Samiti i Maltës për refugjatët, BE ndihmë për vendet afrikane

0
146

refugjate ne anije

 

Takimi dyditor në Maltë që nisi dje dhe vazhdon dhe gjatë ditës së sotme i një grupi prej më shumë se 60 udhëheqësish nga Afrika dhe Bashkimi Evropian ka për qëllim përmirësimin ndaj krizës së refugjatëve. Ndërkohë, në këto kushte agjencia turke e lajmeve “Dogan” njofton se 14 njerëz humbën jetën dhe 27 u shpëtuan nga autoritetet e Turqisë, kur gomonia e tyre u fundos, ndërsa udhëtonte drejt ishullit grek Lesbos. Bashkimi Evropian tha se takimi i nivelit të lartë do të fokusohet në trajtimin e arsyeve se pse njerëzit po largohen nga vendet e tyre, për të organizuar më mirë proceset e ligjshme të migracionit, shtimin e mbrojtjes për migrantët, luftën kundër trafikantëve dhe përmirësimin e bashkëpunimit me vendet afrikane lidhur me kthimin e atyre që nuk kualifikohen për azil. Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, foli në prag të takimit të sotëm: “…Si për dhënien e vizave apo fondeve për zhvillim apo për të luftuar trafikantët, ky takim është rreth veprimeve konkrete që do ndërmarrim”. Si pjesë e përpjekjeve, Evropa po ofron 1,8 miliardë euro dhe pret që edhe vendet e bllokut të bëjnë premtimet e veta për kontribute. Qëllimi i një nisme të tillë është zbutja e problemeve ekonomike, si dhe të atyre të sigurisë, që po shkaktojnë eksodin masiv, si dhe bindja e vendeve afrikane, që të marrin mbrapsht më shumë prej azilkërkuesve të refuzuar. Ndërkohë, Sllovenia nën masa të rrepta sigurie filloi dje punën për ndërtimin e një gardhi me tela me gjemba përgjatë kufirit me Kroacinë. Sllovenia tha se kërkon kontroll më të mirë mbi prurjet e migrantëve që kalojnë nëpër territorin e saj në rrugëtimin e tyre nëpër kontinent. Rrugëtimin e rrezikshëm përmes Mesdheut e kanë ndërmarrë këtë vit nga Afrika 150 mijë persona, pjesa dërrmuese e të cilëve kanë zbarkuar në Itali e Maltë. Samiti i sotëm ishte planifikuar që pas mbytjes së një anijeje me refugjatë në brigjet e Libisë në muajin prill, ku humbën jetën gati 800 vetë. Por nga atëherë, fokusi i BE-së është spostuar në Lindjen e kontinentit të vjetër, ku emigrantët – kryesisht sirianë – vërshojnë pa pushim prej muajsh, duke mbërritur si fillim në Turqi e Greqi, për të vazhduar udhëtimin drejt veriut të Evropës përmes vendeve të Ballkanit. Më shumë se 60 udhëheqës nga Evropa dhe Afrika do të diskutojnë përgjatë takimit dyditor në Valeta të Maltës mbi lëvizjet masive të njerëzve, që e kanë vendosur bllokun evropian përballë presionesh të mëdha, aq sa ministri i Jashtëm i Luksemburgut profetizoi të hënën kolapsin e BE-së, nëse ky ngërç nuk merr fund. Në fjalën e mbajtur përpara Parlamentit Maltez në vigjilje të samitit, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, u shpreh se plani i udhëheqësve evropianë është të arrihet më tepër progres në uljen e varfërisë dhe parandalimin e luftërave. Ai shtoi se deri në 2050-ën, popullsia e Afrikës pritet të dyfishohet dhe se, në këto kushte, veprimi është i domosdoshëm, sidomos duke parë darën në të cilën e kanë vendosur solidaritetin evropian, refugjatët që mbërrijnë nga vatrat e konfliktit në Lindjen e Mesme. Korrespondentët e huaj mendojnë se, në këmbim të ndihmës për zgjidhjen e krizës, krerët afrikanë do të këmbëngulin në krijimin e një rruge, e cila t’i lejojë një numri më të vogël qytetarësh të tyre emigrimin e ligjshëm në Evropë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here