Dekriminalizim të politikës, të biznesit apo të partive?!

0
115

PO

 

Nga Poli Hoxha

 

Që në fillim duhet të sqarojmë se termi “dekriminalizim i politikës”, në mos është thjesht një “hedhje hi syve”, është absurd. Krimin nuk e ka mbjellë politika në Shqipëri, as krimi nuk na bëri peshqesh këtë klasë që na udhëheq. E njëjta gjë edhe kur bëhet fjalë për rolin e biznesit në gjithë këtë histori, “i pastër” a “i pistë” qoftë.

***

Nëse hulumton me kujdes statistikat e policisë shqiptare për kurbën e krimit gjatë 20 viteve të fundit, do të ndeshesh me një fakt interesant, i cili përsëritet aq rregullisht sa që s’mund të quhet rastësi. Fakti kokëfortë është se veprimtaria e krimit në përgjithësi, dhe ajo e atij të organizuar në veçanti, bie ndjeshëm gjatë fushatave zgjedhore. Madje, diçka e tillë ka ndodhur edhe në vitin e mbrapshtë anarkik 1997 gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 29 qershorit. Por si shpjegohet kjo? Çfarë ndodh me krimin gjatë atij muaji kur klasa politike përgjërohet dhe lyp vota në të gjitha mënyrat? E bëjnë muaj vakance, harrojnë misionin e tyre për të vrarë njëri-tjetrin, për të vënë gjoba e shantazhuar, ikin fare nga Shqipëria? Kjo e fundit nuk qëndron, pasi gjatë fushatave elektorale, tashmë është fakt që një pjesë e krimit që është fshehur dhe vepron jashtë vendit, pikërisht në atë muaj fushate e votimesh, kthehet në Shqipëri për të ikur prapë pas shpalljes së rezultatit. E gjitha kjo shpjegohet me atë që tashmë e dimë të gjithë, “krimi i madh” e “i vogël”, pa përjashtim, thirret nga politika në funksion të mbledhjes dhe “ruajtjes” së votave. Por ekziston edhe fenomeni i vetafrimit. Shpërblimi vjen më pas. Ka ndodhur hapur në zgjedhjet e viteve 1996, 1997, 2001 dhe më e kamufluar në ato të vitit 2005 dhe 2013. Gjithmonë sipas statistikave policore, edhe nëse ka pasur incidente të rënda, vrasje, plagosje, shantazhe mes personave me precedent penalë gjatë fushatave elektorale dhe ditëve të votimit e post tyre, ato kanë ndodhur në mjedise zgjedhore, takime elektorale, rrotull e brenda qendrave të votimit e madje edhe në vetë mjediset e Komisioneve Zonale e Qendrore të Zgjedhjeve.

***

Gjithë kësaj panorame të këtij konglomerati krim-politikë nuk duhet të harrojmë t’i shtojmë edhe atë të ndërthurjes së biznesit me politikën. Në këtë fushë gjërat janë më të sofistikuara dhe të ndërlikuara. Biznesi shqiptar është rritur dhe ka lulëzuar, për fat të keq, në shumicën e rasteve në bashkëveprim jetik me politikën. Herë nën sqetullën e saj dhe herë duke u inkuadruar brenda saj. Tashmë, pas 25 vitesh kapitalizmi në Shqipëri, kur shenjojmë një biznesmen apo grup sipërmarrësish, nënkuptojmë një politikan të fuqishëm apo parti të madhe dhe anasjelltas. Kjo shpjegon “absurdin” e luksit dhe pasurive të disa partive dhe politikanëve dhe “mrekullitë” kapitaliste në një kohë të shkurtër të një grushti biznesesh. Nëse thellohemi më tej, edhe në këtë ndërthurje biznes-politikë do të gjejmë gati hapur krimin e organizuar. Miliarda të krijuara nga prostitucioni, trafiku i drogës tashmë janë shndërruar në sipërmarrje të fuqishme, sidomos në ndërtim dhe veçanërisht në biznesin e hotelerisë, të lojërave të fatit dhe bar-restoranteve. Rrjeti kapilar, krim-biznes-politikë, tashmë është njësuar dhe sofistikuar aq shumë, saqë ka fare pak vend për optimizëm se mund të ç’bëhet. Kjo, sepse tani ai është bërë si një qenie shumëqelizore që riprodhon nga vetvetja në vazhdimësi dhe perspektivë vetveten, gjithmonë e më të sofistikuar. Produkti që prodhon, financon partitë, sistemin e drejtësisë dhe lubrifikon me sukses zhvillimin e “kapitalizmit shqiptar”.

***

Sot po trumbetohet me të madhe dekriminalizimi i politikës dhe veçanërisht i Parlamentit. Kësaj i thonë të mbulosh kreshtat e djallit me flatrat e kryeengjëllit. Po si mund të thahet një kënetë pa i prerë ujërat e nëndheshme që e ushqejnë? Nga furnizohet Parlamenti, administrata shtetërore me elementë dhe përfaqësues të krimit? Ka vetëm një përgjigje: Nga partitë. E nga kjo vjen vetëm një zgjidhje përfundimtare: të dekriminalizohen partitë. Por nga kush, si mund të bëhet kjo, a mundet që të nxirret një ligj për këtë qëllim? Përgjigjja është jo. Me Kushtetutë gjithkujt që nuk ka kryer një vepër penale të vërtetuar nga një gjykatë, por edhe kur e ka kryer dhe ka shlyer dënimin nuk i ndalohet të marrë pjesë në veprimtari politike, të zgjedhë e të zgjidhet deputet etj. Kjo është e panegociueshme për një vend demokratik. Atëherë gjithçka ngelet në dorë dhe vullnet të partive politike dhe lidershipit të tyre. Partia Demokratike dhe veçanërisht kreu i saj, Lulzim Basha, ishin të parët që ngritën flamurin e dekriminalizimit të politikës, duke fituar shumë pikë në opinionin vendas dhe te diplomatët e huaj në Tiranë. Dorëzuan në Kuvend edhe një draft të plotë dispozitash ligjore për këtë çështje, duke e detyruar pozitën që të pranojë shumicën e tyre, më kryesoret, në fakt. Madje, kjo parti shkoi edhe më tej. Në mes të muajit nëntor vendosi që dekriminalizimin ta nisë nga vetvetja. Me shumë bum-bume u njoftua ngritja e një komisioni për verifikimin e figurës së përfaqësuesve të demokratëve në të gjitha nivelet e përfaqësimit politik. Komisioni do të drejtohej nga një figurë karizmatike e mitizuar tashmë në opinion për pastërtinë e tij morale, profesionale dhe politike, Halim Kosova. Ndërkohë që flamurin e dekriminalizimit të politikës në përgjithësi, Bashës, duket se së fundmi, po ia rrëmbejnë nga dora, për “komisionin e virgjërisë së PD” me në krye gjinekologun e njohur Kosova, përveç ditës që u proklamua me të madhe nuk dihet asgjë se çfarë bën dhe a është ngritur vërtet në fakt. Përpara dy ditësh, lidershipi i Lëvizjes Socialiste për Integrim simuloi një mbledhje urgjente të kryesisë së saj, ku lideri Meta për herë të parë deklaroi se forca që ai drejton do të verifikojë dhe dekriminalizojë vetveten. Shpalli edhe nisjen e transparencës së plotë të financave të saj. Madje, LSI shkoi edhe më tej, duke u deklaruar për dhënien fund të përzierjes së biznesit me këtë parti, një hap ky i guximshëm për një forcë që është akuzuar sistematikisht për këtë fenomen. Kurse në “stanin” e PS-së, e cila ka bllofuar më së shumti me listën e deputetëve dhe të zgjedhurve të tjerë të saj të akuzuar e të dënuar për krime, nuk ka asnjë sinjal reflektimi. Madje, Rama vazhdon të bëjë karshillëk edhe për ata që janë djegur që në periudhën e paradekriminalizimit, ca duke i mbështetur publikisht, ca të tjerë duke u lënë të njëjtën fuqi në degët e partisë dhe duke deklaruar se po të kishte mundësi, do t’i rizgjidhte sërish. Kjo është situata për “popullin”. A ka vend për optimizëm se partitë politike shqiptare do të vetëdekriminalizohen? Fatkeqësisht mendoj se jo, përderisa filozofi të vetme tani për tani kanë: çdo gjë justifikon marrjen dhe mbajtjen e pushtetit, përderisa flegmatizmi do të jetë tipari kryesor psiko-social i intelektualëve, rinisë dhe popullit shqiptar në përgjithësi.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here