UNESCO ndëshkon shqiptarët e përçarë!

0
145

Nga Hamza Hatika

Krahina verilindore e Shqipërihatikasë, Kosova, e futur në axhendën e njohjes së atyre që na copëtuan rreth një shekull më parë ne si komb, nuk u pranua për vetëm 3 vota anëtare në UNESCO…!

Djepi i kulturës botërore nuk i zgjoi dot nga gjumi letargjik shqiptarët dhe dështimi e pesimizmi mbetet përsëri atribut vetëm yni.

Peshorja diplomatike anoi sërish nga e padrejta me të padrejtë dhe flirtimet e botës pansllaviste me kancelaritë ekstrabizantine krijuan rishtas një rreth të mbyllur vicioz për shqiptarët në Ballkan. Kosova e shpalli pavarësinë e saj në 17 shkurt të vitit 2008 e deri më tani e kanë njohur 111 vende të botës, ndërkohë që për t’u bërë pjesë në UNESCO i duheshin edhe 95 vota, por për habinë historike asaj i munguan votat e 19 vendeve që edhe e kanë njohur pavarësinë e shtetit më të ri evropian. Të gjithë ne jemi dëshmitarë të marrëzive që i bëjmë në radhë të parë vetvetes dhe më pas kombit tonë, por edhe parlamentet janë kthyer në telenovela turpi.

A nuk jemi ne ata që gjithçka e komentojmë edhe kur s’jemi kompetentë, që akuzojmë njëri-tjetrin deri in extremis, por asnjë punë s’e bëjmë me ndërgjegje dhe abuzojmë kudo e për çdo gjë…?! Dhe, si përfundim, asnjë i dënuar real nga kjo retorikë akuzash në masmedia dhe në Parlamentin me kryeaxhendë të tij dekriminalizimin nuk e kemi akoma.

Aty, në tempullin e fjalës së lirë, me 17 deputetë tashmë me dosje penale, nuk ka fare liri dhe kulturë interpretimi të problemeve të mbarë shoqërisë, aty kur një gruaje mjeke, nëne dhe deputete i thuhet kafshë, sepse ajo po kërkon të shpëtojë një fëmijë që lëngon!

Pikërisht nga biri i ish-akademikut, prof Hamit Beqes, këto fjalë magjike, kulturë dhe trashëgimi, lënguan e rënkuan më shumë sesa edhe ajo vetë se kishte menduar.

Dhe për çfarë kulture duhet të votohemi ne apo parlamentarët dhe diplomacia e Kosovës që, për të mos lëshuar pushtetin, lanë pa pushtet dhe qeveri vendin për gjashtë muaj, duke rikthyer eksodet dhe tymi e gazi lotsjellës janë prolog i seancave parlamentare.

Kultura në minimum dhe deliri i madhështisë në maksimum, ATA, para masmediave që i kontrollojnë nga zyrat e tyre të shtypit pranë kryeministrive janë direkt edhe kontrolli i kulturës që masmedia jonë na përcjell e kuruar nga politika. Pushteti i katërt që duhet të reflektojë pa censurë dhe dinjitet profesional e përgjegjësi mbarëkombëtare, me kulturë dhe etikë të vërtetën e ditës dhe të historisë, ka dalë totalisht nga funksioni.

Blendi Fevziu vetëm sa hapi paksa siparin e kësaj maskarade, por ajo shpejt u shua, sepse ora e së vërtetës historike mungon kudo, në çdo fushë të jetës dhe disa sekonda të vetme të ofruara nga ai nuk mundet të bëjnë dot minutin e kështu me radhë deri në revolucionin e munguar që pret çentilin të ndizet.

Kjo kulturë dhe kjo politikë diplomatike e munguar në gen dhe me dëshirë për ta sabotuar ka qenë e destinuar të dështojë sistematikisht dhe mosvotimi nuk ka pse të na ligështojë, pasi ne vetë kemi investuar seriozisht për këtë orë të zezë të historisë.

Pra, kultura e dobët mbarëkombëtare si edhe mohimi flagrant i historisë së kombit, ku akoma mungon një libër i historisë sonë kombëtare dhe të mbarëmiratuar nga akademikët dhe intelektualët për të shporrur kriminelët-heronj dhe heronjtë e heshtur t’i ngremë në piedestal, a quhet kjo kulturë e munguar dhe e dhunuar nga ku edhe degjeneron e vërteta historike? Presidenti i Republikës, i pesti në radhë, akoma nuk i ka hequr dekoratat e ish-diktatorit Enver Hoxha, përse kjo frikë dhe kjo heshtje ndaj krimeve të tij? Ai renditet i dyti pas Stalinit për krime ndaj njerëzimit, por këto janë fakte që i pranojmë dhe nuk ka pse të ligështohemi kur na votojnë kundër shtetet për në shtëpinë e kulturës dhe të dijes. Bashkëjetesa me krimin dhe me të kaluarën si edhe mosvlerësimi real i miqve e armiqve historikë apo edhe i aleatëve strategjikë solli një leksion historik dështimi nga i cili duhet nxjerrë mësim urgjent në shkallë mbarëkombëtare nga inteligjenca e kombit ku ata jetojnë. Akademikët, profesorët, doktorët e shkencëtarët me intelektualët më në zë të kombit tonë kudo ku ata jetojnë në çdo cep të globit duhet të mblidhen në një tryezë urgjente për të analizuar dështimin dhe të miratojnë një rezolutë unanime për strategjinë dhe diplomacitë tona, të cilat duhet t’i zbatojnë ato sipas të drejtës ndërkombëtare për të mos ndodhur një dështim i dytë fatal. Kjo nuk ishte një shuplakë thjesht për pellazgët e parë në gadishullin e vjetër. Ishte kjo një shuplakë edhe për amerikanët, aleati ynë strategjik, ishte për krejt botën euroatlantike që udhëhoqi dhe investoi para e gjak të ri njerëzor për ta bërë Kosovën shtet të lirë, sovran e të pavarur. Qeveritë duhet të mblidhen urgjent me të vetmen axhendë: diplomaci me miqtë dhe aleatët strategjikë e konsultime dypalëshe mes tyre për të ardhmen e kombit me plane dhe detyra konkrete. Kjo situatë drastike me eksodet gjatë 2 viteve të fundit, me rreth 100 mijë të rinj azilantë, po i ndëshkon këto qeveri moralisht, por më mirë do të ishte një protestë dhe revolucion masiv sikundër në Rumani. Pseudoreformat dhe tenderët abuzivë me 1 miliard $ dëme për vetëm 2 vite qeverisje sollën edhe dështimin e pamerituar në sferën më të lartë të politikës, në diplomacinë e shtetit amë, i cili edhe e propozoi këtë anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën. Progres-raporti i Komisionit Evropian, prej të cilit nuk u hapën negociatat për anëtarësim, ishte një tjetër shuplakë për lëkurën e paregjur të politikës, por që populli po e paguan atë me gjak dhe sakrifica, me taksa dhe orë errësire, me vetëvrasje dhe largime masive drejt azileve pa shpresë. Por, a duhet shkuar në votimin e radhës në vitin 2017 pa një axhendë të qartë mes faktorit shqiptar për ta rifituar betejën me klanin sllav, i cili pas ringritjes së Rusisë po kërkon revanshin e humbur pas dy dekadash?!

Kur shikon që Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare e drejton një shtetas grek prej 23 vitesh dhe kur në mes të Tiranës përurohet kisha e “Ngjalljes së Krishtit” dhe merr pjesë Kryepeshkopi serb Irinej, i cili deklaron se “Kosova është jona dhe shqiptarit është pak t’i pish gjakun”, ai person duhej shpallur non grata, ndërsa ai me Janullatosin pozojnë krenarë dhe të lumtur mes politikës shqiptare, kjo nuk është e panjohur për ne. Dhe kush reagoi për këtë fyerje mbarëkombëtare? Po ne shqiptarët, a kemi shkuar kund dhe a u kemi treguar dhëmbët dhe buzëqeshjen cinike kujt, siç edhe na e bëjnë ne, grekët dhe serbët ditën me diell…?!

Madje, minoritetet e tyre gëzojnë të gjitha të drejtat, po ne pse nuk kërkojmë të drejtën e reciprocitetit, por gjithmonë të parët për paqe dhe liri ndaj tyre dhe minoritetet tona të fundit aty ku jetojnë për paqe dhe liri?! Latinët thonë: Të bësh gabim është njerëzore, të përsëritësh gabim është djallëzore ose budallallëk! Ku renditemi ne sipas vetes dhe botës për këtë proverb?!

Betejat që ne po i humbasim dita-ditës kudo, janë pa fund dhe në çdo fushë, ato denoncohen kudo, por nuk po ndëshkohet asnjë fajtor, e për më tepër nuk mbahen qëndrime popullore, si edhe reflektim për të mos gabuar dhe humbur mundësitë që ne kemi për të jetuar të lumtur në tokën tonë. Raportet e ndryshme vijnë gjithmonë negative dhe të fundit në renditje, por përse akoma nuk ka ndëshkime dhe pastrime radikale, kur paskemi kaq shumë krime, vjedhje dhe korrupsion me pasoja direkt mbi jetët dhe xhepat tanë, për të ardhmen tonë si komb i copëtuar, nga 94 mijë km2, jetojmë në 28.2 mijë km2. Banka Botërore në raportin vjetor për lehtësinë e të bërit biznes, që vlerëson faktorët që lehtësojnë ose pengojnë biznesin në 189 vende të botës, tregon se Shqipëria ka humbur 35 vende krahasuar me raportin e mëparshëm, duke zbritur nga vendi 62, në të 97-in për këtë vit. Ne shqiptarët, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, me klasën politike që vetë kemi zgjedhur të na drejtojë, po tregojmë gjithnjë e më shumë se nuk jemi atdhetarë, se në njëfarë mënyre, ATA paskan pasur njëfarë të drejte ku disa radikalistë që na kanë akuzuar shpesh se nuk dimë të bëjmë shtet, po vetë ne themi që nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë! Po kush do ta bëjë Shqipërinë, po s’e bëmë ne? A bëhet shteti duke u ngritur kundër vetvetes, për hir të interesave të disa oligarkëve, që po e mbajnë peng kombin tonë!? A bëhet shteti duke ndëshkuar me burg të varfrit 90 e kusur vjeçarë dhe duke privilegjuar kastën, që po bën kërdinë me paratë e shqiptarëve?! UNESCO, si shtëpia e dijes dhe e kulturës mbarëbotërore, na dha një leksion historik që e dinim, por s’e pranonim faqe vetes, se jemi pa kulturë për votën e lirë dhe historinë e përsërisim me të njëjtat gabime, por ku jemi ne aty realisht me kombet që aderojnë… Raportet e fundit dhe kjo situatë e nderë braktisjeje vatani, vjen; “The Economist”, e cila parashikon revolta dhe protesta, sepse jemi në krizë identiteti dhe pastaj politike-ekonomike, por ne trima jemi vetëm në rrjetet sociale dhe të nesërmen vetëm ankohemi për gjithçka sikur nuk jemi ne vetë fajtorët dhe pagatorët e kësaj situate… Kjo situatë e tejndezur, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, për shkak të një klase politike antikombëtare e lidhur mes tyre edhe në biznese, po na mban peng në këtë epokë të integrimeve globale e kjo, as më shumë e as më pak, ka prodhuar me përpikmëri kompjuterike ngecjen tonë të radhës!

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here