit të Shqipërisë nga ku doli në pension. Ali Kazazi ishte një veprimtar i shquar i Partisë Demokratike në kuadrin e së cilës mbuloi detyra të rëndësishme.

Ali Kazazi ishte një atdhetar i mirë, një nëpunës i përkushtuar, një njohës i mirë i shkencës, që ashtu si të parët e tij, nuk u kursye asnjëherë, për t`i shërbyer vendit të tij, edhe në kushte shumë të vështira siç ishte viti 1992, apo viti 1997. Ai nuk u tërhoq asnjëherë nga vështirësitë e jetës, por me guxim e me zgjuarsi, por edhe me trimëri diti ti kapërcente ato duke dhënë shembullin e një qytetari dhe intelektuali me vizion. Z. Ali Kazazi la në pikëllim familjen, të afërmit, miqtë dhe shokët e tij të shumtë në të gjithë Shqipërinë, të cilët do ta kujtojnë gjithmonë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency