Reagimet/Kreu i Bashkisë: Po punohet për normalizimin e situatës

0
129

 

 

Erion-Veliaj1Leonard Olli: Këshilltaret e djathtë janë të gatshëm të japin ndihmën dhe kontributin e tyre

 

 

 

Lidhur me përmbytjet e krijuara në Tiranë si pasojë e reshjeve të shumta gjatë orëve të fundit ka reaguar edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka deklaruar se po punohet për përmirësimin e situatës, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes në zonat të cilat paraqiten problematike

 

 

Situata problematike e krijuar për shkak të reshjeve të shiut ka sjelle edhe reagimin e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, kreut të këshilltarëve të djathë në bashkinë e Tiranës, Leonard Olli dhe Ministrit të Bujqësisë Edmond Panariti. Kreu i Bashkisë, Veliaj, që në orët e para të mëngjesit ka reaguar lidhur me situatën duke deklaruar se çdo gjë është nën kontrollo dhe se po punohet për normalizimin e situatës. Sipas tij, Bashkia ka marrë të gjitha masat për të përballuar situatën, teksa shton se qytetarët duhet të kenë kujdes kur kalojnë në zonat pranë lumenjve apo në segmentin, Zall Dajt-Zall Bastar, ku po kryhen punime. Ndërsa nga ana tjetër kreu i këshilltarëve të djathtë Olli, ka deklaruar se situata paraqitet alarmante, duke kërkuar nga Veliaj, të marrë masa urgjente dhe të nxjerre ekipet e punës në terren për të mbrojtur jetën dhe pronën e çdo banori, duke shtuar se këshilltaret e djathtë janë të gatshëm të japin ndihmën dhe kontributin e tyre.

 

Erion Veliaj: Situata nën kontroll

“Javë shirash në Tiranë. Të gjitha brigadat janë në terren. Për çdo problematik telefononi në numrin 0 800- 0888 nga numri fiks. Evitoni kalimin në segmentin malor, Zall Dajt- Zall Bastar, ku po punohet për riparime nga reshjet. Kujdes pranë lumenjve e përrenjve. Situata është në kontroll, por lipset të kujtojmë se çfarë i kemi bërë vendit me ndërtime mbi kolektorë, mbi kanale, apo mbi bodrume”, – shkruan Kryebashkiaku Veliaj në Twitter.

 

Leonard Olli, situata alarmante

Situatë alarmante në Tiranë nga reshjet e shiut. Zona të tëra nga qendra e deri në periferi janë përmbytur dhe banoret janë tërësisht në dore të shiut. I kërkojmë kryetarit të bashkisë Tiranë që në vend që të luajë rolin e meteorologut të marre masa urgjente e të nxjerrë ekipet e punës në terren për të mbrojtur jetën dhe pronën e çdo banori, ku ne këshilltaret e djathte jemi të gatshëm të japim ndihmën dhe kontributin tonë. Për fat të keq, mungesa e vizionit në drejtimin e qytetit në këto 3-4 muaj të fundit, betonizimi pa kriter gjatë 11 viteve të Ramës si kryebashkiak kanë sjellë këto pasoja. Është koha për reagim të menjëhershëm në terren dhe jo për justifikime boshe në rrjetet sociale e nr. shërbimesh jashtë funksioni.

 

Panariti, hidrovorët në punë

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti deklaroi dje se deri në orën 12:00, nga verifikimet e kryera në terren, hidrovorët kanë qenë në punë. Gjithashtu Panariti bëri me dije se ka patur ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa theksoi se po punohet për mbajtjen nën kontroll të banesave. Ai shtoi se banesat janë nën monitorim. Por nga ana tjetër mësohet se reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha duke filluar nga banesat, bizneset, urat dhe rrugët në vend.

 

Moti i keq, uji hyn në spitalin e Traumës, reagon drejtori

Pas publikimit të videos ku dukej se uji vërshon brenda nga shkallët brenda në spitalin e Traumës, drejtori i këtij spitali informon se janë marrë masa për izolimin e tarracës.

Ai kërkon të nënvizojë se “Situata është nën kontroll dhe se nuk ka vend për panik. Në Spitalin e Traumës po jepet ndihma e duhur mjekësore

 

Moti i keq – Kufizime të furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona në Tiranë

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë informoi të dielën, mbi zonat që do të kenë kufizime në furnizimin me ujë të pijshëm, për shkak të problemeve të krijuara nga moti i keq. Përmes një njoftimi për shtyp, UKT Tiranë njofton se stacioni i Qafëmollës për arsye të kushteve atmosferike ka mbetur pa energji elektrike. Për këtë arsye do të ketë furnizim shumë të kufizuar me ujë në zonat e Tiranës së Re (ish-bllok), Komunës së Parisit, rrugën e Kavajës, në Sauk, Liqenin e Thatë dhe Qesarakë. Edhe stacioni i Bërxullit për arsye të kushteve atmosferike ka mbetur pa energji elektrike, ndaj për këtë arsye do të ketë furnizim shumë të reduktuar me ujë në zonat e Unazës së Re, rrugës “3 Dëshmorët” dhe në Yzberisht. “Stafi i UKT-së po punon intensivisht për të rikthyer në normalitet furnizimin me ujë të pijshëm në këto zona”, përfundon njoftimi për shtyp i UKT-së.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency