Filozofia e terrorizmit

0
277

 

 

Nga Loreta Botiloreta boti

 

Sot kur Europa është goditur nga një valë e re terrorizmi të gjithë pyesin për shkaqet e terrorizmit. Por kjo pyetje ka edhe një këndvështrim filozofik. Këtu nuk e kam fjalën për filozofinë e terroristëve, por për këndvështrimin filozofik të sjelljes së tyre, përse sillen ashtu si sillen. Një pyetje të tillë e kam shtruar për herë të parë gjatë vizitës sime në Athinë në verën e vitit 1990. Atëherë unë u ballafaqova për herë të parë me terrorizmin jashtështetëror, nëse mund ta quajme kështu, se terrorin shteteror komunist e kisha parë në Shqipëri.Atëherë ishte koha kur organizata terroriste “17 Nentori” ishte mjaft aktive. Një ditë e nxehtë athinase ku rutina ndërpritet nga një shperthim diku në thellësi të rrugës.Ajo që per mua ishte një eksperiencë krejt e re, për banoret e Athinës kishte filluar të kthehej në një lloj rutine. George Kasimeriss në librin e tij “Europe’s last red terrorists” shkruan:”Greqia ka vuajtur një nga fushatat terroriste ideologjike më të zgjatura e më kembengulese në Europën Perëndimore,qe ka shkaktuar vdekje e plagosje të shumta ,qindra shperthime bombash e dëme materiale me vlerë qindra miliarda dhrahmi”(George Kasimeriss.”Europes last red terrorists”, “Hurst and company”, London 2001 f 1). Duke qenë greke nga kombësia, kjo gjë më bënte ta përjetoja  më tepër. Në atë kohë Shqipëria po linte pas një periudhë të terrorizmit shtetëror dhe unë mendoja se në botën ku po shkoja, nuk do të dëgjoja më kështu. Por ishte ndryshe. E habitur unë i pyeta të afërmit e mi që më shoqëronin, se mirë që në Shqipëri ishte një shtet diktatorial , por këtu që është një vend i lirë, ku shteti iu njeh të gjitha të drejtat e një vendi anëtar të Bashkimit Europian shtetasve të tij, përse ka terrorizëm? Për mua kjo gjë ishte e pakuptueshme.   Dhe kështu në udhëtimin tim të parë në Greqi mësova se terrorizmi eshte nje e keqe moderne me rrenje te lashta.  Fjala “terror”e ka rrënjen tek fjala e greqishtes së vjetër “trein”që do të thotë “të frikësosh”. Fjala e vjetër greke frymëzoi fjalën latine “terror”që ka kuptimin e frikësimit dhe përdorimit të dhunës për të arritur këtë. Prej këtej fjala hyri në gjuhët moderne. Në kuptimin e saj modern fjala “terror” do të thotë dhunë e kryer për arritjen e objektivave politike nga grupe politike ose shtete që me këtë synojnë të frikësojnë popullsinë dhe shtetin për ta detyruar të pranojë kërkesat e tyre, sundimin e tyre. Ky përcaktim i gjerë përfshin si terrorizmin shtetëror ashtu dhe atë jashtështetëror.

Por ka këndvështrime të ndryshme  për filozofinë e terrorizmit. Edhe sot, kur Europa po pëson një valë të paparë të terrorizmit islamik, ka një debat të madh për filozofinë e terrorizmit. Po cila është filozofia e terrorizmit? Këtu e kam fjalën për filozofinë që shpjegon terrorizmin. Kjo është pyetja kryesore së cilës duhet t’ i përgjigjemi. Filozofia duhet të ketë një shpjegim të përbashkët për të gjithë llojet e terrorizmit, atë ideologjik, atë fetar, atë etnik. Terroristët pretendojnë se mbështeten te një ideologji apo fe e caktuar, po kjo nuk perbën burimin filozofik të terrorizmit. Burimi filozofik i terrorizmit është ateizmi. Dikush mund ta kundërshtojë këtë, duke thënë se ndërsa kjo është e vertetë në rastin e terrorit komunist e fashist ajo s’mund të jetë e vërtetë për terrorizmin dhe frymezimin fetar. Por ky është një dallim vetëm në dukje.Terrorizmi me frymëzim ideologjik, ai me frymëzim fetar dhe ai me frymëzim etnik kanë një thelb të përbashkët filozofik,qe i bënë dallimet e tyre nuanca sipërfaqësore. Të të gjithë këta lloje të terrorizmit,  ata që i kryejnë këto vepra marrin përsipër rolin e Zotit. Ata vetëshpallen si njeriu Zot, i plotfuqishëm për të ndryshuar botën, për t’ i detyruar njerëzit t’ i nënshtrohen me dhunë një ideologjie, një feje, apo që të krijojnë zona të pastra etnike. Ata marrin përsipër atë drejtë që në librat e shenjtë të te gjitha feve e ka vetëm Zoti, te drejtën e tij te patjetërsueshme të ndëshkimit të njerëzve për ti frenuar ata dhe për t’i detyruar të heqin dorë nga e keqja. Zoti referuar Bibles dhe Kuranit e ushtroi këtë të drejtë të patjetërsueshme, duke ndëshkuar qytetet e Sodomës dhe Gomorës. Tani këtë të drejtë e marrin përsipër disa njerëz në emër të një feje, ideologjie,apo etnie. Vetëm ateistët mund ta marrin përsipër një të drejtë të tillë. Terroristët ideologjikë e marrin me vetëdije rolin e Zotit. Në një botë pa Zot ideologjia mbush vakumin dhe njeriu i pajisur me të është njeriu Zot që gjykon dhe ndëshkon masivisht. Këtu e gjente pergjigjen terrorizmi masiv komunist dhe fashist i shekullit të njëzetë që shkaktoi dhjetëra milionë të vdekur. Terrorizmi me frymëzim fetar niset nga një koncept praktikisht identik.Ai vetëproklamohet një lloj faktotumi i Zotit për të zbatuar vullnetin e tij ndëshkues në tokë. Pra lidhja midis ateizmit dhe terrorizmit është e plotë dhe përfshin të gjitha llojet e terrorizmit,pavarësisht nga ngjyrimi i tyre.Në këtë kategori të njeriut qe uzurpon Zotin mund të futen të gjithë terroristët e të gjitha kohërave, Robespierri, Stalini, Hitleri, Bin Ladeni, Al Bagdadi, Inkuizitorët etj. Ky shpjegimi i filozofisë së terrorizmit këtu niset nga disa të vërteta, që shumëkujt i duken te stërthena, si raporti i njeriut me Zotin. Por këto janë ,ato të vërteta të përjetshme të cilat njerezimi është i detyruar t’ i perdorë si busull historike kur humb rrugën. Dhe koha në të cilën jetojmë është një nga ato epoka ku njerëzimi e ka humbur rrugën. Për terrorizmin është shkruar kaq shumë, saqë duket se nuk ka për të sjellë diçka te re në këtë fushë, qoftë me artikuj në shtyp qoftë me libra. Por siç ka thënë Umberto Eko te “Emri i Trëndafilit”: “Librat komunikojnë midis tyre”. Në këtë rast jo në pikëpamje të informacioneve mbi terrorizmin, se sa të metafizikës së terrorizmit, të filozofisë se tij, që kërkojnë ta zbulojnë. Kjo vlen edhe për artikujt në shtyp. Sa më shumë të dhëna që gjejmë në to, aq më shumë prova sillen për filozofinë e terrorizmit me burim ateizmin.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency