Tahiri përpilon listën e gjyqtarëve të korruptuar, PD ka harruar të fusë në listë ata që liruan Frrokun dhe Prengën

0
108

 

tahiriPartia Demokratike ka akuzuar sot qeverinë dhe Ministrin e Brendshëm për publikimin e një liste gjyqtarësh e prokurorësh që kanë liruar të pandehur në mënyrë të padrejtë, por sipas saj në këtë listë mungojnë ata që ‘çudirat’ i bëjnë me leje dhe miratim nga lart.

Deputeti demokrat, Gent Strazimiri tha se këtë listë, ministri ia ka bërë me dije Presidentit të Republikës në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke tërhequr vërejtjen për mosmarrje masash.

“Qeveria, nëpërmjet Ministrit të Brendshëm, ka përpiluar dhe bërë publike një listë gjyqtarësh e prokuroresh që paskan bërë “çudira” në proceset penale duke liruar të pandehur në mënyrë të padrejtë. Edhe sikur në këtë vend, Qeveria apo Ministri i Brendshëm të ishte autoriteti shtetëror që mbikëqyr gjykatat dhe prokurorinë në dhënien e drejtësisë, edhe sikur kjo të mos përbente një skandal kushtetues, ligjor e moral, lista e çështjeve dhe individëve që shqetësojnë qeverinë nuk është aspak ajo që tmerron opinionin publik dhe qytetarët e këtij vendi”, tha ai.

Sipas Strazimirit, në listën në fjalë, nuk përmenden prokurorët, gjyqtarët dhe oficerët e policisë gjyqësore që çmontuan procesin ndaj deputetit të radhës në listën e “rilindjes”, Arben Frroku.

 

“As gjyqtarët e ‘lartë’, prokurorët e oficerët e policisë gjyqësore që ‘bënë mrekullinë’ dhe liruan deputetin tjetër ‘rilindas’ Armando Prenga, ndërkohe që mbajnë në burg viktimat e tij me plumbat ende në trup. Nuk përmenden as prokurorët dhe gjyqtarët që ende nuk kanë marrë në përgjegjësi penale individin AA 003 GB, i cili ka pranuar botërisht të ketë mashtruar për qëllime përfitimi me dashje e qëllim, e që është titullari dhe përdoruesi i mjetit të përfshirë në trafik droge. Nuk përmenden as gjyqtarët dhe as prokurorët që heshtin për të njëjtin individ, i cili rezulton i vetmi përgjegjës për fshehjen në sirtar të mandat arrestit të Interpolit për deputetin tjetër ‘rilindas’ Mark Frroku, e meqë jemi këtu, edhe për mosndalimin e trafikantit të drogës që ndodhej në makinën e tij këtu e 2 vjet më parë. Nuk përmenden as prokurorët e gjyqtarët që nuk procedojnë penalisht dhe lënë të lirë nëpër rrugët e Tiranës, ministrin që ka për detyrë të mos ‘lejojë kriminelë të mirënjohur të bredhin lirshëm e të paprekshëm në Tirane’, siç po e thonë qartazi përfaqësuesit më të rëndësishëm të partnereve euro-atlantike”, deklaroi Strazimiri.

Ai theksoi se për këto arsye, “lista e publikuar sot është një listë inkuizitore, jo me gjyqtare e prokurore të korruptuar, por me gjyqtare e prokurore që nuk i pëlqejnë qeverise, sepse me sa duket kane bërë ‘çudira pa leje’!”

“Disa të tjerë, me të dhëna të njëjta, madje shume, shumë më të renda, nuk përmenden, sepse ‘çudirat’ i bëjnë ‘me leje dhe miratim’. Këta të fundit, me sa duket, në projektin e qeverisë janë programuar të drejtojnë, drejtësinë ‘e reformuar’ me votat e krimineleve që Qeveria ka sjelle ne Kuvend, dhe, për këtë arsye ‘madhore’ i mbron me ‘çudirat’ që prodhon pjesa më e fëlliqur e sistemit të drejtësisë. Ajo e korruptuara edhe politikisht.

Ajo që i bën qokat Qeverise, duke dënuar deputetet e opozitës që denoncojnë kriminalizimin e çdo qelize të shtetit prej qeverise dhe ministrave të kapur në flagrance me krimin. Të nderuar qytetare! Mbajini shënim këto bëma, gjëma dhe emrat përkatës për ditën e shpagimit që po afron! Ditën e ngadhënjimit të shtetit mbi krimin”, përfundoi Strazimiri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency