Për tenderin e monitorimit të ajrit / Noka: “Kioska e celularëve” liroi rrugën për avionët e drogës. Kodheli: Radarët s’punonin nga 2011-ta

0
121

 

Debati në Kuvend, PD: Vendi nuk ka asnjë rrezik tjetër jashtë korrupsionit qeveritar. Ministrja: Ftoj deputetët e PD-së të kalojnë nga zyra ime dhe të vlerësojnë vetë dokumentet

 

komisioni i siguriseGëzim Saliu

 

Akuzat e shumta të opozitës për Ministrinë e Mbrojtjes, kryesisht lidhur me tenderët e zhvilluar nga ky dikaster, u përcollën dje drejtpërsëdrejti në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ku e ftuar ishte ministrja Mimi Kodheli. Deputetët demokratë shprehën një sërë kritikash ndaj tenderit për monitorimin e hapësirës detare. Për PD-në, kompania në dy vjet nuk ka ushtruar funksionin e saj, gjë e cila ka bërë, sipas demokratëve, që Shqipëria të kthehet në vend kryesor të trafikut të drogës nga ajri dhe deti. Sipas Flamur Nokës, ky tender është jashtë çdo lloje kriteri ligjor dhe nuk siguron aspak mirëmbajtjen e radarëve me synim monitorimin e hapësirës ajrore. “T’i japësh tender një kioske që riparon celularë për të monitoruar hapësirën ajrore pastaj i bie që t’u japësh visto me të dyja duart avionëve të drogës të cilët kanë qarkulluar dhe kanë patrulluar dy vjet hapësirën ajrore”, – tha deputeti i PD-së. Ndërkaq, akuzave të opozitës ministrja e Mbrojtjes iu përgjigj duke pohuar se radarët nuk kanë punuar që prej vitit 2011 dhe shkak për këtë, sipas saj, është bërë mosfirmosja e kontratave nga qeveria “Berisha”. “Radarët nuk kanë punuar nga 2011-ta, se Ministria e Mbrojtjes e asaj kohe nuk ishte në gjendje të tenderonte për arsye se nuk kishte bërë kontrata fare për 2012-ën dhe 2013-ën”, – vijoi ajo duke theksuar se kjo kompani ka fituar tender edhe në 2004-ën. “Ftoj deputetët e opozitës të kalojnë nga zyra ime dhe të vlerësojnë vetë dokumentet”.

 

Debatet

Në mbledhjen e Komisionit në qendër të diskutimit ishte plani afatgjatë për forcat e armatosura 2015-2025, i cili u miratua vetëm me votat e mazhorancës, pasi, sipas opozitës, ai nuk është konsultuar me Presidentin e Republikës dhe as me deputetët e saj. Sipas Nokës, vendi nuk ka asnjë rrezik tjetër jashtë korrupsionit qeveritar. “Korrupsioni në radhët e qeverisë është rreziku i shqiptarëve. A e keni pyetur ju Presidentin për ligjin? A keni diskutuar me opozitën për këtë dokument (Ne nuk kemi marrë ftesë)? A ka plagjiatura? Po tek buxheti është respektuar marrëveshja e Uellsit?”, – pyeti ai. Ministrja e Mbrojtjes në përgjigje të akuzave në formë pyetje të ngritura nga opozita u shpreh se Presidentit i është dërguar ftesë për diskutime, por përgjigja e ardhur ka qenë: Presidenti flet vetëm me dekrete. “I kemi dërguar ftesë Komisionit të Sigurisë, sa i takon çështjes së konsultave me opozitën. Samiti i Uellsit, vijoi Kodheli, sqaron se buxheti i anëtarëve deri në buxhetin e vitit 2020 duhet të rritet deri në 2%”, – tha Kodheli. Më tej ministrja theksoi se kuadri ligjor qartëson udhën që duhet ndjekur për miratimin e akteve nën ligjore. “Niveli harxhimeve do të jetë 1% e buxhetit e prej këtij fondi do të burojnë dhe miratimi i këtyre akteve nënligjore, që do jenë rrjedhë e strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes të miratuar më herët. Kjo i jep formë ligjit, që të mos ngelet vetëm në letër”, – vijoi Kodheli. Ndërkohë Gjenerali Baze, tha se ky dokument si risi ka ndryshimin e objektivave të vendit tonë dhe strategjisë së sigurisë së saj, në kuadër dhe të aleancës në NATO dhe kohëzgjatjes së saj. “Dokumenti merr në konsideratë mjedisin strategjik, ku nuk parashikohen ndryshime dramatike në këtë drejtim dhe së dyti në rritjen e kapaciteteve shërbimeve dhe logjistike në kuadër të angazhimeve dhe impenjimeve të marra me NATO-n”, – u shpreh ai.

 

Debatet në Komision

Flamur Noka: T’i japësh tender një kioske që riparon celularë për të monitoruar hapësirën ajrore pastaj i bie që t’u japësh visto me të dyja duart avionëve të drogës të cilët kanë qarkulluar dhe kanë patrulluar dy vjet hapësirën ajrore.

Mimi Kodheli: Radarët nuk kanë punuar nga 2011-ta, se Ministria e Mbrojtjes e asaj kohe nuk ishte në gjendje të tenderonte, për arsye se nuk kishte bërë kontrata fare për 2012-ën dhe 2013-ën.

Flamur Noka: Korrupsioni në radhët e qeverisë është rreziku i shqiptarëve. A e keni pyetur ju Presidentin për ligjin? A keni diskutuar me opozitën për këtë? A ka plagjiatura? Po tek buxheti është respektuar marrëveshja e Uellsit?

Mimi Kodheli: I është dërguar ftesë për diskutime, por përgjigjja e ardhur ka qenë: Presidenti flet vetëm me dekrete. I kemi dërguar ftesë Komisionit të Sigurisë, sa i takon çështjes së konsultave me opozitën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here