Katastrofa më e madhe e 150 viteve të fundit

0
115

 

 

mehmetiNga Ndriçim Mehmeti

 

Po, po. Kjo është katastrofa më e madhe e 150 viteve të fundit. E di që do të thoni se kështu thoshin paraardhësit e tu për vapën këtu e 30 vjet të shkuara. Po unë e pashë vetë katastrofën. Nuk mund t’jua përshkruaj dot me fjalë se ç’më panë sytë atë natë. Një rrebesh që zgjati nja 2 a 3 orë na mori në qafë një qytet të tërë, që sapo e kisha zbukuruar për festa, me merak. Një shi i mallkuar 20 milimetra më la pa fjalë. Nuk la më puseta pa hedhur përpjetë, digë pa rrëzuar, pemë pa shkulur, tjegulla pa hedhur në tokë. Më dha Zoti mend e u ngjita në majë të Kullës së Sahatit, kur ç’të shoh!? Atë që të parët tanë e kishin parashikuar kataklizmonë ose siç i themi ne modernët që kemi bredhur botë e kemi parë shumë filma, fundi i botës. Gjirizi u kthye në shatërvan e sheshi në pishinë moderne. Nuk më besoni? Gjumi nuk më zë tani që kaluan 48 orë, kur kujtoj pamjet e llahtarshme që më kaluan para syve. Minj, mace, qen, kavie, disa të ngordhur e disa që përpëliteshin, kërcenin t’i shpëtonin rrëmetit, po më kot. Përfunduan nën rrotat e makinave që kisha nisur për emergjencë dhe boteve që kishin dalë në rrugë se përse, as nuk e mora vesh. Madje diku më zuri syri edhe një siluetë, që më dukej si njeri a si gjethe e madhe që po vërvitej gjysmë i çapëlyer e gjysmë i prerë në mes, nga mundimi për të dalë në anë të bregut. Cilit breg!? Bregut të lumit që zakonisht mezi mbushte nga shurra e atyre që gjobita nja dy muaj më parë e tani më duket si Danubi në Budapest.

Ndenja e sodita i lemerisur e gjysmë në agoni atë që fati i zi ma solli tek dera, pa asnjë kuptim. E kujt mua? Djalit të modës më të fundit në Tiranën e viteve `80, djalit të munduar që shiste fiq e blinte byrek, për të përballuar shkollën. Ma solli mua vajzës më trendi të financës shqiptare, të drejtimit të arsimit, ushtrisë, sharmantes së parlamentit e gjykatës. Po për çudi teksa më vërtiteshin, fytyra e shefit dhe kolegëve të mi, nuk pashë që nga gjithë ky kiamet, të merrte i mallkuari ndonjë ministër, qeveritar a deputet. Mos vallë kanë ikur me çarter diku ku haberet nga atdheu që aq shumë e duan nuk vijnë fare assesi mbërrijnë me vonesë. Nuk e di. Për dreq ika nxitimthi si rrufe dhe nuk pata kohë të heqë nga çanta me lëkurë krokodili edhe celularin tim të shtrenjtë. Doja të bëja një video e t’i tregoja mbarë botës për katastrofën që zuri qytetin tim. Ta shëtisja këtë video në mbarë botën, Berlin, Paris, Moskë, Pekin e gjetiu që të shikonin, atë që as në filma nuk e kanë parë. Me siguri do të fitoja një çmim me së paku 100 mijë euro, që do t’i dhuroja plot bujari për vilën që kam në mend të ngre këtë dimër. Po ku e gjeti xhanëm, këtë fuqi ky rrebesh. Për nder që nuk e kam parë sa kam rrojtur. Pyeta edhe komshinjtë, që ngritën supet e mërmëritën: “Po me ne ç’pati ky i bekuar shi. Ishim mësuar me diell, ujë tek çezma, drita boll, tani ky i bekuar shi që – thoshin të parët – na u kthye në mallkim”.

Vrava mendjen, e thashë si t’ia bëj? Të lajmëroj zjarrfikëset, që nuk kanë benzinë, apo të dal vetë e të më vinë kamerat nga mbrapa, e t’ju tregoj ndodhinë. Në fillim pasi u konsultova me mikun tim që më rri pranë në ditë të vështira me laptop në dorë, e kokën ulur duke ngritur syzet dhe ai më tha, “jepu këtyre njerëzve numrin 128 dhe një numër të verdhë, që nuk e ngre kush, që të kalojmë nja 24 orë”. Kështu bëra njoftova për numrin, që as vetë nuk e di si më erdhi ndërmend, e më pas njoftova gjithë punonjësit e mirëmbajtjes të dalin në punë me fshesa, lecka e kova të shpuara, të vjetra a të ra, e të mëdha, e të vogla, të rrinë në rrugë e të mbledhin ç’të munden deri në mëngjes. Thirra tellallët e mi e i bëra një tekst të shkurtër për popullatën: “Kush ka burra në shtëpi të dalin e të na ndihmojnë, në këtë ditë të zezë që na ka rënë. Në shtëpitë ku ka gra të hipin në majë të tarracës e të luten, që shiu të pushoj”.

Perëndia i dëgjoi thirrjet e mia e mbase edhe lutjet e njerëzve këtej e andej, dhe urdhëroj shiun të pushoj. Mirëpo e keqja nuk ka fund. Sa vura kokën në jastëk, mbas 48 orëve, cërr telefoni, e një zë i dridhur më flet: “Shef! Më fal që të shqetësoj. Më e keqja që ju na i hoqët qafe, duket se na është kthyer”. Fërkova sytë pashë nga dritarja, po as nuk dëgjova ndonjë pikë shiu mbi parvaz e as nuk frynte e bubullinte. Thashë me vete “ta marrë njëherë këtë budallin. Ç’më thua more jezit e më nakatos gjumin, me axhanse në mes të natës. Nuk ka as shi e as furtunë, nga na polle këtë mynxyrë!? Shef, nuk më dëgjuat deri në fund. Nuk ka ujë në çezme. E ç’ë pastaj ja ktheva? U bë kiameti se mbetën pa larë njerëzia dy ditë. Në kohë të xhaxhit laheshin vetëm të shtunën, e tani më ankohen se mbetën pa ujë. Punë e madhe. Le ta blejnë. Shyqyr që na iku uji nga rruhet e nahijes sonë. Do dal vetë e t’i bëjë ballë kësaj gjendje”. U ula me vrik në kompjuter e bëra një thirrje të shkurtër e kuptimplotë: “Dëgjoni o popull mosbesues. Ujë ka plot sa të duash, po ç’e do që është i helmuar. Se kush e bëri këtë gjëmë ju e merrni me mend. Si turqit qëmoti në kohën e Skënderbeut, zuzarët që nuk ma duan të mirën, kanë trazuar burimin e kështjellës. Zamet e keni, furnizohuni, blini ujin me lek. Për pak harrova. Ata të motit sa më njoftuan, kjo punë mund të përsëritet, kështu që merrni masat e mos më lini pa gjumë me orë të tëra”.

I lehtësuar ika, në zyrë. Teksa ëndërroja për bulevardin e ri, një ishull artificial që do ta ndërtoj medoemos, kalanë që do ta kthej në kafene e qebaptore, ma ndërprenë gjithë këtë projekt me një trokitje në derë. “Shef. Rruga për në Rinas është përmbytur, e nuk ikim dot sot për në Burgundi. Si për dreq – me vete – edhe këtë udhëtim ëndrrash, ma bën haram. Shefi im i madh që u morr me dekoracionin, më shumë se herë të tjera, më pati premtuar se palmat janë si devetë; sa më shumë ujë t’i japësh aq më shumë mbajnë. Thua t’ja kenë futur e t’i dhënë mall prodhuar enkas për ne? Por menjëherë u çela. Bëra një telefonatë tek këshilltari i krye parlamentarit e i thashë: Nuk kam shumë kohë, po më jep pak numrin e atij helikopterit, që merrte miku i shefit tënd e vinte në Rogner, se jam në një siklet, që nuk e merr me mend”.

Kështu që i thashë tutje hallit të madh që na zuri, e bëra gati dosjen me fletë të bardha për udhëtim. Rrugës mendova, të bëj edhe unë ndonjë skicë. Ndonjë ditë më buzëqesh fati të zë vendin e shefit tim. Kush të vi i pari nga Evropi, Afrika a Ameriqia, do t’i tregoj plot mburrje shkarravinat me firmën time, duke i thënë: E pata parashikuar, ylli do të më buzëqeshte një ditë”. Shiu atë punë ka, unë timen e bëra. Më besoni ose jo provën e vështirë që kërkoja, e kalova. Më kritikojnë? E kush, për kë, për çfarë. Më kritikojnë ata që s’marrin vesh. Për kë për romët? Unë i kam xhan, ata e gjithë të tjerët. Po patën dëme të mëdha, do t’i strehoj në bashki, siç bëri Igli një vit e ca më parë. Po një zgjidhje më të mirë e kam. Do t’i kërkoj donatorëve ca plastmasë e ternit, e do t’jua dhuroj kryetarëve pa anëtarë të romëve, që të rrinë rehat. Kështu që edhe për këtë dimër ja gjeta dermanin. Për punët e tjera, me kismet. Mbaroj punë në Burgundi, do të shkoj ca kohë në Siberi, më pas në landin e Bavarisë. Vizitën e fundit për Krishtlindje, e kam lënë për në Shangai. Imzot më tha që atje për këtë festë, bëhet një spektakël i vërtetë fishekzjarrësh. E si thoni ta humbas?

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency