Seria A/Allegri kërkon vetëm fitoren, Mihajlovic shpreson te arrijë suksesin

0
141

massimo allegri

 

Tekniku i bardhezinjve është shprehur se skuadra do të kërkojë vetëm fitoren dhe është opsioni i vetëm, në mënyrë që të arrijë objektivin

 

Strategu i djajve ka deklaruar se do të jetë një ndeshje e vështirë, por të tijtë do të përballen si të barabartë dhe do të kërkojnë triumfin

 

Jurges Veizaj

 

Ndizet edhe Seria A këtë fundjavë, pasi “Djajtë” përballen me “Zonjën e Vjetër”. Massimiliano Allegri nuk kërkon alibi. Në konferencën për shtyp në prag të supersfidës së javës së 13-të të Serisë A mes Juventusit dhe Milanit, trajneri i bardhezinjve deklaroi se skuadra e tij do të zbresë në fushë vetëm për të marrë tri pikët. Pas sukseseve ndaj Torinos dhe Empolit, Juventusi ndaj Milanit do të kërkojë ta çojë në tre numrin e fitoreve radhazi për të ngjitur të tjera pozicione në tabelën e klasifikimit. “Objektivi i vetëm për ne është fitorja, pasi ata janë përpara në renditje dhe duam t’i parakalojmë. Gjithsesi, edhe pas kësaj sfide do të mbeten edhe 25 ndeshje të tjera për të luajtur, plot 75 pikë në lojë. Kjo ndaj Milanit do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, por jo vendimtare. Të mërkurën përballë Manchester City-t në Champions do të luajmë një tjetër ndeshje që vlen shumë”. Problemet me dëmtimet kanë shqetësuar jo pak Allegrin në këto ditë. Gjithsesi, trajneri 47-vjeçar, kur u pyet për këtë çështje, u shfaq shumë i qetë. “Gjendjen e Buffonit do ta vlerësojmë deri në momentin e fundit. Giggi nuk asgjë serioze, por nuk dua të zhbilancohem në lidhje me të. Lichtsteiner dhe Mandzukic janë bashkuar me grupin. Caceres është në pikëpyetje ndërsa Asamoah për shkak të një problemi në gju do të mungojë për 10 ditë”. Por si vjen Juventusi në këtë ndeshje që do të luhet menjëherë pas akteve terroriste që masakruan Parisin? “Ky është një moment delikat në historinë e botës. Gjithsesi do të luajmë në kushtet e sigurisë më të mira të mundshme. Kam menduar shumë për futbollistët e Juventusit që ndodheshin në Paris atë ditë dhe për personat që humbën jetën. Shpresoj që ndaj Milanit të jetë një ndeshje e bukur futbolli”.

 

Mihajlovic: Me Juventusin përballemi si të barabartë

 

Për trajnerin e Milanit, Sinisa Mihajlovic, sfida me Juventusin nuk do të jetë vendimtare për objektivat sezonalë të kuqezinjve. Sipas 46-vjeçarit, përballja e “Juventus Stadium” mund t’i japë një tjetër impuls formacionit të tij për t’u ngjitur në nivelet më të larta të futbollit italian. “Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, por jo për jetë a vdekje. E dimë që Juventusi kërkon të rimarrë vetën pas startit negativ, por ne i kemi të gjitha cilësitë fizike dhe mendore për t’u përballur si të barabartë pse jo për të kërkuar fitoren”. Më pas Mihajlovic kujton se vetëm Napoli dhe Roma kanë patur një ecuri më të mirë se kuqezinjtë në javët e fundit. “Në 5 ndeshje e fundit kemi marrë mesatarisht më shumë se 2 pikë për takim. Më mirë se ne kanë bërë vetëm Napoli dhe Roma. Nëse arrijmë të ruajmë këtë mesatare edhe gjatë ndeshjeve të mbetura të fazës së parë dhe përmirësohemi në fazën e dytë, do të mund të arrijmë atje ku synojmë”. Një ndër pyetjet e gazetarëve në konferencën për shtyp para supersfidës së javës së 13-të të Serisë A, lidhte me ngjarjet e fundit terroriste që goditën Parisin“Duhet të jemi të fortë dhe të mos na zërë paniku, sepse ky është qëllimi i terroristëve. Është një luftë e çuditshme nëse e krahasojmë më atë të Jugosllavisë, të cilën unë e kam përjetuar, sepse atëherë e dija se kush të sulmonte dhe nga vinin rreziqet. Në këtë luftë s’di nga mund të të vijë e keqja, sepse mund të shkosh në stadium apo në një restorant dhe e pëson”. Në lidhje me aktivizimin e të riut Donnarumma Mihajlovic tha se do të jetë përballë një miti si Buffon dhe se i ka të gjitha mundësitë për të qenë trashëgimtari i portierit të Juventusit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here