Masat antiterorizmit/Bashkimi Europian do të kontrollojë secilin në kufi

0
146

 

BEAtë që nuk arriti dot kriza e refugjatëve, e bëjnë tani sulmet terroriste: BE fut kontrollet në kufijtë e jashtëm edhe për qytetarët e vet.

 

Shumë rrahje krahësh, përqafime dhe ngushëllime mori ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve, nga homologët e tij evropianë një javë pas sulmeve terroriste në Paris. Në Bruksel (20.11) të 28 ministrat e brendshëm u mblodhën në një seancë të posaçme, jo vetëm për t’u këshilluar, por për të vepruar për shkak të kërcënimit nga grupi terrorist “Shteti Islamik”. “Ne duhet të veprojmë më shpejt se deri tani. Evropa duhet të bëjë me të vërtetë gjithçka që është në gjendje të bëjë, për të ndaluar terrorin”, tha Cazeneuve pas takimit. “Mjetet janë të gjitha, ne vetëm duhet t’i përdorim ato në mënyrë konsekuente”, porositi Ministri i Brendshëm i Luksemburgut Etienne Schneider, si kryetar aktual i Këshillit të BE-së. Franca e zgjati të enjten gjendjen e jashtëzakonshme dhe forcoi ligjet e sigurisë.

 

Të gjithë qytetarët e BE-së duhet të kontrollohen

Për shembull prej shumë vitesh ekziston i ashtuquajturi Sistemi Informativ II i Shengenit (SIS). Kjo është një lloj liste me personat e dyshimtë dhe të kërkuar. Megjithatë ky sistem duhet të ushqehet me të dhëna nga të gjitha 26 shtetet anëtare. Kjo është bërë deri tani me sa duket pjesërisht, por “do të ndryshojë tani”, tha ministri Schneider. Këtë e kanë premtuar të gjitha shtetet. Meqë atentatorët e Parisit kanë hyrë në Evropë me pasaportat e tyre europiane, apo kanë mundur të udhëtojnë brenda saj pa probleme, ministrat e brendshëm të BE-së vendosën të forcojnë kontrollet në kufijtë e jashtëm të zonës Shengen. Në të ardhmen të gjitha hyrjet dhe daljet duhet të regjistrohen dhe kontrollohen nga sistemi i kërkimit SIS, pavarësisht nëse janë shtetas të BE-së apo jo, pavarësisht nëse kanë nevojë për vizë apo jo. Kjo u njoftua para shtypit nga ministri i Brendshëm francez Cazeneuve. “Ne nuk mund të presim, derisa të ndodhë një tragjedi tjetër”, tha Cazeneuve.

 

Marrëveshja për pasagjerët ajrorë deri në fund të vitit

Megjithatë për vendosjen e këtyre kontrolleve sistematike në kufijtë e jashtëm duhet të plotësohet marrëveshja e Shengenit. Ajo ndalon deri tani marrjen e këtyre të dhënave për qytetarët e BE-së. Deri tani pasaportat e tyre janë kontrolluar vetëm rastësisht për vërtetësinë dhe vlefshmërinë e tyre. Edhe shtetasit e vendeve të treta, të cilët nuk kanë nevojë për vizë, kontrollohen vetëm në mënyrë të rastësishme. “Ne duhet të dimë se kush vjen me avion nga Evropë dhe kush kthehet sërish”, kërkoi ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere për të disatën herë duke pasur parasysh udhëtarët xhihadistë, të ashtuquajturit “luftëtarë të huaj”. Ministrat ranë dakord që kjo marrëveshje të jetë gati deri në fund të vitit. “Të dhënat nuk do të ruhen vetëm një muaj, siç dëshiron parlamenti, por të paktën një vit”, kërkoi ministri francez Cazeneuve. Shërbimet e fshehta kanë nevojë për kohë për të analizuar të dhënat dhe për të punuar me ta. Deri tani të dhënat e pasagjerëve regjistrohen paraprakisht vetëm për fluturime në Shtetet e Bashkuara. Kjo tani do të futet edhe në fluturimet brenda Evropës.

 

Tani për tani nuk ka kontrolle në kufijtë e brendshëm

Holanda nuk beson se Greqia është në gjendje dhe do të mbrojë me efikasitet kufirin e saj të jashtëm me Turqinë. Prandaj nga Haga erdhi propozimi për të formuar një zonë bërthamë të Shengenit, që udhëtimi pa kontrolle të lejohet vetëm brenda vendeve themeluese të marrëveshjes së Shengenit, Luksemburg, Belgjikë, Hollandë, Gjermani dhe Francë. Ministri i Brendshëm gjerman de Maiziere refuzon ide të tilla, si jo të praktikueshme. Gjermania atëherë duhet të rivendoste kontrollet e pasaportave përgjatë kufijve të saj lindore dhe jugore. Ministrat e Brendshëm vendosën që lëvizja e lirë në kufijtë e brendshëm të BE-së të ruhet fillimisht. Franca megjithatë do t’i mbajë kontrollet e saj me Belgjikën dhe Gjermaninë, për aq kohë, “sa të ketë kaluar rreziku terrorist”, tha Bernard Cazeneuve.

Shërbimet e fshehta duhet të shkëmbejnë informacionin

Pika qendrore e diskutimeve në Bruksel (20.11) ishte edhe shkëmbimi më i mirë i informacionit të shërbimeve sekrete lidhur me terroristët potencialë, islamistët dhe të ashtuquajturit rrezikues. Komisioneri i BE për Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopulos, konfirmoi se vetëm pesë nga 28 shtetet anëtare të BE-së shkëmbejnë sot njohuritë e tyre për terroristët në nivel të BE-së. Kjo nuk mund të mbetet kështu, tha Avramopulos duke marrë miratimin e shumicës së ministrave. Përmirësimin e bashkëpunimit mes shërbimeve të fshehta ministrat e patën vlerësuar edhe menjëherë pas sulmeve të janarit në Paris, dhe në shumë raste më parë. Skepticizmi i madh, nëse shtetet anëtare heqin dorë tani nga rezervat e tyre kombëtare, është i justifikuar. “Një shërbim i vetëm sekret europian është ende vizion të largët, një koncept,” tha komisioneri i BE-së Dimitri Avramopulos. DW

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency