Dashuria e madhe e Leninit

0
208

 

 

rrrRitanna Armeni

 

E takova rastësisht Inessa Armandin. Desha të shkruaja një ese për Dashuritë në kampin e të Majtës, një histori për mënyrën, sesi dashuronin ata që menduan që ta ndryshonin botën, nga themeluesit, tek revolucioni seksual, deri në ditët tona. E gjeta pikërisht në fillim të punës sime përbri Leninit dhe nuk arrita ta braktisja. Figura e saj misterioze – gati një shembëlltyrë – e pikturuar, jo shumë saktë, më bëri kurioze. U përpoqa të mësoja më shumë, por nuk ishte e lehtë. Gati asnjë prej atyre që e njihnin historinë e Revolucionit Bolshevik dhe të lindjes së Shtetit sovjetik nuk kishte dëgjuar të fliste për të. Disa e dinin emrin e saj, por asgjë më shumë. Gjeta vetëm lajme të shpërndara, ndonjë artikull që e përmendte, një letrën e saj në artikujt e gazetave pas hapjes së arkivave të Bashkimit Sovjetik në vitin 1992. Ishte një bolshevike, kishte qënë në majat e partisë dhe ishte ndoshta – ndoshta – përsëritet me kujdes – një prej dy grave që Lenini kishte dashur. E shtriva kërkimin në vende të tjerë dhe zbulova se, nëse në Itali askush nuk ishte marrë me të, në Francë, Gjermani, Angli dhe Rusi kishte studime historike dhe biografi. Jo shumë, por kishte. Inessa kishte bërë pjesë në grupin e grave bolshevike që kishin patur një rol në ndërtimin e BRSS-së; figura e saj politike ishte cituar shpesh, edhe pse jo e analizuar në thellësi; marrëdhënia e saj me Leninin ishte treguar me sfumatura dhe tone të ndryshëm. Vendosa të gjej libra, letra, fjalime, libra, ku shfaqej edhe vetëm në një citim. Puna për t’i përcaktuar qartësisht konturet e profilit të saj nuk ishte e lehtë, por as e pamundur, edhe pse nuk kisha burime italiane dhe për të ishte shkruar kohët e fundit. Më pas, pikërisht në të njëjtën ditë, kur braktisa projektin tim, vendosa ta ndryshoj dhe të hetoj për figurën e saj. Fati më ndihu. Duke shfletuar në internet, zbulimi i parë, dikush e shiste biografinë e Inessas shkruar nga George Bardawili, ndërsa sot nuk e gjen dot më. I telefonova menjëherë. Mendoja për një telefonatë të shkurtër dhe formale, por zotëruesi kishte një zë simpatik dhe shumë kurioz. Nuk u kufizua vetëm me ujditë që të ma dërgonte librin, por dëshironte të dinte përse interesohesha për figurën e Inessas. Nuk e di me saktësi – u përgjigja – jam gazetare dhe ndoshta do të shkruaj diçka për të, pothuaj nuk e njeh askush dhe më duket personazh interesant. Bashkëbiseduesi im m’u duk i befasuar pozitivisht, gati i kënaqur. “Edhe unë desha të shkruaja diçka shumë vite më parë, kur arkivat ruse ende nuk ishin hapur, desha të kuptoja kush ishte vërtet Inessa, më pas hoqa dorë. Ishte një punë shumë e vështirë. Do të isha i lumtur nësedo t’ia dilnit ju”. Ishte vërtet i kënaqur. Nuk kam vetëm biografinë e Bardawilit – më tha – kam edhe të tjera: të Elwood, Pearson, deri dhe të Fréville, sekretari i Thorezit, që ma dërgoi me fotokopje nga Franca. Janë dhurata ime. Telefonata më emocionoi. M’u duk një sinjal, e ngushëllova atë shtytje kurioze, e gjitha irracionale, që kisha ndierë. Kisha patur edhe sinjale të tjera ato ditë. Kisha vendosur të shkruaja për Inessan, më 9 tetor dhe të filloja me tregimin për funeralin e saj, kur kisha vërtetuar se ishte zhvilluar në të njëjtën ditë në 1920, pikërisht më 9 tetor. Menjëherë shkova të bëja një shëtitje që t’i qartësoja idetë: ishte e drejtë ta braktisja projektin e një libri mbi dashurinë dhe të përballesha me aventurën që të shkruaja për një grua, jeta e së cilës kishte mbetur e panjohur? Kujt