Fjalimi në Parlament / Blushi: Parlamenti si paraburgim, në vend të shqiptarëve, të ikim ne. Po politika a shkon në burg?!

0
134

 

“Ka vetëm dy mundësi: E para, populli shqiptar, nëse merr vendime për të na nxjerrë të gjithë jashtë, sigurisht që ne nuk e ndalojmë dot. E dyta është drejtësia, nëse funksion një pjesë e madhe e anëtarëve të këtij Parlamenti, nuk mund të shkelin më këtu”

 blushi ne parlament

Përmes një fjalimi kritik dhe me tone të forta akuzuese për ligjvënësit shqiptarë, deputeti socialist Ben Blushi theksoi dje në foltoren e Parlamentit se vetëm përmes një drejtësie që funksionon mund të ndryshojë situata aktuale. Në fjalën e tij Blushi u ndal edhe tek fenomeni i azilkërkuesve, ku largimi i të cilëve, sipas tij, tregon gjendjen e vështirë në vend dhe nga ana tjetër ndoshta reflekton, sipas tij, faktin se ka ardhur koha që të largohen politikanët nga karriget e tyre. Po ashtu, Blushi foli edhe lidhur me masat e rrepta në kuadër të luftës kundër informalitetit apo korrupsionit, ndërsa bëri pyetjen: Po si politikan a shkon në burg?

 

Ka aq shumë njerëz me të shkuar kriminale këtu, saqë nganjëherë më duket vetja sikur jam në kushtet e paraburgimit dhe kjo s’është për të qeshur dhe pa dyshim mbetet, është në turpin e atyre që i sollën, i përdorën për vota dhe po i mbrojnë akoma sot, për shkak se me këtë i kanë vënë një damkë këtij Parlamenti, i cili do të hyjë në histori si Parlamenti më qesharak dhe më i turpshëm që kemi pasur në jetë. Por fatkeqësisht ky Parlament është legjitim. Populli shqiptar i ka votuar të dyja palët, sepse nuk ka pasur një ofertë më të mirë. Nuk ka votuar për emrat, por për listat e partive. Çdo njeri këtu, megjithëse nuk është në vendin që i takon, prapë është legjitim. Pyetja ime është kjo: A do të ishte ky Parlament kaq i ndotur dhe kaq i shëmtuar, nëse në Shqipëri do të kishte pasur drejtësi të pavarur? Unë them se jo.

Drejtësia dhe vetëm drejtësia do duhej të ishte dhe mund të jetë e vetmja rrugë për të penguar ndotjen e politikës. Një drejtësi e pavarur që nuk barazon kriminelin me të drejtin është e vetmja dhe e fundmja mundësi për të pastruar këtë Parlament. Prandaj, reforma në drejtësi është reformë politike. Unë nuk besoj më se të dyja palët në këtë Parlament dhe për më tepër ata që kanë mundësi të marrin vendime në emër të dy palëve kanë fuqi, aftësi, kompetencë dhe vullnet për ta pastruar këtë Parlament. Ka vetëm dy mundësi, që ende nuk janë konsumuar. E para, populli shqiptar, nëse ai merr vendim për të na nxjerrë të gjithë jashtë, sigurisht që ne nuk e ndalojmë dot, por kjo akoma nuk ka ndodhur. E dyta është drejtësia. Nëse drejtësia funksionon, një pjesë e madhe e anëtarëve të këtij Parlamenti nuk mund të shkelin më këtu.

Për shkak se unë e kam këtë bindje prej kohësh, besoj se reforma në drejtësi është reforma e reformave, jo vetëm si kusht i BE-së, por si shpagim yni, sepse ky Parlament ka vetëm një shans që të lajë llogarinë me zgjedhësit e tij, me të cilët është në borxh, duke reformuar sistemin e drejtësisë. Ose, më saktë, duke iu dorëzuar drejtësisë. Ky do të ishte i vetmi dhe i fundit akt moral që ia vlen të mbahet mend prej nesh. Prandaj, çdo truk procedural që mund të përdorni ju për të kushtëzuar dekriminalizimin me reformën e drejtësisë, në fund fare është truk i pavend dhe i pagjetur. Sepse, unë besoj se vetëm drejtësia e pavarur mund ta përmirësojë politikën në Shqipëri. Vetëm një drejtësi e pavarur mund të na detyrojë të kemi frikë nga ligji, të ndëshkohemi dhe të mbajmë përgjegjësi për aktet tona personale.

