Testimi i punonjësve socialë/173 punonjës nuk kualifikohen

0
155

 

710Xhafaj: Shansi i dytë në janar, nëse nuk kualifikohen automatikisht, do të largohen nga vendi i punës

 

Dori Hoxha

 

Publikohen rezultatet e testimit të punonjësve socialë, 1/3 e të cilëve nuk kanë mundur të kualifikohen. Drejtorja e Përgjithshme e Politikave Sociale, Merita Xhafaj, deklaroi se në zbatim të legjislacionit në fuqi për punonjësit që nuk janë kualifikuar, ata do të rivlerësohen në muajin janar 2016

 

 

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka publikuar rezultatet e vlerësimit të të gjithë punonjësve socialë që shërbejnë në institucionet e përkujdesit social publik në gjithë vendin. Sipas rezultateve të testimit, 173 punonjës të institucioneve të përkujdesit social publik nuk janë kualifikuar, nga 557 të tillë që u përfshinë në këtë proces. Rezultati u bë publik nga drejtorja e Përgjithshme e Politikave Sociale, Merita Xhafaj, e cila tha se nga 557 punonjës të institucioneve të përkujdesit social publik që ofrojnë shërbime për fëmijët në nevojë, fëmijët me aftësi të kufizuara, të moshuarit, viktimat e trafikimit, viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, 384 janë kualifikuar dhe pjesa tjetër prej 173 punonjësish nuk kanë mundur ta kalojnë testin. Për 1 të 3 që nuk arriti të kualifikohet Xhafaj bëri të ditur se do të krijohet një mundësi e dytë në mënyrë që t’i nënshtrohen një vlerësimi tjetër në muajin janar 2016. “Në zbatim të legjislacionit në fuqi për punonjësit që nuk janë kualifikuar, sqarojmë se ata do të rivlerësohen në muajin janar 2016. Këto pozicione pune do të konsiderohen vakante dhe vlerësimi do të jetë i hapur jo vetëm për 173 punonjësit ekzistues, por edhe për të gjithë personat e interesuar për t’u punësuar në institucionet e përkujdesit social publik”, – sqaroi Xhafaj. Në rast se përsëri 173 punonjësit aktualë nuk do të kualifikohen, ata automatikisht do të largohen nga vendi i punës dhe do të zëvendësohen me ata që do të kualifikohen në vlerësimin e muajit janar 2016. “Ky vlerësim i njohurive tregoi qartazi mangësitë dhe nevojat e çdo punonjësi, për të cilët do të merren masa konkrete për edukimin e vazhdueshëm dhe trajnimet e detyrueshme që duhet të kryejnë për përmirësimin e cilësisë së shërbimit”, – tha ajo. Procesi i vlerësimit të njohurive dhe aftësive të personelit në institucionet e përkujdesit social publik u realizua nëpërmjet vlerësimit me shkrim, i cili zuri 70% të vlerësimit total bazuar në programin e publikuar dhe intervistimit me gojë, i cili zuri 30% të vlerësimit në total. Testimi me shkrim u realizua në datat 2 tetor dhe 3 tetor 2015, ndërsa për punonjësit të cilët, për arsye të justifikuara nuk u paraqitën në këto data, u realizua testimi në datën 3 nëntor 2015. Intervistimi me gojë për të gjithë punonjësit e institucioneve të përkujdesit social publik u realizua në datat 5, 6,7, 8, 9 tetor 2015 dhe në datën 3 nëntor 2015 për punonjësit, të cilët realizuan testimin me shkrim po në këtë datë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency