Incidenti në Komisionin e Sigurisë/Fyerje, sharje e tension mes Dogjanit e Lutajt, zbardhen arsyet e përplasjes midis dy deputetëve

0
112

 

Komision sigurieSituata pas sulmeve terroriste, raportimi i SHISH-it në Komision sjell debat në mbledhjen me dyer të mbyllura, ndërhyrja e Gardës shmang konfrontimin fizik mes Lutajt e Dogjanit

 

SHISH në Komision: Numri i xhamive jashtë kontrollit të Komunitetit Mysliman Shqiptar është më i lartë se 7 që është raportuar, kërkojmë më shumë fonde nga buxheti

 

Gëzim Saliu

 

Raportimi i nëndrejtorit të SHISH-it, Ylli Alushi, në mbledhjen me dyer të mbyllura për median të Komisionit të Sigurisë Kombëtare ka sjellë tension dhe një situatë të vështirë që mund të shkonte drejt një konfrontimi të pastër fizik, në rast se nuk do të ndërhynin punonjësit e Gardës. Përplasja ndodhi dje mes deputetit socialist Pirro Lutaj dhe demokratit Asllan Dogjani, i cili ka qenë pjesë më parë e grupit parlamentar të PS-së. Mësohet se të dy deputetët janë përfshirë në debat pas raportimit të SHISH-it, i cili foli për masat e marra në vend pas sulmeve terroriste në Paris, buxhetin që i është caktuar këtij institucioni si edhe deklaratës, sipas së cilës, numri i xhamive jashtë kontrollit të Komunitetit Mysliman Shqiptar ishte më i lartë se 7 nga sa ishte raportuar disa ditë më parë. Referuar burimeve pranë mbledhjes, mësohet se Dogjani ka shprehur një sërë kritikash ndaj qeverisë në këtë pikë, ndërsa ndërhyrja e Lutajt nuk është mirëpritur aspak nga deputeti demokrat. Ndërkohë, në përfundim të mbledhjes Pirro Lutaj dha një version të ndryshëm në ngjarjes, duke mos arritur të shpjegojë se përse Garda e Republikës u detyrua të ndërhynte me urgjencë në një mbledhje, ku për shkak të sekreteve shtetërore që raportoheshin, nuk i lejohej të merrte pjesë. “Ka pasur realisht një ngritje toni midis meje dhe z. Dogjani dhe asgjë më shumë. Që të konfrontohen dy njerëz duhet të jenë të dy pa tru, fatmirësisht nuk u ndodhëm të dy pa tru”, – tha ai.

 

Masat e terrorizmit dhe buxheti

Në kuadër të masave që po merren kundër terrorizmit si edhe për të shprehur opinionin lidhur me buxhetin e përcaktuar për SHISH këtë vit, zv.drejtori i këtij institucioni raportoi dje në një mbledhje me dyer të mbyllura në Komisionin e Sigurisë. Kreu i SHISH-it, Visho Ajazi Lika, nuk ka preferuar të ishte personalisht i pranishëm në mbledhje dhe dërgoi në këtë raportim zëvendësin e tij, Ylli Alushin. Mësohet se ky i fundit raportoi për të dhënat që disponohen nga organi i shërbimeve sekrete dhe masat që janë marrë kundër terrorizmit nga vendi ynë si edhe për debatin se sa është e ekspozuar Shqipëria nga rreziku terrorist. Burime konfidenciale pranë mbledhjes bëjnë të ditur se zv.drejtori i SHISH-it ka pohuar se numri i xhamive jashtë kontrollit të Komunitetit Mysliman Shqiptar ishte më i lartë se 7 nga sa ishte raportuar disa ditë më parë. Po ashtu, të njëjtat burime bën të ditur se SHISH ka shprehur shqetësim edhe për fontet e pakta të përcaktuara nga buxheti i shtetit. Sipas SHISH-it, nga 250 makina në dispozicion të agjentëve shqiptarë, vetëm 31 funksionojnë, ndërsa për rrogat minimale të punonjësve të institucionit u kërkuan edhe 800 mln lekë të vjetra shtesë. Po ashtu edhe opozita shprehu shqetësime për buxhetin e SHISH-it, duke theksuar se në këtë formë qeveria po tenton të rrënojë veprimtarinë normale të këtij institucioni. “Është një tendencë e frikshme e qeverisë për të sabotuar misionin e Shërbimit, duke e lënë në gjendje të mjerueshme”, – tha Flamur Noka. Ky raportim i SHISH-it në Komisionin e Sigurisë erdhi pas masave që po marren nga të gjitha institucionet përgjegjëse në kuadër të sulmeve terroriste në Paris. Më parë, Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kanë pohuar se nuk është rasti për panik, pasi, sipas tyre, vendi është i rrezikuar në të njëjtën masë si çdo shtet tjetër që është radhitur në aleancën kundër ISIS-it. Gjithashtu ata kanë bërë të ditur se Shqipëria i ka marrë të gjitha masat kundër terrorizmit. Lidhur me këto zhvillime u mbajt pak ditë më parë edhe mbledhja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë të drejtuar nga Presidenti Nishani, ku u vlerësuan masat e marra dhe ku palët theksuan se institucionet përgjegjëse do kenë vëmendje maksimale ndaj çështjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency