Standard.al

Kundër qeverisë  / Strasburgu: Pronarët të dëmshpërblehen me hartën e vitit 2008  

0

 

Gjykata e të Drejtave të Njeriut, shuplakë qeverisë për projektligjin e pronave

 

Nuk pranohen dëmshpërblimet e propozuara nga shteti shqiptar, që bazohen në një hartë çmimesh të tokave me ulje të pashpjegueshme ndaj vitit 2008

 

Ervin Kadukugjykata-strasburg

 

Para dy ditësh, u dha në Strasburg vendimi i fundit në favor të ish-pronarëve kundër qeverisë shqiptare. Në vlerësimin e Gjykatës janë shprehur qartazi konkluzionet lidhur me situatën në Shqipëri, si dhe goditen shumë fort parimet keqdashëse të projektligjit që po miratohet në Kuvend kundër ish-pronarëve.

Citojmë:

“Duke pasur parasysh natyrën joefektive të sistemit aktual të kompensimit dhe duke pasur parasysh, në veçanti, faktin se tani ka 8 deri 21 vjet që subjektet e shpronësuara presin kompensimin, Gjykata, pa i paragjykuar zhvillimet e mundshme në të ardhmen, që kanë parasysh krijimin e një mekanizmi efektiv të kompensimit, e konsideron të arsyeshme për t’u dhënë subjekteve të shpronësuara, që janë ankuar në Gjykatë, një shumë, e cila do të përfaqësojë një zgjidhje përfundimtare dhe shteruese të rasteve”.

 

Projektligji
Më 10 nëntor, Gjykata e Strasburgut mori vendimin e radhës, duke u dhënë të drejtë subjekteve të shpronësuara, që kishin paraqitur kërkesë për gjykim në atë Gjykatë.
Ky vendim merr një rëndësi të jashtëzakonshme për pronarët shqiptarë, të drejtat e të cilëve nuk po respektohen nga ana e shtetit. Së fundmi, qeveria shqiptare ka dërguar për miratim, me procedurë të përshpejtuar, një projektligj të ri, që është vlerësuar si një goditje shumë e rëndë e të drejtave të pronareve. Kalimi me procedure të përshpejtuar, duke mos marrë parasysh në asnjë germë të tij interesat e pronareve, duke i kthyer ata, nga kërkues të kthimit fizik në natyrë të pronës apo kompensimin e saj, padrejtësisht në borxhlinj të qeverisë, tregoi haptazi se ky projektligj nuk merr parasysh, jo vetëm Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, të shprehura dhe pranuara ndërkombëtarisht, por edhe të Kushtetutës Shqiptare dhe rregullave e ligjeve të derisotme.

Vullneti i kësaj qeverie u duk qartazi në miratimin e hartës së vlerës, të miratuar në vitin 2014, të cilën Gjykata e Strasburgut e hedh poshtë.

Çfarë kërkojnë pronarët
Shoqata e ish-pronarëve ka kërkuar nga shteti shqiptar sa më poshtë:

  1. Toka që nuk kthehet duhet të kompensohet me çmimet e tregut sot
    2. Çmimet nuk janë ato të miratuara në vitin 2014, por të merren për bazë çmimet e vitit 2008
    3. Çështjet e paraqitura në Gjykatën e Strasburgut do të vazhdojnë të gjykohen dhe nuk mund të urdhërohet Gjykata e Strasburgut nga qeveria shqiptare
    4. Duhet të kthehet prona fizikisht, në natyrë, në mënyrë që të ulet vlera e kompensimit, duke luftuar pa mëshirë abuzimet dhe korrupsionin me pronat, kurse në projekt-ligin e ri nuk ka kthim prone, por vetëm kompensim

Vlerësimi i Gjykatës
Para se të merrej vendimi për 12 dosje të ish-pronarëve, qeveria ka dërguar një numër të pafundmë letrash e mesazhesh në Gjykatën e Strasburgut, duke kërkuar që të llogaritej çmimi i hartës më të afërt në kohë, asaj të vitit 2014, që ndryshon shumë në ulje nga ajo e vitit 2008, p.sh.

Dhe ja si përgjigjet Gjykata:

Duke pasur parasysh natyrën joefektive të sistemit aktual të kompensimit dhe duke pasur parasysh, në veçanti, për faktin se tani ka 8 deri 21 vjet që subjektet e shpronësuara presin kompensimin, gjykata, pa i paragjykuar zhvillimet e mundshme në të ardhmen, që ka parasysh krijimin e një mekanizmi efektiv të kompensimit, e konsideron të arsyeshme për t’u dhënë subjekteve te shpronësuara, që janë ankuar në Gjykatë, një shumë, e cila do të përfaqësojë një zgjidhje përfundimtare dhe shteruese të rasteve.
Gjykata përsërit parimin e saj përcaktues se dëmi pasuror që jepet në rastet e shpronësimit të paligjshëm duhet të korrespondojë me vlerën aktuale të pronës nëse kthimi fizik në natyrë nuk është i mundur.
Gjykata shqyrtoi një çështje të ngjashme në Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë më 7 dhjetor 2010, në të cilën ajo ka arsyetuar dhe ka arritur në përfundimin se, në rastin e shpronësimeve të paligjshme, të tilla si në aplikimet e pranishme në Gjykatë, kur autoritetet duhet t’u japin kompensim në vend të kthimit në natyrë të pasurisë, shuma e kompensimit do të korrespondojë me vlerën aktuale të pronës.
Në Vrioni dhe të tjerët (i drejtë), cituar më lart, Gjykata dha kompensim në bazë të hartave të vlerësimit të pronave të miratuara në vitin 2008. Kjo metodë e llogaritjes së dëmit material është aplikuar në mënyrë konsistente në të gjitha gjykimet e mëvonshme të miratuara nga Gjykata (Manushaqe Puto dhe të tjerë, Delvina, Karagjozi dhe të tjerët; Siliqi dhe të tjerët dhe Metalla dhe të tjerët).
Në rastin konkret, Gjykata duhet të përcaktojë nëse ajo duhet t’i referohet hartave të vlerësimit të pronave të vitit 2008 apo ato të vitit 2014 për llogaritjen e dëmit monetar. Pasi shqyrtoi argumentet e palëve, gjykata bën vërejtjet e mëposhtme. Një vendim pilot “Manushaqe Puto dhe të tjerë”, në lidhje me dështimin e autoriteteve për të paguar kompensim, në vend të kthimit te pronës, u dha nga Gjykata më 31 korrik 2012. Ai u bë përfundimtar më 17 dhjetor 2012.

Gjykata nuk vendosi të shtyjë seancën gjyqësore të rasteve që kishin qenë të parashtruara para dorëzimit të këtij vendimi, por për të vazhduar shqyrtimin e tyre edhe pasi vendimi mori formë të prerë. Në lidhje me këtë, aplikimet e pranishme ishin paraqitur në Gjykatë midis 15 majit 2008 dhe 19 dhjetor 2011. Njoftimi për këto aplikime i është dërguar qëverisë nga 25 janar 2010 deri më 20 dhjetor 2013.
Gjykata nuk është bindur nga propozimet e qeverisë. Në radhë të parë, hartat e vlerësimit të pronës 2014 janë miratuar pas sjelljes së ankimeve në Strasburg, që po shqyrtohen në përputhje me udhëzimet e përcaktuara në vendimin pilot. Në këndvështrimin e Gjykatës, referenca për hartat e vlerësimit të vitit 2014 do të sillnin pabarazi në trajtimin e aplikantëve.
Së dyti, Gjykata mendon se transaksionet e regjistruara në Hipotekë nuk pasqyronin në përgjithësi dhe nuk pasqyronin domosdoshmërisht vlerën reale të tregut, si rezultat i evazionit fiskal të kryer nga palët në një kontratë të shitjes. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se mbështetja në çmimet e shitjes të transaksioneve të regjistruara do të jetë në mospërputhje flagrante me parimin e mirë-vendosur që kompensimi, në rastet e shpronësimit të paligjshëm, duhet të korrespondojë me vlerën e tregut dhe Gjykata nuk ka detyrë për të treguar masat për të frenuar dhe luftuar evazionin fiskal.
Së treti, dhe e lidhur ngushtë me arsyen e dytë, Gjykata është e shqetësuar se çmimet e pronave në disa qytete, veçanërisht në zonat që përjetojnë një rritje të zhvillimit relativisht të lartë, të tilla si qendër të kryeqytetit, Tiranë, kanë pësuar nga qeveria një rënie të madhe në hartën më të fundit. Gjykata nuk është në gjendje të flasë lidhur me arsyet për rënie të tillë, por ajo nuk është e bindur se ato objektivisht pasqyrojnë vlerën aktuale të tregut.
Duke pasur parasysh vlerësimet e mësipërme, Gjykata e Strasburgut arrin në përfundimin se ajo duhet të përcaktojë dëmin financiar mbi bazën e hartave të vlerësimit të pronës të vitit 2008.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.