Për Ministrinë e Drejtësisë / LSI detyron Ramën për ndryshime në qeveri, dorëhiqet Naço. Kryeministri emëron Manjanin

0
158

 

Meta: Naço me dorëheqjen e tij ka gjykuar se jep një kontribut për të ndihmuar në realizimin e një bashkëpunimi të kërkuar prej kohësh dhe në nivel të ri

 

dorehiqet NacoGëzim Saliu

 

Kishte kërkuar prej muajsh “impulse” të reja, por aleati i tij kryesor, me devizën “ndryshimet vërtetojnë në dështimin”, nuk kishte pranuar lëvizje në kabinetin qeveritar. Por kreu i LSI-së ishte i vendosur për t’i dhënë frymë të re qeverisë, e cila, sipas tij, duhej të bëjë ende shumë hapa më tej në shumë reforma për të ndryshuar situatën në vend. Në këto kushte lëvizja brenda radhëve të veta në kabinet ishte “asi nën mëngë” i Metës, i cili përkundrejt këmbënguljes së Ramës, e ndryshoi qeverinë e majtë. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, dha dje dorëheqjen nga detyra që mbante që prej shtatorit të 2013-ës, duke e argumentuar gjestin e tij përmes zërave partiakë si një akt që do t’i hapë rrugë bashkëpunimit për reformën në drejtësi. Ndonëse kjo lëvizje nga shumëkush brenda korridoreve të dy selive të partive kryesore të së majtës është cilësuar si mesazh i Kryeparlamentarit Meta për “impulse” të reja si edhe nga ana tjetër si kryengritje e Naços për mosbashkëpunimin për reformën në gjyqësor, ajo që vlen si fakt është se kabineti qeveritar ndryshoi për herë të dytë pa vendim të Ramës dhe me dorëheqje personale. Në gushtin e 2014-ës dha dorëheqjen nga detyra ish-ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi, duke e argumentuar aktin me arsye personale.

 

Manjani zëvendëson Naçon

Pak pas mesditës, rreth orës 12:30, në selinë e Kryeministrisë është parë të ngjitet makina e Nasip Naços, i cili zhvilloi një takim me Kryeministrin Rama. Mësohet se në këtë takim ai i ka paraqitur kreut të qeverisë dorëheqjen nga posti i ministrit të Drejtësisë, duke argumentuar këtë vendim të tij të mbështetur mbi arsye personale. Në takimin mes Ramës dhe Naços merrte pjesë gjithashtu edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Pas largimit të Naços, Meta dhe Rama diskutuan për emrin e ri të ministrit të Drejtësisë, ku mësohet se kreu i LSI-së propozoi nënkryetarin e partisë që drejton, Ylli Manjanin. Ndërkohë, pas këtij takimi, Meta është larguar drejt hotelit “Rogner”, ku ka konsumuar një kafe me kreun e grupit parlamentar Petrit Vasili. Ndërkaq, në Kryeministri pas largimit të kryetarit të LSI-së u paraqit Ylli Manjani, i cili mësohet se u njoh me vendimin e marrë nga dy bashkëkryetarët e mazhorancës. Në një prononcim paraprak për mediat, ai theksoi: “Çdokush që merret me politikë duhet të jetë i gatshëm”. Ndërkohë, kreu i LSI-së vlerësoi punën e Naços, ndërsa theksoi se me këtë akt ai ka ndihmuar në realizimin e një bashkëpunimi të kërkuar prej kohësh. “Më duhet të vlerësoj aktin e dorëheqjes së ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço, si një akt të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, si një akt qytetar, i cili ka dhënë kontributin e tij gjatë gjithë kësaj periudhe në të mirë të qeverisjes dhe të reformave. Por njëkohësisht, me këtë akt, ai ka gjykuar se jep një kontribut për të ndihmuar në realizimin e një bashkëpunimi të kërkuar prej kohësh dhe më të gjerë dhe në nivel të ri për të çuar përpara të gjitha reformat dhe sidomos reformën në fushën e drejtësisë”, – tha Meta. Nga ana e saj, Kryeministria përmes një njoftimi zyrtar theksoi se Rama kishte pranuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, duke e falënderuar atë për kontributin e dhënë në ekipin qeverisës. “Duke vlerësuar se kandidatura e Ylli Manjanit është më e përshtatshmja për të çuar më tej punën e nisur në drejtimin e institucionit, Kryeministri ka diskutuar më pas me zotin Manjani përfshirjen e tij në kabinetin qeveritar. Reforma në drejtësi, përmirësimi i punës në zyrat e hipotekave, rritja e cilësisë së shërbimit në burgje, si edhe ritmi i asistencës teknike të Ministrisë së Drejtësisë në procesin e hartimit të akteve ligjore e nënligjore në funksion të reformave kanë qenë në fokus të bashkëbisedimit”, – thuhej në njoftimin e Kryeministrisë, i cili bënte të ditur nga ana tjetër se ka firmosur propozimin për Presidentin e Republikës që të dekretojë emërimin e Manjanit në krye të dikasterit të drejtësisë.

 

Box

Letra e Naços për Ramën: Reforma në drejtësi kërkon nivel të lartë bashkëpunimi

 

“I nderuar z. Kryeministër! Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, por duke qenë i bindur se reforma në drejtësi dhe përmbushja e një roli më thelbësor të Ministrisë së Drejtësisë në përmirësimin e mirëqeverisjes dhe funksionimit të drejtësisë kërkon një nivel më të lartë të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të të gjithë aktorëve, jap dorëheqjen time si ministër i Drejtësisë. Duke shpresuar që në çdo rast ky akt të ndihmojë në krijimin e klimës së bashkëpunimit të kërkuar për reformimin e sistemit të drejtësisë, Ju uroj suksese në përmbushjen e obligimeve tuaja si Kryeministër. Me konsideratë, ministri Nasip Naço”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here