Këshilli i Ministrave ndryshon formularin për lejet e legalizimit

0
121

big_10022625803_2875b56b3a_b

 

Kriteret, afati, dokumentacioni si dhe rastet kur mund të pezullohet leja e legalizimit

 

Formulari i ri i lejes së legalizimit shoqërohet nga planvendosja (genplani) e nga planimetria dhe aty përcaktohet lloji dhe funksioni i objektit që legalizohet dhe subjekti përfitues i lejes së legalizimit, gjendja ndërtimore, vendndodhja e objektit, pronësia mbi truallin etj

 

 

Këshilli i Ministrave vendos të ndryshojë formularin për lejet e legalizimit, vendimi u mor gjatë mbledhjes së drejtuar nga zv.kryeministri Niko Peleshi, pasi Kryeministri ndodhet në një vizitë në Kinë. Kështu, leja e legalizimit miratohet për ndërtimin informal, që është kualifikuar për legalizim, në përputhje me kriteret, procedurat dhe dokumentacionin e përcaktuat me ligjin e fundit për legalizimit. Drejtoria e varësisë së ALUIZNI-t miraton lejen e legalizimit brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga momenti i kualifikimit të ndërtimit informal (data e vendimit të kualifikimit). Për zbatimin e ligjit, Këshilli i Ministrave ka ngarkuar Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale.

 

Formulari

Në bazë të vendimit të ri të qeverisë, formulari i lejes së legalizimit shoqërohet nga planvendosja (genplani) e nga planimetria dhe aty përcaktohet lloji dhe funksioni i objektit që legalizohet dhe subjekti përfitues i lejes së legalizimit. Gjithashtu sipas vendimit të qeverisë në formularin e ri do të përcaktohet gjendja ndërtimore, vendndodhja e objektit, pronësia mbi truallin etj. Paraqitja skematike dhe mënyra e plotësimit të lejes së legalizimit miratohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t.

 

Kriteret, afati dhe procedurat

Vendimi i Këshillit të Ministrave në bazë të ndryshimeve të fundit sa i takon marrjes së lejes së legalizimit, përcakton se legalizimi miratohet për subjektin përfitues, që është sipas rastit aplikuesi për legalizim, por edhe personi të cilit i janë njohur të drejta mbi ndërtimin pa leje. Kështu përfitimi i lejes së legalizimit do të realizohet përmes veprimeve juridiko-civile, konkretisht kontratë për kalimin e së drejtës për të legalizuar ndërtimin, përmes trashëgimisë, si dhe me anë të deklaratës së aplikuesit për njohjen e të drejtave mbi ndërtimin. Gjithashtu edhe përmes vendimit gjyqësor të formës së prerë. Vendimi përcakton se dokumentacioni i sipër përmendura dorëzohet nga subjektet përpara përfundimit të procedurave administrative të miratimit të lejes së legalizimit. Për shtesat informale, kur ndërtimi kryesor pra ndërtimi me leje është tjetërsuar apo nuk është në pronësi të aplikuesit për legalizim, për miratimin e lejes së legalizimit, procedurat e kualifikimit kryhen në emër të pronarit të ndërtimit kryesorë nëse plotëson këto dy kushte: 1. Subjekti pronar i ndërtimit kryesor dorëzon pranë drejtorisë përkatëse të Aluizni-t, dokumentacionin që provon veprimin juridik të fitimit të pronësisë mbi të ose kalimin e të drejtave mbi shitësin. 2. Nga evidentimi i gjendjes faktike të shtesës pa leje rezulton se ajo është lidhur, në mënyrë të pandarë, me ndërtimin kryesorë dhe posedohet prej pronarit të këtij të fundit. Në të kundërt, kualifikimi vijon në emër të poseduesit të shtesës, aplikues për legalizim. Brenda dhjetë ditëve nga data e miratimit, leja e legalizimit, e shoqëruar nga dokumentacioni teknik, i dorëzohet ose i dërgohet në rrugë postare subjektit përfitues.

Për ndërtimet informale, që i nënshtrohen procedurës së kalimit të së drejtës së pronësisë, leja e legalizimit miratohet përpara kryerjes së këtyre procedurave dhe i dorëzohet subjektit përfitues, së bashku me dokumentacionin shoqërues.

 

Pezullimi i miratimit të lejes së legalizimit

Pezullimi i procedurave administrative dhe i miratimit të lejes së legalizimit bëhet vetëm në rastet si më poshtë:

  1. a) 1-Nëse gjatë legalizimit ka mosmarrëveshje për raportet e pronësisë në objekt ose/dhe rreth përfshirjes së personave të tjerë, të cilët pretendojnë të drejta mbi parcelën ndërtimore, që legalizohet sipas këtij ligji, kjo mosmarrëveshje zgjidhet nga gjykata. 2-Gjatë shqyrtimit të konfliktit gjyqësor procedurat për legalizim të objektit pezullohen dhe rifillojnë sipas kushteve të këtij ligji, pasi vendimi gjyqësor të jetë i formës së prerë, me kushtin që ndërtimi pa leje të jetë vetëdeklaruar sipas afatit të përcaktuar .
  2. b) Në rastet kur, si pasojë e shqyrtimit të një mosmarrëveshjeje në gjykim ndërmjet subjektit dhe pronarit të truallit privat/kufitar, gjykata ka vendosur masë sigurimi, procedurat për legalizimin e shtesës së objektit pezullohen dhe rifillojnë sipas këtij ligji, kur masa e sigurimit humb fuqinë e saj, me kusht që shtesa pa leje të jetë vetëdeklaruar, brenda një periudhë 4- mujore.

Sakaq, lista e subjekteve përfituese të lejeve të legalizimit, shoqëruar me të dhënat e pasurive (adresa, zona kadastrale, numri i pasurisë), afishohet në ambientet e ALUIZNI-t dhe pranë njësisë së qeverisjes vendore, si dhe publikohet në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare dhe në

faqen zyrtare të internetit të ALUIZNI-t. Subjektet e interesuara, në përputhje me afatet e përcaktuara në dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative, kanë të drejtë të paraqesin ankim administrativ për lejen e legalizimit apo kur drejtoria e ALUIZNI-t nuk e miraton atë brenda afatit të përcaktuar në këtë vendim, në Drejtorinë e Përgjithshme të ALUIZNI-t. Për rastet kur punonjësit e niveleve drejtuese në drejtorinë e varësisë së ALUIZNI-t gjenden në kushtet e konfliktit të interesit, leja e legalizimit miratohet nga Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t, në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në këtë vendim. Ndërkohë vendimi nr. 411, datë 19.5.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret, procedurat dhe tipin e formularit të lejes së legalizimit”, i ndryshuar, shfuqizohet.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency