Standard.al

Denoncimi / PD: Djali i deputetes së PS-së, 700 milionë lekë tender për trajtimin e stresit të OSHEE

0

 

Berisha: Vali Leskaj nuk është vetëm “zonja lokomotivë”, por është edhe “mami antistres”

 

sali berishaGëzim Saliu

 

Partia Demokratike publikoi dje disa dokumente, të cilat, sipas forcës më të madhe opozitare, përbëjnë provën e radhës në skandalin me tenderët e qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Rama. Përmes një deklarate nga selia blu, sekretarja për marrëdhëniet me publikun, Grida Duma, deklaroi se djali i deputetes socialiste Valentina Leksaj ka fituar një tender me vlerë 700 milionë lekë për trajtimin e stresit tek punonjësit e OSHEE. “Kryefamiljarët, Qamil Zela, Llazi Nasi, Gjovalin Lazri, Arif Doda, iu dorëzuan varfërisë dhe u vetëflijuan për një faturë energjie, ndërsa nuk ju hap asnjë derë shpëtimi nga OSHEE; sot familjet e tyre janë më keq se në mëshirë të fatit. Dhjetëra qindra mijëra familje që janë në fije të perit të zhytur në varfëri. Por kush paska nevoje të trajtohet për tensionin e madh dhe stresin? OSHEE, banda më famëkeqe e Edi Ramës, burimi më i madh i stresit dhe i depresionit për qytetarët. Pikërisht nga paratë e gjakut të shqiptarëve të mbledhura me dhunë e me kërbaç, me burg, kryehajduti i Edi Ramës, Ardian Çela, i jep paratë e të pamundurve djalit tjetër të zonjës Leskaj, për mirë trajtimin ndaj stresit, për punonjësit e OSHEE-së”, – theksoi ajo. Më tej Duma theksoi se djali i nënkryetares së Kuvendit merr 700 milionë lekë për të trajtuar stresin e OSHEE, ndërkohë që ky institucion sipas saj shkaktoi tronditje e dramë tek mijëra familje, tek mijëra të pamundur, duke i lënë në errësirë dhe duke i dërguar në burgje. “700 milionë lekë për ABKONS, për Besnik Leskaj, për një trajnim 4-mujor të punonjësve. 175 milionë lekë në muaj, ose afërsisht 6 milionë lekë në ditë i jep Edi Rama djalit të zonjës Leskaj, nga paratë e gjakut të shqiptarëve të marra me dhunë e me kërbaç prej OSHEE-së. Fondi limit ishte 720 milionë lekë, dhe ofertuesi i vetëm është djali i tjetër i zonjës Leskajt me 700 milionë lekë. Gjithçka e mirëkalkuluar që paratë të ndahen, të shkojnë sipas porosisë së shefit të madh”, – theksoi ajo. Nga ana tjetër opozita solli në vëmendje faktin se për nënkryetaren e kuvendit, Valentina Leskaj ka një kërkesë në Kuvend për mbarimin e mandatit, pasi djali tjetër i saj ka marrë tenderin për hekurudhën Ballsh-Fier-Vlorë për 25 vjet, dhe kjo e bën sipas PD-së mandatin e deputetes socialiste të pavlefshëm.

 

Berisha

Lidhur me çështjen e tenderit të djalit të nënkryetares së Kuvendit Valentina Leskaj ka reaguar dje edhe ish-kryeministri Berisha, i cili nuk ngurroi të përdorte edhe batutën për atë që e cilësoi si grabitje e pasurisë publike. “Lumturorja Vali Leskaj nuk është vetëm “zonja lokomotive”, por është edhe “mami antistres”. Kryehajduti Edi Rama se bashku me njërin Leskaj (Arjanin) merr me koncesion Hekurudhën Ballsh-Fier-Vlore, kurse me Leskajn tjetër (Besnikun) fiton tenderin antistres me 700 milionë leke nga krimineli, hajduti i tij Ardian Çela, i emëruar ne detyre ne krye te OSSHE, sipas burimeve shume te sigurta, nga vet familja Rama. Tenderi prej 700 milionë lekesh, që Rama ndan me Besnik Leskajn, parashikon ç’tensionimin, përdorimin e praktikave psikologjike antistres, trajnimin për një periudhe 4 mujore te punonjësve te OSSHE”, – u shpreh Berisha. Në fund të reagimit të tij, ish-kryeministri theksoi: “Është rasti dhe një here t’u drejtohem qytetareve shqiptare qe te ngrihemi siç u ngritën rumunet, sa me pare për te shporrur kryehajdutin Edi Rama dhe bandën e tij kriminale nga pushtetit, qe po grabisin çdo dite pasuritë publike te qytetareve shqiptar”.

 

box

Reagimi i OSHEE-së: Nuk ka ende një kontratë për trajnimin e punonjësve

 

OSHEE reagoi dje lidhur me akuzat e Partisë Demokratike për tenderin, duke i cilësuar si shpifje. “Partia Demokratike vijon sulmet e saj mbi OSHEE-në, duke vazhduar me shpifjen e radhës që u lëshua sot nga Grida Duma, bëjnë te ditur burime nga OSHEE. OSHEE sqaron opinionin publik nëpërmjet një njoftimi zyrtar se “nuk ka lidhur ende një kontratë për trajnimin e punonjësve, pasi procedura e parë dhe e dytë dështoi për mosplotësim të kritereve e për mangësi të ofertave. Ndërkohë, trajnimi i punonjësve të të gjitha niveleve të kompanisë, që përfshin 5.800 punonjës dhe 15.500 module trajnimi, është një domosdoshmëri në vazhdën e transformimit rrënjësor të shërbimit”, – thuhej në njoftimin e OSHEE. Më tej ky institucion bëri të ditur: “Partia Demokratike s’ka asnjë shans ta kuptojë këtë përderisa sa e vetmja fushë ku kjo parti është e trajnuar është fusha e shpifjes”. Më herët, Partia Demokratike nëpërmjet një deklarate për mediat nga Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, akuzoi OSHEE se po përdor paratë e taksapaguesve shqiptarë për trajnimin e punonjësve”.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.