Vriten figurat kyçe/Franca dhe aleatët i shpallin luftë pa kompromis Shtetit Islamik

0
137

p1

 

Pas atentateve terroriste të Parisit, hetuesit informojnë për arrestimet e para. Gjurmët të çojnë edhe në Bruksel. Qeveria franceze do t’i vazhdojë sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik.

 

“Abu Nabil dhe Xhihadi John u vranë”, Pentagoni informoi për goditje të suksesshme nga ajri me avionë F-15 ose me drona, kundër figurave kyçe të të ashtuquajturit “Shtet Islamik”. Edhe qeveria franceze deklaron që pas atentateve terroriste në Paris, ekstremistët e Shtetit Islamik do të ndiqen me të gjitha fuqitë dhe do të eliminohen. Presidenti François Hollande dhe kryeministri Manuel Valls i deklaruan luftë ushtrisë terroriste.

Kryeministri Valls i tha stacionit TF1: “Po, ne jemi në luftë”. Franca do të veprojë për ta shkatërruar këtë armik. “Prandaj ne do të marrim masa të jashtëzakonshme. Dhe këtë luftë ne do ta fitojmë”, – shkroi Kryeministri në Twitter.

 

Franca në gjendje të jashtëzakonshme

Masakrat me deri tani 129 të vrarë dhe më shumë se 350 të plagosur ishin sipas hetuesve një aksion i komanduar i mbështetësve të xhihadistëve të Shtetit Islamik. Gjurmët e para të çojnë edhe në Belgjikë. Ndoshta atentatorët donin të shkakton një masakër edhe më të madhe. Sipas një informacioni të “Wall Street Journal” mund të ketë pasur përpjekje për një sulm edhe kundër stadiumit me 80.000 vetë, në të cilin luante kombëtarja gjermane kundër Francës. Sipas gazetës, njëri nga dorasit ka pasur një biletë për ndeshjen, por është ndaluar të futet në stadium.

Në internet u shfaq fillimisht një deklaratë e paverifikueshme, në të cilën IS e merrte përgjegjësinë për atentatet e së premtes në darkë. Në të thuhej: “Një grup besnik i ushtrisë së Kalifatit (…) sulmoi kryeqytetin e përdaljes dhe vesit”. Francën e kërcënojnë më tej se “Ky sulm është vetëm pika e parë e shiut dhe një paralajmërim. “Prokurori i Parisit, François Molins tha se terroristët patën përmendur gjatë kryerjes së masakrës Sirinë dhe Irakun. Në të dyja shtetet, Shteti Islamik zotëron territore të gjera. Franca ka ndërmarrë sulme ajrore kundër pozicioneve të ekstremistëve.

 

Uashingtoni

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se këshilltarët e sigurisë të Presidentit Barack Obama nuk mendojnë se ka elementë që ta kundërshtojnë vlerësimin francez se përgjegjës për atentatet është Shteti Islamik. Në masakrën që zgjati rreth gjysmë ore me sa duket grupe të ndryshme ekstremistësh qenë marrë vesh me njëri-tjetrin. “Ndoshta kemi të bëjmë me tre ekipe të koordinuara terroristësh, që mbajnë përgjegjësinë për këto akte barbare”, – thanë hetuesit. Shtatë terroristë u vranë. Gjashtë e patën hedhur veten në erë, të shtatin e vranë. Më parë qe bërë fjalë për tetë atentatorë. Ata patën përdorur automatikë të tipit “Kallashnikov”. Veç kësaj, ata patën veshur ekzaktësisht të njëjtat jelekë me lëndë shpërthyese, thotë Molins – “me synimin për të shkaktuar një numër maksimal viktimash duke vrarë veten”. Vetëm në sallën e koncertit “Bataclan” ata shkaktuan një masakër me 80 të vrarë.

Arrestimet e para
I pari që u identifikua nga atentatorët ishte 29-vjeçari Omar Ismail Mostefai. I riu i lindur në jug të Parisit ka qenë disa herë i dënuar për vepra të ndryshme penale dhe kishte rënë në sy për shkak të radikalizimit të tij, deklaroi prokuroria. Babai dhe vëllai i tij u morën në arrest të shtunën në mbrëmje, bëri të ditur agjencia franceze e lajmeve AFP duke iu referuar hetuesve.

Në Belgjikë, në një bastisje në lagjen e Brukselit Molenbeek u arrestuan disa vetë. Njëri prej tyre besohet se të premten në darkë ka qenë në Paris. Prokuroria nuk përmendi detaje. Autoritetet e Parisit kanë kërkuar në katër raste konkrete asistencë. Midis të tjerash fjala ishte për një automjet me qira të regjistruar në Belgjikë, i cili u gjet në afërsi të “Bataclan” në Paris.

Të maskuar si refugjatë?
Te njëri nga atentatorët u gjet një pasaportë siriane, bëri të ditur AFP që i referohet policisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Athina, në fillim të tetorit poseduesi i pasaportës pati ardhur si refugjat nga Turqia në Greqi. Në cilat vende të tjera ka kaluar ai, kjo nuk dihet, bëri të ditur Ministria e Athinës për Mbrojtjen Civile. Radioja shtetërore greke ERT bëri të ditur se edhe një person i dytë, pjesëmarrës në atentatet terroriste ka mundësi që të ketë ardhur nga Turqia në Greqi. Atentatet janë aktet terroriste më të rënda në Evropë që prej më shumë se dhjetë vjetësh. Në mars 2004, në disa atentate në trena në Madrid e humbën jetën 191 vetë dhe u plagosën rreth 2000 të tjerë – edhe këto atentate kishin lidhje me grupe islamike. Atentatet në Paris ndodhën vetëm dhjetë muaj pas atentatit ndaj gazetës satirike “Charlie Hebdo”.

Gjendje e jashtëzakonshme
Presidenti francez François Hollande ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme pas sulmit më të rëndë në kohë paqeje në Francë që prej Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë Kryeministri Manuel Valls ka thënë Franca do të vazhdojë me sulmet ajrore kundër IS në Siri, dhe e përshkroi grupin si një armik shumë të mirë-organizuar. Shteti islamik ISIS ka marrë përgjegjësinë e sulmeve të njëpasnjëshme që tronditën Parisin mbrëmjen e së premtes, e gjitha kjo për tu hakmarrë ndaj presidenti François Hollonde për bombardimet franceze të kryera në Siri. Që prej Luftës së Dytë Botërore, Franca nuk kishte njohur një sulm të këtyre përmasave në territorin e saj…Banorëve të Paris u është kërkuar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe rreth 1.500 forca ushtarake janë vendosur në gjithë qytetin.

Dyshimet për identitetin e terroristëve
Disa nga terroristët, të gjithë të moshave të reja deri në 20 vjeç janë një francezë, tre belgë dhe një refugjat sirian, që ishte regjistruar në ishullin grek të Lesbos më 3 tetor. Sipas Wallstreet Geornal njëri nga terroristët ishte i pajisur me biletë për të parë ndeshjen miqësore Francë-Gjermani. Dyshohet se njëri prej kamikazëve ishte 15 vjeç. Por nuk përjashtohet që të ketë pasur edhe të tjerë që mund të jenë arratisur dhe policia po i kërkon. Nga disa dëshmi të mbledhura nga gazeta “Le Monde” flitet për dy makina të zeza, të drejtuara nga dy të rinj rreth të njëzetave, njëra prej të cilave e regjistruar në Belgjikë dhe që tashmë është gjetur. Të dhëna të tilla sugjerojnë se tre nga atentatorët e Parisit janë shtetas belgë e vijnë nga lagjja Molenbeek e Brukselit, e njohur për një operacion antiterror të zhvilluar më herët gjatë vitit. Për rrjedhojë, një operacion i gjerë po zhvillohet nga policia belge në Molenbeek-Saint-Jean, periferia perëndimore e kryeqytetit. Sipas televizionit lokal RTBF, që citon burime të rezervuara, agjentët po kryejnë tre bastisje të njëkohshme në zonën në fjalë dhe se 5 individë janë arrestuar. Ndërkohë, është konfirmuar lajmi se në trupin e një prej kamikazëve të vdekur në Stadiumin e Francës është gjetur një pasaportë siriane. Televizioni grek Antenna News citon zv.ministrin e Brendshëm, Nikolaos Toskas që thotë: “Pasaporta e gjetur pranë kamikazit është identifikuar se i përket një refugjati sirian të regjistruar në ishullin e Lesbos më 3 tetor”. Ndërsa kanali ‘Evrope 1’ raporton për identifikimin e një atentatori të dytë. Bëhet fjalë për një shtetas francez të identifikuar nga gjurmët e gishtave. Kamikazi i lindur në lagjet periferike parisiene, ishte rreth 30 vjeç, ishte personazh i njohur për shërbimet sekrete. Ndërsa gazeta “Le Parisien” flet edhe për praninë e një gruaje mes atentatorëve në Bataclan. Por bëhet fjalë ende për hipoteza, ndërkohë autoritetet po analizojnë gjurmët e ADN-së të gjetura në vendet e ngjarjeve dhe gjurmët e gishtave të vrasësve. Ndërsa BBC, që citon burime pranë qeverisë britanike, raporton se atentatorët ishin një celulë e vetorganizuar që ishte kthyer në Francë nga Siria. Sipas rrjetit britanik, tek një nga kamikazët është gjetur edhe një pasaportë egjiptiane.
Masa të rrepta, në Britani dhe Gjermani, arrestime
Pas sulmeve në Paris shumë shtete evropiane janë vënë nën alarm. Një terminal në aeroportin e Gatewick-ut në Londër u mbyll për shkaqe sigurie dhe ka raportime që flasin për arrestimin e një personi me një çantë të mbushur me lëndë shpërthyese. Mediat britanike raportojnë se pasagjerët u evakuuan nën reshjet e shiut. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes njoftuan përmes rrjeteve sociale për shtim të forcave të sigurisë dhe kontrolleve, por nuk dihet nëse kjo ka lidhje me sulmet e Parisit apo jo. Ndërkohë, mediat gjermane flasin për të paktën një person të arrestuar në landin e Bavarisë, që me gjasa ka lidhje me sulmet e ndërmarra në Paris një natë më parë. Ministri i Bavarisë Horst Seehofer thotë se ka një hipotezë të fortë. Sipas raportimeve ka të dhëna se një burrë është ndaluar në Gjermani javës që shkoi. Ai kishte me vete automatikë, eksploziv duke e lidhur me atentatet e Parisit. BBC raporton se autoritetet franceze po bashkëpunojnë me ato belge, pasi dyshohet se sulmet mund të jenë planifikuar dhe koordinuar prej Belgjikës.

ISIS, mesazh: Do t’ju presim kokat, s’ka paqe po bombarduat
Shteti Islamik ka kërcënuar sërish Francën se nuk do të gjejë paqe për aq kohë sa do të vazhdojë bombardimet në Siri, duke marrë në këtë mënyrë përgjegjësinë për sulmet në Paris ku mbetën të vdekur mbi 130 persona dhe afër 400 të tjerë janë të plagosur. Shteti islamik ka postuar një video që sipas ‘Reuters”, një luftëtar me mjekër duke folur në gjuhën arabe i bën thirrje myslimanëve francezë të kryejnë sulme në Francë në qoftë se ata janë në gjendje të udhëtojnë në Siri vetë. Ata thonë se nuk do të ndalin sulmet dhe nuk do të gjejnë paqe për aq kohë sa vazhdojnë bombardimet në Siri. Në video janë disa xhihadistë të armatosur ndërsa njëri prej tyre që përçon mesazhin e nis fjalën e tij me përshëndetjen në gjuhën arabe “Ess Selamu Alejkum Ue Berekatu”, ndërsa më tej vijon kërcënimet në gjuhën franceze. “Ess Selamu Alejkum Ue Berekatu. Ky është një mesazh për të gjithë armiqtë e Islamit, veçanërisht Francës. Muxhahedinët në të gjithë botën nuk do të hezitojnë t’ju presin kokat. Për sa kohë ju do të vazhdoni bombardimet, ne nuk do të gjejmë paqe. Ju do të keni frikë edhe të shkoni në dyqan. I bëj thirrje vëllezërve myslimanë në Francë të cilët nuk kanë bërë xhihad, ata që s’janë në gjendje të bëjnë xhihad, e atyre që nuk e dinë se çfarë është të bësh xhihad. Dijeni se xhihadi është në çdo kohë obligim për të gjithë Ju jeni urdhëruar të luftoni qafirët (jobesimtarët) kudo që t’i gjeni ata. Çfarë po prisni?”, = thuhet në mesazh.
 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here