do t’i interesonte dashuria e Leninit? – më kishte thënë burri im Serxho. Rrugës kisha gjetur dy çelësa. Për mua ishin përsëri sinjal. Më ndodh shpesh të gjej dhe i mbledh, sepse sipas një besëtytnie timen private, do të thotë se mund ta zgjidh problemin që në atë moment m’u shtrua. Në atë rast çelësat thoshin se duhej të shkruaja për Inessan. Të paktën kështu më pëlqente të mendoja. Më pas takimi me zotëruesin e librit dhe bujaria e tij ishin një tregues tjetër. Edhe pse telefonata dhe koincidencat më bënë përshtypje, nuk mund t’ia lija gjithçka rastësisë. Kur bashkëbiseduesi im filloi të më rendiste mënyrat sesi mund të m’i dërgonte volumet e tij të çmuar, kisha frikën e postës, postierëve, ndonjë mungesë, ndryshim ideje. Ku banon? – e pyeta. Në Piadena, midis Mantovës dhe Kremonës – m’u përgjigj, ndërsa unë e sajova një gënjeshtër: pas disa ditësh do të shkoja në Verona për punë dhe mund ta devijoja pak që të kaloja tek ai që t’ia merrja vetë materialet e tij të çmuara. E gjeta në një shtëpi të vogël plot libra në periferi. Një njeri shumë i ngritur, i informuar, i sjellshëm që ia kishte kushtuar letërsisë dhe studimit gjithë kohën që i mbetej pas punës së tij si nëpunës. Mburrej se nuk kishte televizor, kishte qenë komunist dhe njihte shumë histori. Fliste me ironi dhe dashuri si për një ëndërr së cilës nuk i besonte më, por që e ndihmonte përsëri që ta deshifronte të tashmen, i ofronte ato size të ironisë që të ndihmojnë të mos e pranosh i tezarur atë që ndodh. Më dha lajme shumë të dobishme: më këshilloi të shkoja tek mediateka e RAI-t, ku mund të shihja disa minuta nga funeral i Inessas. Të informohesha për oraret e muzeve që i kushtohen asaj në Pushkin, një qytezë pak kilometra nga Moska, ku Inessa kishte banuar shumë vjet. Ndërsa flisnim, e kuptova se po ma besonte historinë që nuk e kishte shkruar dhe që me një lloj melankolie jo të rafinuar, po ma dhuronte historinë. E mora. I thashë se do ta njoftoja, nëse puna do të ecte. Mezi prisja që të kthehesha në shtëpi dhe ta shihja menjëherë foton e Inessas. Ishte intensive me një bukuri jotë zakonshme. Lexova se në realitet ishte ende më e bukur. Fillova t’i shfletoja librat me një kuriozitet etje që nuk më braktisi kurrë, dora-dorës që kërkimi bëhej më i saktë, sesa dëshmitë, librat, fotokopjet që grumbulloheshin mbi tryezën time. Librave që m’i kishte dhënë ai, u shtuan të tjerë që mbërrinin nga Gjermania, Uzbekistani, nga biblioteka e ndonjë miku që papritur i kishte ardhur ndërmend, Nisesha nga një e dhënë, nga një fjali që të rrëmoja dhe ballafaqoja. Desha të kisha gjithçka që ishte shkruar në gjuhë që nuk i njihja. Mendoja se me kohë do të gjeja dhe një përkthyes. Nga ai moment filloi një aventurë. Zbulova një në orën tre pasmesante, kur ende shfletoja volume dhe mbaja shënime se kurioziteti im nuk ishte vetëm i një gazetari. Ishte dëshira që të jepje ide për një aventurë të madhe, ta dëmshpërbleje një grua që historia nuk e kishte trajtuar mirë; kisha dhe vendosmërinë ta kuptoja atë që të tjerët e kishin lënë mënjanë: ndjenjat e saj, dashurinë e saj për Leninin dhe atë të udhëheqësit të revolucionit për të. Isha e sigurtë se do ta kuptoja më shumë, sesa të tjerët. Ose më mirë, mendoja se jeta e Inessas do të më zbulonte atë që vetë ajo nuk kishte dashur, ose nuk kishte arritur në kohë ta tregonte. Ta zbuolja historinë e Inessas dhe të dashurisë midis saj dhe Vladimir Iliçit ishte një udhëtim i shtyrë nga pasioni.

Përgatiti për botim Arjan Kallço

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here