Ka një debat të madh, që e bëjmë ne dhe ata jashtë: Kush meriton realisht të shkojë në burg? Sot shkon në burg si shofer se shkel semaforin, si student se proteston, shkon burg si klient se nuk ke kupon tatimor, si sipërmarrës se nuk paguan taksat, si fukara se të prishet çatia e shtëpisë e nesër e ndërton pa leje. Shkon në burg edhe si gazetar se ose thua të vërtetën, ose deformon të vërtetën, sipas kutit të propozuesve. Po pyetja është: Po si politikan a shkon në burg?

Se si shofer shkon në burg, si fukara po, klient po. Po politikani a shkon në burg?! Deri tani nuk ka ndodhur. Të gjithë kanë shkuar ose janë gati për të shkuar në burg, por një politikan që shkon në burg nuk kemi parë. Dhe kjo nuk është pyetja ime, është e njerëzve jashtë kësaj salle. Ka një ndryshim të madh mes zanateve që përmenda: shoferi, sipërmarrësi, gazetari, klienti, berberi. Çfarë janë këta? Këta janë zgjedhës. Nëse ata janë zgjedhës, ne jemi të zgjedhur.

Pse zgjedhësit shkojnë në burg dhe të zgjedhurit nuk shkojnë asnjëherë në burg? Kjo është çështja: Sepse ne nuk kemi bërë asnjë ligj, asnjë reformë, që të na ndëshkojë ne. Edhe kur është e detyrueshme dhe e dukshme, ne përdorim procedurën për të shmangur drejtësinë. Po zgjedhësit, në këtë rast berberi, shoferi të na pyesë: Po pse ne shkojmë në burg dhe ju nuk shkoni në burg asnjëherë? Ka ardhur koha të japim përgjigje serioze. Nëse kjo përgjigje vonohet, do të vijojmë të jemi ai vendi që u përmend sot këtu, 1 milion njerëz në emigracion kemi çuar. Një qytetar nga Elbasani zhduket çdo vit. Nuk ikën se është i varfër, ikën sepse nuk ka drejtësi. Sepse beson se ata që bëjnë më shumë dëm, nuk ndëshkohen asnjëherë. Çfarë ndodh në Shqipëri sot? 70% e njerëzve që çojmë nëpër shkolla, nuk gjejnë punë kur dalin nga shkolla. Nuk ka asnjë vend që punëson më pak rininë se ne. Nuk ka asnjë vend që edukon më keq rininë se ne. Çfarë do të bëjnë ata të rrinë këtu, të na dëgjojnë ne, sigurisht që ikin. Pyetja është: Pse po ikin? Ne mund të mos kemi përgjigje për këta njerëz.

E thashë nuk po ikin se janë vetëm të varfër, sepse të varfër ka në të gjithë botën, por po ikin se besojnë se ata që i bëjnë dëm më shumë këtij vendi, që jemi ne, nuk ndëshkohen dhe nuk kanë për t’u ndëshkuar. Ndëshkimi i tyre për pandëshkueshmërinë tonë është braktisja jonë, se nuk ka rrugë tjetër. Ne jemi e vetmja klasë politike në Evropë që po i ikin zgjedhësit e vet. Besoj se ka ardhur koha të ndëshkojmë veten tonë. Në vend të shqiptarëve të ikim ne, ose t’i dorëzohemi papunësisë, ose drejtësisë. Rrugë të tretë nuk ka për ne. (Fjalimi i Blushit në Parlament)

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here