Standard.al

Avokati i Popullit, rekomandim Kryeministrit   / Punonjësit e burgjeve denoncojnë abuzimet dhe shkeljen e të drejtave

0

 

 download

Prej rreth 10 vitesh u mohohet vjetërsia e punës, uniforma dhe ushqimi që u përcakton ligji

 

Avokati i Popullit, Igli Totozani, i ka drejtuar një rekomandim Kryeministrit të vendit, Edi Rama, lidhur me ankesat e mbërritura nga punonjësit e burgjeve. Pas verifikimeve të ankesave, nga grupi i inspektimit të institucionit të Avokatit të Popullit, u konstatua mosdhënie e uniformës punonjësve të Policisë së Burgjeve për 6 vjet, mosdhënie e ushqimit për 9 vjet, mosdhënie e lejes vjetore, moskompensimi me pushim për orët shtesë të punës, si dhe mostrajtimi ekonomiko-financiar në mënyrë të barabartë me punonjësit e Policisë së Shtetit, akte këto të cilat përbëjnë shkelje të të drejtave të këtyre punonjësve. Mësohet se edhe më herët institucioni i Avokatit të Popullit kishte dërguar një rekomandim lidhur me këto probleme Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave, ku megjithëse u pranua ekzistenca e problemeve që lidhet me të drejtat ligjore të punonjësve të Policisë së Burgjeve, zgjidhja e tyre sorollatet me justifikime të ndryshme. Përderisa shkelja e të drejtave ligjore të punonjësve të Policisë së Burgjeve është evidente edhe aktualisht, dhe ndërkohë nga Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Financave dhe Ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike nuk ka pasur asnjë reflektim mbi to, Avokati i Popullit i është drejtuar edhe Kryeministrit të vendit.

 

Denoncimi i punonjësve të burgjeve

Në institucionin e Avokatit të Popullit kanë bërë ankesë një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve. Ankuesit shkruajnë se punonjësve të Policisë së Burgjeve po u shkelen të drejtat e garantuara nga ligji dhe aktet nënligjore, të cilat rregullojnë veprimtarinë e kësaj strukture. Ndërkohë, ata parashtrojnë disa nga problemet që hasen në punën e përditshme të punonjësve të Policisë së Burgjeve, të cilat janë: Nuk paguhet shtesa e pagës për oficerët e policisë që transferohen me shërbim jashtë rrethit. Punonjësit e Policisë së Burgjeve nuk e kanë marrë uniformën që prej 5 vjetësh. Atyre nuk u jepet ushqimi që prej 10 vjetësh. Orët shtesë, të cilat në disa sektorë shkojnë deri 12 orë në ditë, nuk u paguhen dhe ndërkohë ato nuk kompensohen me pushim. Nuk paguhet leja vjetore e pakryer për nevoja pune. Nuk paguhet vjetërsia në punë, me përjashtim të 3 viteve të fundit. Ankuesit ngrenë edhe shqetësimin që u krijohet nga aktet normative në fuqi për trajtimin jo të barabartë të tyre me punonjësit e Policisë së Shtetit. Ata paguhen 30% më pak se punonjësit e Policisë së Shtetit, ndonëse kushtet e punës i kanë jo të mira, për të mos thënë më të këqij. Gjithashtu, në këtë ankesë ata ngrenë edhe problemin e ndryshimit të strukturës organike, duke shtuar numrin e punonjësve të Policisë së Burgjeve në disa sektorë shërbimi, ku kryerja e detyrës ka shumë vështirësi. Avokati i Popullit i është drejtuar edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për këto probleme dhe në përgjigjen e tyre konfirmohet se shumica e problemeve dhe e shqetësimeve të ngritura nga punonjësit e Policisë së Burgjeve janë të vërteta dhe qëndrojnë.

 

Avokati i Popullit, rekomandim Kryeministrit

Me anë të rekomandimit drejtuar Kryeministrit, institucioni i Avokatit të Popullit kërkon ndërhyrjen dhe ushtrimin e kompetencave ligjore ndaj ministrit të Drejtësisë, ministrit të Financave dhe ministrit për Inovacionin dhe Administratën Publike për të bërë të mundur zbatimin dhe respektimin e të drejtave ligjore të punonjësve të Policisë së Burgjeve dhe konkretisht për: Marrjen e menjëhershme të masave organizative nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Drejtoritë e IEVP-ve për respektimin brenda afateve ligjore të të drejtës së punonjësve të Policisë së Burgjeve për kryerjen e lejeve vjetore të pa bëra dhe për kompensimin me pushime për orët shtesë të punës së kryer, ose në pamundësi të bëhet kompensimi në vlerë i tyre. Marrjen e masave të nevojshme dhe bërjen e propozimeve përkatëse Këshillit të Ministrave për rritjen e buxhetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të bërë të mundur respektimin e të drejtës për t’u pajisur me uniformë dhe dhënien e ushqimit punonjësve të Policisë së Burgjeve që nga koha e cenimit të tyre. Marrjen e masave për përgatitjen dhe dërgimin në Këshillin e Ministrave të projektit të VKM me qëllim trajtimin e barabartë ekonomiko-financiar të punonjësve të Policisë së Burgjeve me punonjësit e Policisë së Shtetit.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.