Vendimi në fshehtësi / Rama vs media, qeveria ligj për shpifjen: 3 vjet burg kush flet pa fakte për funksionarët e lartë

0
101

 

Pasi Berisha e dekriminalizoi shpifjen 3 vite e gjysmë më parë, Rama megjithëse e mbështeti në atë kohë, tashmë është tërhequr dhe rikthen dënimin me gjobë

 

rama me gazetaretGëzim Saliu

 

Qeveria ashpërson marrëdhëniet me median. Pas kritikave të njëpasnjëshme të Kryeministrit ndaj mënyrës që, sipas tij, përdor media për të transmetuar informacionin tek publiku, qeveria ka hedhur një hap më tej, duke miratuar një amendim në Kodin Penal, që parashikon rikthimin si vepër penale të shpifjes ndaj funksionarëve publikë dhe të zgjedhurve. Ndonëse kur 3 vite e gjysmë më parë, Kryeministri i asaj kohe, Berisha, dekriminalizoi shpifjen, pati edhe mbështetjen e kreut të opozitës së kohës, Rama, ky i fundit duket se ka ndryshuar qëndrim tashmë që mban postin e kreut të qeverisë. Sipas projektligjit të ri të miratuar nga Këshilli i Ministrave, që në mes të tetorit, shpifja do të dënohet me gjobë e cila shkon deri në tre vjet burg për ata që flasin e përçojnë informacion pa fakte ndaj funksionarëve të lartë të shtetit.

 

Qeveri vs media

Kriminalizimi i shpifjes vjen pas disa mesazheve që kishte dhënë më parë Kryeministri Rama, si në Parlament ashtu edhe në dalje të ndryshme publike, ku kishte folur për domosdoshmërinë e marrjes së masave ndaj atyre që përflasin funksionarët e shtetit pa fakte. Deklarata të tilla kanë hasur kundërshtinë e opozitës në Kuvend, ndërsa aleatja kryesore e PS-së, LSI-ja, ende nuk ka dhënë një qëndrim të qartë për këtë çështje. Rëndësia e konsensusit të partisë së Metës për këtë nismë të qeverisë është e madhe, pasi amendimi i Kodit Penal kërkon të paktën 84 vota që të miratohet. Kujtojmë se disa kode, si ai Rrugor, Penal si edhe ligji i nëpunësit civil vijojnë të jetë në axhendën e Parlamentit dhe nuk kalojnë për miratim, për shkak të mosdakordësisë së PS-së dhe LSI-së. Ndërkaq, vetëm dy ditë më parë, në konferencën e përbashkët për shtyp me ambasadoren e BE-së Vlahutin, lidhur me progres-raportin e KE-së, Kryeministri Rama foli për “media kënetë”. Mjaftoi pyetja nëse Meta po imponon ndryshime të tjera në qeveri, që kreu i qeverisë të kritikonte mediat, të cilat, sipas tij, flasin pa asnjë fakt. “Çfarë të komentoj? Këto janë lajme nga këneta. Kur flas për këneta mediatike, nuk flas për mediat në përgjithësi, por për kënetat mediatike ku operon media shqiptare. Media këtu ka të gjithë lirinë të thotë çfarë të dojë, ka lirinë të shpifë sa të dojë, ka të drejtën të akuzojë kë të dojë, ashtu sikundër unë besoj se media nuk mund të sillet si lulja mosmëprek. Ta harrojë çdo pronar mediash në qeveri se do të marrë gjë të paligjshme se ka një top në dorë që të qëllojë qeverinë. Jemi bashkëvuajtës, por jo bashkëfajtorë”, – u shpreh Rama. Ndërkohë, amendimin e Kodit përmes propozimit të Kryeministrit, qeveria e mbron duke theksuar se shfuqizimi tre vjet më parë i veprës penale të shpifjes ndaj zyrtarëve të lartë ishte një veprim i parakohshëm, me impakt negativ dhe që ka nxitur shpifjen në emër të lirisë së shprehjes. “Arsyeja e propozimit të kësaj dispozite është ajo e penalizimit të cilitdo që, duke abuzuar me lirinë e shprehjes, përhap qëllimisht, me çfarëdolloj mjeti dhe mënyre, shpifje ndaj një zyrtari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, të natyrës të tillë që i ngarkon këta të fundit me fakte që ligji penal i parashikon si vepra penale”, – thuhet në projektligjin e qeverisë.

 

Box

Pikat kryesore të projektligjit për kriminalizimin e shpifjes

 

-Kushdo është i lirë të shprehë një opinion pozitiv ose negativ për një çështje të caktuar, sikundër dhe për një person. Megjithatë, si për çdo liri apo të drejtë, rastet e abuzimit në emër të tyre nevojitet të sanksionohen, duke riafirmuar se çdo liri apo e drejtë ka dhe kufijtë e saj të ushtrimit

-Pështjellimi, që “denoncime” të tilla shpifëse shkaktojnë në opinionin shoqëror, është i tillë që cenon maksimalisht dhe mbi të gjitha ndjenjën e sigurisë dhe të besimit që shteti nëpërmjet përfaqësuesve të tij më të lartë shtetërorë përçon dhe ka për detyrë të përçojë te qytetarët.

-Çdo qytetar që preket nga fyerja dhe shpifja në përgjithësi ka mundësi të mbrohet duke zgjedhur rrugën penale ose atë civile ose të dyja bashkë, ndërkohë që është e paarsyeshme që përfaqësuesit më të lartë të shtetit, të zgjedhurit e tij, të mos kenë mundësinë të përfitojnë nga mbrojtja në rrugë penale, që është një rrugë absolutisht më e shpejtë dhe më garante në pikëpamje të ndarjes të së vërtetës nga e pavërteta

-Vepra penale konsumohet nëpërmjet veprimeve aktive shpifëse që i atribuojnë një funksionari të lartë shtetëror ose një të zgjedhuri kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve, që ligji nga ana e tij i parashikon si vepra penale.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here