Një vit më parë Shqipëria endej komisioneve të UEFA-s duke kërkuar të drejtën që i mungoi si në Disiplinorin ashtu edhe në Komisionin e Apelit të institucionit evropian në lidhje me ndeshjen e 14 tetorit me Serbinë. Me shfaqjen e shëmtuar të huliganizmit serb në sytë e gjithë botës, ishin të shumtë ata që fajësuan Michel Platininë për një vendim politik në kurriz të Shqipërisë. Por ironia e fatit është vërtet e pamëshirshme, sot është Platini që endet komisioneve duke përshkruar pothuajse të njëjtën rrugë me Shqipërinë për të kërkuar të drejtën e tij. Komisioni i Apelit në FIFA këtë të mërkurë konfirmoi pezullimin prej 90 ditësh që i është dhënë Platini për çekun e marrë nga FIFA dhe Blatter. Komisioni i Apelit të FIFA-s i përbërë nga 14 anëtarë ktheu pas apelimin e Platini si dhe Blatter duke konfirmuar pezullimin e tyre prej 90 ditësh që u dha në 8 Tetorin e kaluar. Platini në këtë mënyrë nuk mund të ushtrojë asnjë nga funksionet e tij si President i UEFA-s, çka do të thotë se minimizohen shanset e tij për të garuar për Presidencën e FIFA-s, pasi Komiteti Elektoral deklaroi se kandidatura e tij nuk do të merret në konsideratë deri në përfundim të pezullimit. Tani presidenti i UEFA-s mund të bëjë hapin e tij të fundit duke apeluar çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, pikërisht siç bëri dhe Shqipëria që pas shumë betejash gjeti më në fund të drejtën në shkallën më të lartë të drejtësisë sportive. Në një farë mënyrë Platini po provon vetë të endet nëpër komisione për të kërkuar drejtësi duke përshkruar të njëjtën rrugë si Shqipëria, vetëm me ndryshimin se Shqipëria e gjeti të drejtën në KAS, ndërsa e drejta sipas Platini për çështjen e tij, mbetet ende për t’u verifikuar.